Presidenti i Kosovës është bashkuar me tufën e ujqërve që duan ta shqyejnë Kosovën

Presidenti i Kosovës është bashkuar me tufën e ujqërve që duan ta shqyejnë Kosovën
  • 11 September 2018 - 08:12
SHKRUAN: ENVER BYTYÇI

Se presidenti i Kosovës është bërë ndihmës dhe ortak me presidentin e Serbisë në objektin e Beogradit për ndarjen e Kosovës, kjo tashmë nuk ka nevojë as për dëshmi, as për dëshmitarë. Zoti Thaçi e ka pranuar vetë një fakt të tillë, ndaj gjyqi i tij duhet të jetë gjyq i shkurtuar, njësoj siç ndodh në proceset gjyqësore kur i pandehuri pranon fajin! Ai flet me të njëjtën gjuhë me Vuçiqin sa i përket angazhimeve të tij për ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës. Ai e merr në mbrojtje çdo veprim dhe çdo fjalim e deklaratë të presidentit të Serbisë. Madje, duket qartë se është shumë i pakënaqur nga të gjithë ata që psh i kërkojnë Serbisë të kërkojë ndjesë për masakrat në Kosovë! Të gjitha këto veprime të zotit Thaçi të njësuara me ato të zotit Vuçiq, kanë bërë që qytetarët shqiptarë dhe jo vetëm këta të jenë të befasuar, të zhgënjyer dhe të fyer. Si është e mundur që presidenti i vendit i bashkohet vullnetarisht dhe pa asnjë kundërshti një projekti serb të ndarjes së Kosovës, me të cilin Kosova humbet Ujmanin dhe Trepçën?! Çfarë do të thotë ky qëndrim i tij?! A mund të justifikohet kjo me "garancitë për paqe", sidomos kur e dimë se Serbia pasi të përfitojë Trepçën do të kërkojë koncesione të tjera në Kosovë e në vendet e tjera të rajonit?! Padyshim se zoti Thaçi ka arsye tjera në të aventurë antishqiptare! Është vështirë të thuhet se cilat janë këto arsye, është akt-akuza e Beogradit për krime, apo diçka tjetër. 

Duhet shkarkuar dhe ndjekur penalisht
Por e sigurt është se qëndrimi i presidentit të Kosovës në raportin e tij me integritetin territorial të Kosovës lidhet me interesat e tij personale si individ e jo si president i vendit. E, ndërkohë, ai e përfaqëson Kosovën si president, jo si Hashim Thaçi! Kjo do të thotë se zoti Thaçi po shpërdoron zyrtarisht detyrën e tij kushtetuese. Ndërkaq ai po shkel kushtetutën e vendit. Sipas nenit 2, pika 2 të Kushtetutës askush nuk mund të tjetërsojë territorin e saj. Duhet të ndryshohet kushtetuta që Thaçi a dikush tjetër të flasë me Serbinë a dikë tjetër për ndryshimin e kufijve. Nëse ndodh që flitet për këtë nga ana e zotit Thaçi me zotin Vuçiq a këdo tjetër, atëherë presidenti shkel kushtetutën. Nëse kemi parasysh se për mosrespektim të procedurave kushtetuese janë shkarkuar dy president, atëherë ky president që mund të flasë për tjetërsimin e territorit të Kosovës e shkel atë në mënyrë përmbajtësore dhe jo vetëm duhet shkarkuar, por duhet patjetër të shkojë për ndjekje penale. Kjo është e drejta! Hashim Thaçi në Bruksel me datën 7 shtator është shprehur i gatshëm që ta lejojë presidentin e Serbisë që ta vizitojë Ujmanin. Ai e ka garantuar zonjën Mogherini për suksesin e kësaj vizite. Prandaj ishte i shqetësuar dhe i zhgënjyer e protestën e shqiptarëve dhe bllokimin e vizitës së Vuçiq në Drenicë. Reagimi i tij për dështimin e kësaj vizite në Drenicë e presidentit serb dëshmon se zoti Thaçi nuk ka asnjë shqetësim pse 15 mijë burra, gra, fëmijë, pleq të Kosovës u masakruan nga makineria e ushtrisë, policisë dhe propagandës së Milosheviqit, Vuçiqit dhe Daçiqit. Nuk e di nëse ai ka ndonjë viktimë në familjen e tij të afërt. Por pavarësisht kësaj atij nuk i lëviz asnjë nerv për 1600 të pagjeturit, për viktimat dhe mijëra gra e vajza shqiptare të përdhunuara. Më shumë i dhemb një deklaratë e Albin Kurtit, sesa jeta e mijëra qytetarëve të Kosovës të masakruar nga Serbia. 

Vuçiq ka folur vazhdimisht për Trepçën si për një asset të Serbisë
Vizita e presidentit serb në Kosovë kësaj radhe po konsiderohet në Beograd si vizitë historike. A do jetë e tillë? Me Hashim Thaçin president e kryenegociator të Kosovës ka shumë gjasa që të shënohet si vizitë historike, sepse Vuçiq vuri këmbën e tij në atë linjë të cilën dëshiron ta ketë si kufi me Kosovën. Në Trepçë nuk shkoi. Por për Trepçën foli sikur të jetë një ndërmarrje serbe. Madje foli edhe për investime të Beogradit. Kjo është një kambanë alarmi. Pse duhet të tjetër e tillë? Sepse Serbia Trepçën dhe privatizimin e ekonomisë së Kosovës e bllokoi përmes UNMIK-ut. Sepse Hashim Thaçi si kryeministër pas shpalljes së pavarësisë nuk bëri asnjë përpjekje për ta legalizuar pronësinë shtetërore të Kosovës për Trepçën, edhe pse i njihte synimet e Beogradit për të. Sepse Isa Mustafa edhe pse hartoi ligjin për Trepçën nuk mundi ta zbatojë atë. Sepse Vuçiq ka folur vazhdimisht për Trepçën si për një aset të Serbisë. Sepse, Beogradit nuk i intereson asgjë në Kosovë, përpos Trepçës! Dhe, presidenti Thaçi ia mundësoi homologut e mikut të tij Aleksandër Vuçiq që ta vendosë de facto kufirin serb në Ujman dhe Trepçë. Nëse përfundohet ky akt, atëherë Kosova do të pësojë humbjen më të madhe të saj në histori! Hashim Thaçi po punon hapur në funksion të tjetërsimit të pronësisë së Trepçës dhe tjetërsisë së territorit të Kosovës. Ligji për Trepçën duhet zbatuar sa më parë, para se Thaçi e Vuçiq të mundësojnë varrosjen e këtij ligji. Trepça dhe veriu i Kosovës duhen mbrojtur nga rreziku që e kanos prej ujdisë së zotit Thaçi e zotit Vuçiq. 4-7 Vizita e presidentit serb në Kosovë kësaj radhë më shumë se herët e tjera ishte planifikuar si vizitë provokative, me mesazhe përçarjeje, edhe pse fjalimet e tij ishin të kujdesshme. Për ta përgatitur këtë vizitë sit ë suksesshme për zotin Vuçiq janë aktivizuar shumë mekanizma në Prishtinë, Beograd e në Tiranë, por edhe në Bruksel. Presidenti i Kosovës, Presidenti i Serbisë, kryeministri i Shqipërisë dhe Frederica Mogherini kanë qëndruar në lidhje të vazhdueshme me njëritjetrin, me qëllim që t'i japin zotit Vuçiq sa më shumë akses në projektet e tij "të paqes" për copëtimin e Kosovës. 

Trepçën edhe Hitleri ua hoqi serbëve nga duart
Ndërkohë këshilltarët e zëdhënësit e këtyre personaliteteve kanë aranzhuar së bashku gjithçka, çdo detaj. Më i përkushtuari e kudondodhuri ka qenë pa dyshim Baton Haxhiu. Ai është ndërlidhësi kryesor i porosive dhe aranzhimeve të kësaj vizite. Porosinë e parë e kishte nga kryeministri Rama, këshilltar i të cilët është Batoni. Sipas kësaj porosie Batoni nuk duhej të lejonte që kjo vizitë të dështonte. Prandaj dhe ai luajti edhe ndërmjetësin mes Hashim Thaçit dhe Vurçiq e anasjelltas. Mogherini nga ana e saj ka shpreh angazhimin e saj për suksesin e zotit Vuçiq. Ajo ka komunikuar për këtë jo vetëm me Beogradin zyrtar por edhe me presidentin e Kosovës dhe kryeministrin e Shqipërisë. Ta gjithë ithtarët e ndarjes së Kosovës kanë qenë në aksion politik e protokollar që vizita e Vuçiq të ishte e suksesshme. Prandaj, Thaçi ishte i zhgënjyer prej asaj që ndodhi në Drenicë, ku duket se ai nuk e menaxhon me mjete mafioze! 8.. Deklaratat e zonjës Merkel në Shkup e më të hershme janë inkurajim për forcat progresive properëndimore në Kosovë e në Shqipëri. Por, njëkohësisht ajo shpreh një shqetësim të ligjshëm e të motivuar për atë që po ndodh. Është një milion për qind e sigurt se nga ndryshimi i kufijve përfiton Serbia dhe Rusia. Këtë e dinë edhe Thaçi e Vuçiq. Por kësaj here mesa duket ata janë pozicionuar kundër rrjedhës së historisë, ashtu si kundër interesave evropiane, e sidomos gjermane në Ballkan. Kjo do t'u kushtojë, nëse dy presidentët e dy vendeve dhe kryeministri i Shqipërisë nuk nxjerrin mësime e bëjnë kthesën e duhur. Mos të harrojmë! Trepçën edhe Hitleri ua hoqi serbëve nga duart! Tani që ajo i përket Kosovës, Beogradi përpiqet ta rikthejë në sovranitetin e vet. Unë e quaj të pamundur këtë! Por fakti që presidenti i Kosovës është bashkuar me tufën e ujqërve që duan ta shqyejnë Kosovën më bën pesimist. Nëse Merkel do ta ndalojë ndarjen e Kosovës, ajo do ta mbrojë edhe territorin, edhe shtetin e Kosovës jo vetëm nga kërkesat nacionaliste të Beogradit, por edhe nga aventurat e vetë presidentit të kësaj Kosove, Hashim Thaçit. Fat i madh për shqiptarët, nëse Merkel i shpëton ata prej Thaçit, se politika në Prishtinë po duket krejt e paaftë ta bëjë një gjë të tillë!

(Kosova Sot)