Hungaria, rrezik për rendin ndërkombëtar

Hungaria, rrezik për rendin ndërkombëtar
  • 14 September 2018 - 08:39
Shkruan: Guy Verhofstadt

Kur i drejtohesha Viktor Orbanit, kryeministrit të Hungarisë, në Parlamentin Evropian në Strasburg, të martën, nuk shkova aq larg sa John McCain i ndjerë, i cili dikur e kishte përshkruar Orbanin si "një neofashist në shtrat me Putinin". Sidoqoftë, sigurisht do të isha dakord me analizën e zotit McCain të vitit 2014. Nëse asgjë tjetër, gjendja në lidhje me sundimin e ligjit dhe demokracinë në Hungari që nga ajo kohë është përkeqësuar. Në një votim historik të mërkurën, mbi dy të tretat e anëtarëve të Parlamentit Evropian votuan për ta aktivizuar së shpejti nenin 7 të Traktatit të Lisbonës, i cili fillon procesin e sanksionimit të qeverisë hungareze në dritën e sjelljes së saj autoritare dhe antidemokratike në rritje, e cila mund të çojë përfundimisht në pezullimin e të drejtave të votimit të Hungarisë në Bashkimin Evropian. Në një analizë të gjerë të situatës në Hungari, raporti i ligjvënësve evropianë shprehu shqetësime serioze për përkeqësimin e sundimit të ligjit dhe të demokracisë në vend, duke shënuar kulminacionin e viteve të dialogut të kotë midis BE-së dhe Hungarisë.

Zgjedhjet e fundit të Hungarisë mund të kenë qenë të lira, por jo të drejta Që nga viti 2010, Viktor Orban ka miratuar ligje që mbytin shtypin e lirë, politizojnë gjyqësorin e Hungarisë dhe demonizojnë organizatat joqeveritare. Për turp, ai iu ka bërë jehonë temave antisemite dhe ka sulmuar universitetin ndërkombëtar, shumë të respektuar të Evropës Qendrore. Të martën, Orban mbrojti veprimet e tij duke argumentuar se ai ka një mandat zgjedhor për të rikthyer demokracinë në Hungari. Megjithatë, vëzhguesit ndërkombëtarë nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhanë një vendim të dënueshëm për zgjedhjet e fundit parlamentare në Hungari, duke paralajmëruar "retorikë frikësuese dhe ksenofobe, paragjykim medial dhe financim të errët të fushatës". Sipas vlerësimit të OSBE-së, zgjedhjet e fundit të Hungarisë mund të kenë qenë të lira, por jo të drejta. Një hetim në vazhdim nga "Unhack Democracy Europe" po zbulon pohimet për dëshmi të përhapura të regjistrimit të rremë të votuesve, falsifikimin e të dhënave të vendvotimeve dhe kërcënimin e zyrtarëve të votimit. Me përkrahjen e shtetit, retorika e ngjashme me atë të përdorur nga ishudhëheqësi i Partisë së Pavarësisë së Mbretërisë së Bashkuar (UKIP), Nigel Farage, për të trembur votuesit rreth migrimit masiv gjatë referendumit të Brexitit është vendosur në të gjithë Hungarinë, me sa duket me qëllimin e vetëm për të ngritur tensionin racial dhe armiqësinë ndaj migrantëve - dhe për të demonizuar George Sorosin, një taktikë e mbushur me anti-semitizëm, që tani po përdoret nga e djathta globalisht. Orbani është mjaft i hapur për qëllimin e tij për të ndërtuar një demokraci të paligjshme në Evropë. Për më tepër, ai dëshiron të përhapë jo-liberalizëm në vende të tjera në Evropë dhe më gjerë, duke u bashkuar me nacionalistin e bardhë Steve Bannon dhe ministrin e brendshëm të Italisë, Matteo Salvini. Ashtu si Donald Trump, Orban nuk e fsheh përbuzjen e tij për rendin ndërkombëtar, të bazuar te rregullat, dhe admirimin për liderët autoritarë, si Vladimir Putin dhe Recep Tayyip Erdogan. Së bashku me partitë e tjera të ekstremit të djathtë në Austri, Itali dhe Francë, partia e Orban nënshkroi një pakt bashkëpunimi me 'Rusinë e Bashkuar' të Presidentit rus Vladimir Putin në vitin 2016.

Qeveritë evropiane dhe SHBAja kanë një detyrim moral për të ndërhyrë
Në një tjetër shenjë shqetësuese se e djathta e largët e Evropës minon bashkëpunimin ndërmjet shërbimeve kombëtare të inteligjencës në Perëndim, marrëveshja parashikon ndarjen e informacionit me Kremlinin për çështjet që lidhen me marrëdhëniet dypalëshe dhe ndërkombëtare. Kjo votë dëshmon se marshimi i jo-liberalëve në Evropë nuk do të mbetet më i pakundërshtueshëm dhe se ka një shumicë të fortë të parlamentarëve në Bashkimin Evropian ende të gatshëm të luftojnë për ligjet dhe vlerat demokratike. Në javët dhe muajt e ardhshëm, bashkësia ndërkombëtare - dhe Shtetet e Bashkuara në veçanti - duhet ta mbajnë parasysh paralajmërimin tonë dhe të veprojnë: qeveria e Hungarisë paraqet një kërcënim për rendin ndërkombëtar të rregullave. Qeveritë evropiane dhe SHBA-ja kanë një detyrim moral për të ndërhyrë. Ne nuk mund të qëndrojmë mënjanë dhe të lejojmë që qeveritë populiste dhe ekstremiste të tërheqin shtetet demokratike evropiane në orbitën e Vladimir Putinit dhe të minojnë normat ndërkombëtare të pasluftës. Kostot politike dhe financiare duhet t'iu paraqiten qeverive që ndjekin një rrugë autoritare, sikur që duhen mbështetur organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët e Hungarisë, të cilët meritojnë shumë më mirë se kjo. E vërteta e papërshtatshme është se, në rrethanat aktuale, Hungaria do të ishte e pamundur të hyjë në Bashkimin Evropian sot. Orban ka thënë hapur se dëshiron ta shkatërrojë projektin evropian. Kjo nuk është në interes të popullit të Amerikës apo të Evropës. Ne duhet ta ndalojmë atë - tani. 

(Kosova Sot)