Kosova nuk do ta lejojë që Kosova Lindore ta pësojë si Çamëria dhe më herët si Toplica

Kosova nuk do ta lejojë që Kosova Lindore ta pësojë si Çamëria dhe më herët si Toplica
  • 17 September 2018 - 08:12
SHKRUAN: SKËNDER SADRI KAPITI

Presidenti Thaçi sot dhe të tjerët nesër pas Tij, pra: politika, pushteti dhe Shteti i Kosovës nuk do ta lejojnë që Kosova Lindore ta pësojë ashtu sikurse e ka pësuar Çamëria dhe më herët Toplica. Prandaj, unë e mbështes qëndrimin dhe kërkesën e drejtë të Presidentit Thaçi për Bashkimin e Luginës me Kosovën. Duke gjykuar mendueshëm, realisht dhe me ndjesi e përgjegjshmëri kombëtare; duke vështruar tragjedinë dhe fatkeqësitë e shqiptarëve që u kanë ardhur nga padrejtësia evropiane dhe gjenocidi serbo-sllav i tillë sa që kur përmenden Serbia dhe serbët te shqiptarët, sidomos te shqiptarët e Kosovës, të Luginës së Preshevës, të Maqedonisë e të Malit të Zi vijnë kujtimi i vuajtjeve, terroreve, përndjekjeve,vrasjeve, dëbimeve dhe i gjeonicidit 150- vjeçar, dhe për të gjitha këto serbët nuk kanë kërkuar as falje. Është detyrë kombëtare e çdo shqiptari, e çdo politikani e pushtetari shqiptar dhe sidomos e dy shteteve shqiptare që të interesohen për bashkëkombësit e vet kudo që ndodhen ata. Në rastin konkret Thaçi me të drejtë dhe me përgjegjësinë e detyrës së Presidentit të Kosovës interesohet me përkushtim dhe me përgjegjësi duke ndjerë dhe jetuar edhe me të drejtat e mohuara njerëzore e kombëtare, me problemet dhe shqetësimet reale që kanë shqiptarët e Kosovës Lindore. Ai deklarohet me të drejtë se zgjidhja reale ,më e drejtë dhe përfundimtare është Bashkimi i Kosovës Lindore me Kosovën. Prandaj, unë e mbështes këtë qëndrim të tij dhe jam kundër atyre të cilët realisht nuk kanë bërë asgjë dhe nuk janë në gjendje që të bëjnë ndonjë gjë të duhur për problemin shqiptar të Luginës, përveçse e kanë të lehtë dhe duan të duken duke bërë zhurma mediatike shterpë , përçarëse, pseudoatdhetarizmi dhe papërgjegjshmërie.

Kundërshtimet e politikanëve Shqiptarët e Kosovës Lindore edhe sot nën Serbi janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë. Prandaj, edhe e mbështes deklarimin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për Bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën dhe jam kundër atyre intelektualëve, mediatikëve dhe kundër atyre politikanëve dritëshkurtër të Kosovës, të cilët për egoizëm, xhelozi dhe për inate politike deklarohen kundër Presidentit Thaçi i cili kërkon me plotësisht të drejtë Bashkimin e Komunave shqiptare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën. Ndërsa politikanëve, intelektualëve e medieve të Shqipërisë nuk është për tua vënë re kundërshtimin e tyre për Bashkimin e Luginës me Kosovën, pasi ata gjithnjë kanë bërë politikën e njerkës me shqiptarët e Kosovës e të trojeve të tjera shqiptare jashtë Shqipërisë. Tani, Kosova është shtet Sovran dhe është vetë në gjendje që t'i përballojë sfidat e saj, ashtu sikurse politika e Prishtinës nuk është se e ka pyetur kush në Shqipëri për ndonjë gjë që i përket Shqipërisë,dhe Prishtina nuk ndërhyn në çështje të cilat i përkasin Shtetit të Shqipërisë. Tani po shohim e dëgjojmë edhe së fundmi "këshilla " nga politikanë e deputetë nga Shqipëria kundër Bashkimit të Kosovës Lindore me Kosovën si p.sh. nga deputeti i Partisë Demokratike, Berisha. Por, si ka mundësi që dikur si ish -President për 5 vjet, dhe më pas si ish -Kryeministër për 8 vjet, ai kurrë nuk bëri ndonjë gjë të dobishme as për Kosovën, as për Preshevën, as për shqiptarët e Maqedonisë, përveçse deklarime dhe ka hipotekuar në karrierën e tij edhe sjellje e veprime të dëmshme për Kosovën, për të cilën kur ishte president kërkonte autonomi kulturore, dhe kur ishte kryeministër nëpërmjet ministrit të tij të jashtëm deklarohej për "Pavarësi të Kushtëzuar" duke mos pranuar dhe mosnjohur kështu fitoret e shqiptarëve si : as Luftën paqësore të ish liderit të shqiptarëve e Ish presidentit Rugova për liri e pavarësi të Kosovës; as Luftën Çlirimtare të UÇK-së; as ndërhyrjen e NATO-s dhe as ndihmën e kontributin vendimtar të Aleatit të madh të shqiptarëve, SHBA-në, dhe pra as faktin e madh historik: atë të çlirimit dhe të dëbimit përfundimtar të Serbisë nga Kosova. Pavarësi e Kushtëzuar ishte e njëjtë me atë të cilën kërkonte Beogradi "autonomi substanciale" për Kosovën. 

Në vend që shteti shqiptar ta ndihmojë Kosovën, ai vë barriera e pengesa
Por, edhe qeveria aktuale, kjo socialiste e "Rilindjes", me taksën e "Rrugës së Kombit" e tregoi edhe ajo antikosovarizmin e saj, pasi kjo taksë de fakto është një pengesë dhe barrierë, është një kufi i ri të cilin nuk e vendos më Serbia, por e vendos politika e Rilindjes Socialiste , është një veprim i cili dëmton rëndë qytetarët e Kosovës , është një taksë më shumë dhe realisht si një gjobë që duhet të paguajnë shqiptarët e Kosovës për atë se ata vijnë dhe vizitojnë Shqipërinë. Ky është një veprim i pabesë antikombëtarë dhe si një mosmirënjohje e madhe për atë sakrificë dhe martirizim që ka bërë populli heroik i Kosovës në shekuj për interesin e lartë gjithëkombëtar, për Shtetin dhe për Kombin e Bashkuar. Kur politika e Tiranës bën edhe sjellje dhe veprime të tilla e si mund t'i besohet asaj se ajo e do Kosovën, Kosovën Veriore dhe atë Lindore të Bashkuar, kur ajo vendos pengesa e barriera edhe me shtetin shqiptar të Kosovës. Në vend që shteti shqiptar ta ndihmojë Kosovën, ai vë barriera e pengesa madje duke e i gjobitur shqiptarët e Kosovës që të paguajnë edhe për shërbime të cilat nuk u shërbehet dhe as nuk u ofrohen atyre, siç edhe është "gjoba" për Rrugën e papërfunduar, për rrugën e cila ka emërtesën e bujshme "Rruga e Kombit", si rruga e afrimit, integrimit dhe e bashkimit shqiptar? Pa harruar këtu edhe socialistin, paraardhësin e Rilindjes Ish kryeministrin Fatos Nano, i cili pati deklaruar se Kryeqyteti i Kosovës është Beogradi. Jo vetë politika por edhe shumë intelektualë të tjerë si p.sh. shkrimtari Ismail Kadare, i cili është shumë i vonuar si gjithmonë edhe atëherë kur tentoi se me arratisjen nga Shqipëria mund ta fitonte statusin e disidentit antikomunist dhe të shpërblehej me çmimin Nobel për një letërsi jashtë mode të realizmit socialist, edhe kur u "pishmanua" për qëndrime e tija ndaj personaliteteve e ngjarjeve të mëdha kombëtare në Kosovë; dhe tani nuk po na shpik dhe nuk po na thotë asgjë tjetër veçse diçka të konsumuar e të thënë nga të tjerë para tij: për reciprocitet të Veriut të Kosovës me Preshevën. Për çfarë reciprociteti? A mos vallë duhet besuar te Serbia për reciprocitet ? Përse politika dhe akademia në Shqipëri nuk i kërkojnë Greqisë reciprocitet për Çamërinë , për t'u rikthyer shqiptarët e dëbuar në trojet e tyre në Çamëri , dhe për të fituar shqiptarët atje liritë dhe të drejtat qytetare dhe kombëtare ashtu siç i kanë minoritarët grek në Shqipëri? Si Greqia dhe Serbia janë njëlloj antishqiptare . Dhe nëse Kosova Lindore do të mbetet nën Serbi, Serbia do të bëjë e përdorë të gjitha metodat, marifetet dhe përpjekjet për t'i dëbuar nga trojet e tyre shqiptarët e Luginës siç po vepron edhe tani. Prandaj zgjidhja më e mirë dhe më e duhura është bashkimi i Kosovës Lindore me Kosovën.

Ndjesia kombëtare
Tirana, politika dhe akademia e intelektualizmi në Shqipëri as sot nuk interesohet për shqiptarët dhe për Çamërinë shqiptare dhe jo më për Kosovën Lindore. Tashmë ka ikur koha kur pushteti, politika dhe politikanët e Tiranës e shfrytëzonin dhe e përdornin "ndikimin" apo "popullaritetin" duke spekuluar me Kosovën dhe me shqiptarët e trojeve etnike shqiptare për vetëm interesa personale politike e pushteti ; ka ikur koha kur politikanët e Tiranës paraqiteshin te ndërkombëtarët si individë me "ndikim" të madh në të gjithë sferën shqiptare me qëllim që ata të fitonin pikë, kredo, përkrahje dhe mbështetje politike ndërkombëtare si lojtarë e aktorë të rëndësishëm kombëtarë për "stabilitetin " në rajon , gjë të cilën ata e kanë shfrytëzuar gjithmonë vetëm për interesa të ngushta personale pushteti e politike. Tashmë nuk pinë ujë dhe nuk beson kush as retorikat patriotike të pseudoatdhetarizmit politik. Për Kosovën Lindore, interesimi për të së pari i takon shtetit shqiptar të Kosovës sepse ajo i përket asaj. Thaçi sot dhe të tjerët nesër pas Tij, politika, qeveria dhe shteti i Kosovës nuk do ta lejojnë që Kosova Lindore ta pësojë fatin e pastrimit etnik si e ka pësuar Çamëria dhe më herët Toplica. Unë gjithashtu jam deklaruar ndër të parët edhe kundër instalimit të Gjykatës Speciale në Kosovë si një ndërmarrje e padrejtë dhe diskriminuese ndërkombëtare, si një akt disproporciteti, sepse nuk është vepruar kështu me serbët, me autorët e vërtetë të krimeve dhe të gjenocidit mbi shqiptarët e Kosovës ,por u ngrit një gjykatë për të gjykuar viktimat e krimit dhe të gjenocidit. Unë në këtë shkrim nisem nga fakti se duhet bërë shumë ,dhe duhet përkushtim që të mos i braktisim bashkëkombësit tanë të Kosovës Lindore ashtu sikur është bërë deri më tani, por është momenti historik që të mund të bëjmë më të mirën e mundshme dhe të duhur për bashkëkombësit tanë atje. Këtë duhet ta shikojmë si përgjegjësi kombëtare pavarësisht se Kosova dhe Shqipëria sot ballafaqohen me shumë probleme e pasoja të pakëndshme që vijnë nga keqpolitika, keqqeverisja, nga korrupsioni dhe nga padrejtësia e drejtësisë. Çështja kombëtare është parësore dhe duhet mbështetur çdo nismë e iniciativë që i shërben asaj, në rastin konkret zgjidhjes së problemit shqiptar të Kosovës Lindore, pa marrë parasysh se nga cili personalitet politik e shtetëror vjen ajo, dhe pa marrë parasysh edhe nga cila politikë propozohet, përkrahet e mbështetet ajo. Duke u nisur jo nga preferenca politike dhe as nga konsiderata dhe as nga simpati personale por nga ndjesia kombëtare së pari: ja pse edhe e mbështes Presidentin Thaçi për Bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën: 1-Thaçin e mbështes në kërkesën e tij, e cila përputhet me Referendumin e shqiptarëve të Kosovës Lindore të vitit 1992, ku ata deklarohen edhe për Bashkimin me Kosovën, së cilës kjo krahinë i përket. 2- E mbështes, sepse shqiptarët e Luginës së Preshevës, Kosovës Lindore, janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë ku shkelen liritë dhe të drejtat njerëzore si dhe ato kombëtare, pasojë e të cilave është pastrimi etnik dhe boshatisja në vijimësi edhe sot e këtyre viseve shqiptare nga popullsia shqiptare e këtyre trevave ,pasi shqiptarët atje trajtohen si qytetarë të dorës së dytë. 3- Tirana dhe Prishtina deri më sot nuk kanë treguar interesim dhe as qasje serioze për të ndihmuar, përkrahur e mbrojtur bashkëkombësit e vet në trojet e tyre në Kosovën Lindore, përveçse sipërfaqësisht sa për të kaluar radhën dhe vetëm në mënyrë deklarative dhe emocionale kur ndonjë kryetar partie nga Tirana dhe personalitete shtetërore nga Shqipëria :Kryeministër, President apo Kryekuvendar i kanë pritur në Tiranë apo i kanë vizituar shqiptarët në Preshevë, dhe janë mjaftuar vetëm me kaq . Vetëm tani disa politikanë dhe intelektualë nga Shqipëria kanë filluar të flasin për reciprocitet të Veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës pasi më parë as këtë reciprocitet as nuk e kanë përmendur. Pra, kërkesa e Thaçit për Bashkim të Luginës me Kosovën e ndërshqiptarizoi problemin shqiptar të Kosovës Lindore pra e bëri problem kombëtar gjithshqiptar , si dhe aq më tepër edhe e ndërkombëtarizoi atë ashtu siç e ka bërë më parë UÇPMB-ja, ashtu sikurse që e bëri dhe e ndërkombëtarizoi si kurrë më parë në histori Kosovën dhe Çështjen Shqiptare Lufta e Lavdishme dhe Heroike e UÇK-së. 4-E mbështes Presidentin Thaçi për faktin se përderisa nuk ka barazi dhe reciprocitet në krahasim me atë se çfarë lirish dhe të drejtash ka minoriteti serb në Kosovë me atë se çfarë kanë shqiptarët e Kosovës Lindore, ku serbët në Kosovë gëzojnë liri dhe të drejta si asnjë minoritet tjetër në asnjë vend të botës, dhe përderisa nuk ka as gjasa që shqiptarët autoktonë në trojet stërgjyshore të tyre në Kosovën Lindore (sot akoma nën Serbi) që t'i fitojnë e t'i kenë po ato liri dhe të drejta të cilat i ka minoriteti i kolonëve serbë në Kosovë, atëherë dhe prandaj është më se e drejtë që Kosova Lindore t'i bashkohet trungut të saj, Kosovës. 5- Thaçi ka plotësisht të drejtë kur kërkon Bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën edhe si një sfidë ndaj Evropës e cila sillet me dy standarde: ku nga njëra anë kërkon dhe mbron me fanatizëm minoritetin serb në Kosovë dhe nga ana tjetër bën shurdhmemecin dhe toleron diskriminimin serb të shqiptarëve të Kosovës Lindore, dhe prandaj mbrojtja dhe zgjidhja më e mirë dhe përfundimtare për trojet dhe shqiptarët e Kosovës Lindore është bashkëngjitja e saj me Kosovën. 6-Agjenda "Thaçi" për Bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën e cila është një e drejtë kombëtare e jona ka rëndësinë e saj të jashtëzakonshme të bërë ndonjëherë nga një politikan dhe përfaqësues i rangut të lartë shqiptar për Kosovën Lindore, dhe është ajo: Thaçi me këtë kërkesë legjitime si President dhe si një politikan i besueshëm ndërkombëtarësh, i guximshëm dhe real e ka ndërkombëtarizuar si kurrë më parë në Evropë dhe më gjerë Çështjen Shqiptare të Kosovës Lindore, e cila kërkon zgjidhje në kuadër të zgjidhjes së Çështjes së pazgjidhur në Ballkan, që është Çështja Gjithëkombëtare Shqiptare. Zgjidhja e të pazgjidhshmes që është akoma Ballkani, ku kryesore është Çështja Shqiptare, përkrahet dhe mbështetet edhe nga aleati strategjik dhe miku i madh i shqiptarëve, SHBAja, pa rolin vendimtar të tyre nuk do të ishte çliruar dhe as krijuar shteti i Pavarur i Kosovës që kemi sot. Këtë duhet ta kenë mirë parasysh politika dhe politikanët shqiptarë si në Prishtinë dhe në Tiranë për të cilët kam një pyetje se: a janë ata në gjendje të bëjnë integrimin e Veriut shqiptar të Kosovës në shtetin shqiptar të Kosovës, dhe a janë ata në gjendje për t'i siguruar, garantuar e mbrojtur liritë dhe të drejtat qytetare dhe kombëtare të bashkëkombësve të tyre në Kosovën Lindore apo edhe a janë ata në gjendje për ta bërë vetë ata këtë me strategji politike e diplomatike , apo ta bëjnë edhe me luftë mbrojtjen dhe Bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën pa mbështetjen e SHBA-së?! 

(Kosova Sot)