Beogradi po zbaton "Recetën" e diplomacisë kineze

Beogradi po zbaton
  • 18 September 2018 - 08:08
SHKRUAN: PROF.DR. MEHDI HYSENI 

T ë gjithë ata liderë politikë shqiptarë që kanë mbështetur dhe po e mbështetin në mënyrë të vullnetshme dhe të ethshme ( duke u mburrur si politikanë të zotë) Dialogun e Brukselit mes palës serbo-shqiptare nën monitorimin e BE-së (2011-2018) një ditë do të përgjigjen para historisë dhe popullit, sepse nuk janë të vetëdijshëm që çdo dialog dhe çdo marrëveshje e arritur mes Prishtinës dhe Beogradit, pa njohjen de fakto dhe de jure paraprake të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë, mbështesin dhe stimulojnë strategjinë e diplomacisë së rrezikshme dhe afatgjatë të Serbisë për gllabërimin e territoreve të SHQIPËRISË ETNIKE, e cila në thelb synon kthimin e Kosovës nën Serbinë e dikurshme kolonialiste (1912-1999). Kjo formë e dialogimit të politikës dhe të diplomacisë së Kosovës me Beogradin, është edhe më e rrezikshme se politika dhe diplomacia luftarake dhe gjenocidale e regjimit çetniko-fashist të Slobodan Milosheviqit, sepse në mënyrë paqësore dhe të paafatizuar, duke zbatuar "klishetë" e diplomacisë kineze, si dhe ndihmën e saj direkte, do të bëjë përpjekje të vazhdueshme për kthimin e Kosovës nën Serbi, ashtu sikurse që veproi dhe po vepron diplomacia paqësore e Kinës, e cila pas 50 vitesh veprimi (1949- 1999) ia arriti që Hong-Kongun dhe Makaon t'i kthente nën sovranitetin territorial dhe shtetëror të saj. Kështu, është duke vepruar edhe me Tajvanin, që një ditë, në mënyrë paqësore ta kthejë nën sovranitetin e saj.

Kosova, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë territore të "Zemrës" së Shqipërisë etnike
Sipas hartës gjeopolitike, etnike dhe kulturore, Kosova, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen as Jerusalemi, as Hong-Kongu, as Makao e as Tajvani i Serbisë, ashtu siç po agjiton dhe po propagandon me paturpësi diplomacia serbomadhe, që ta bindë Kinën, Indinë dhe tërë bashkësinë ndërkombëtare se gjoja Kosova, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë territore të Serbisë, ashtu sikurse janë Hong-Kongu, Makao dhe Tajvani të Kinës. Kjo është rrena më e madhe e politikës dhe e diplomacisë së Beogradit zyrtar, që po i servohet Evropës dhe tërë botës, me qëllim që të mos e njohin pavarësinë e Kosovës (17 shkurt 2008), si dhe të mos heqin dorë nga kolonizimi dhe aneksimi i Preshevës, i Bujanocit dhe i Medvegjës (1878-2018). Kjo diplomaci surrogate e Serbisë për kthimin e Kosovës nën suverenitetin e saj kolonial njëshekullor sipas "recetës" së diplomacisë paqësore afatgjatë të Kinës, është rreziku më i madh që kërcënon ekzistencën e shtetit të pavarur të Kosovës. Për më tepër, këtë e dëshmon edhe ndërkombëtarizimi vullnetar i territorit verior të Kosovës nga lidershipi i saj, i cili qe 8 vjet është bërë objekt debati mes palës serbo-shqiptare në Dialogun e Brukselit (2011-2018). E gjithë kjo vë në dukje faktin se me pavarësimin unilateral të Kosovës, nuk ka përfunduar çdo gjë me statusin e saj (17 shkurt 2008). Këtë e provojnë edhe këta dy faktorë problematikë : (1) Mosnjohja e Kosovës nga ana Organiztaës së Kombeve të Bashkuara dhe (2) Mosnjohja e Kosovës nga ana e Serbisë kolonialiste dhe gjenocidale (1912-2018). Kjo po ndodh kështu, jo vetëm për shkak të dështimeve të politikës dhe të diplomacisë së Kosovës dhe të Shqipërisë, por edhe për shkak të dominimit të interesave heterogjene politike dhe strategjike të Evropës Perëndimore dhe të asaj Lindore me Rusinë në krye, e cila viteve të fundit, politikisht dhe diplomatikisht është e pranishme në Ballkan. Kjo "konkurrencë" e ashpër e garës së sferave të influencës për zotërimin e Ballkanit nxjerr në shesh jo vetëm mbështetjen e hapur të Serbisë për shkak të pozitës së saj specifike gjeopolitike, por edhe ekzistencën e problemit të "Rimlandit" të Lindjes dhe të Perëndimit. Beogradi zyrtar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në krye, duke përfituar nga gabimet fatale politike të lidershipit të Kosovës, që verbërisht pranoi dialogimin me palën serbe në Bruksel (2011-2018), po zhvillon një diplomaci ofensive sipas recetës së vjetër të Kinës për t'i rikthyer "territoret e humbura" , si dhe po ushtron trysni të madhe te vendet e bashkësisë ndërkombëtare, që të mos e njohin Republikën e Kosovës. Këtë e provon edhe tërheqja e vendimit të njohjes së Kosovës nga disa vende të OKB-së, me qëllim që ta izolojnë sa më shumë Kosovën në bashkësinë ndërkombëtare

Tërheqja e njohjeve
Një lobim i tillë diplomatik i Serbisë sipas recetës së diplomacisë kineze rezultoi efektshmërinë diplomatike, që pesë (5) vende të tërheqin njohjen e Republikës së Kosovës: Liberia, Burundi, Surinami, Sao Tome e Principe dhe Guinea Bisao. Kjo, duhet të jetë shqetësuese për politikën e jashtme dhe për diplomacinë e Kosovës, e cila për shkak të gabimeve trashanike të politikës së brendshme po përjeton krizën dhe dështimet e saj në planin ndërkombëtar. Mirëpo, fajin dhe përgjegjësinë kryesore për këtë e kanë presidenti , qeveria dhe kuvendi i Kosovës, që ranë në grackën e politikës dhe të diplomacisë serbo-kineze, të hyjnë në dialogun e Brukselit, që ka për qëllim revidimin e statusit të pavarësisë së Kosovës. Kjo diplomaci e rrezikshme e Serbisë, mund të ketë karakter afatgjatë, ashtu sikurse diplomacia paqësore 80-vjeçare e Kinës, e cila ia arriti që pas 156 vitesh nën sundimin kolonial britanik, HongKongun ta kthente nën sovranitetin territorial të saj (1997). Ndërkaq, në vitin 1999, Makaon e ktheu nën sovranitetin e saj territorial, pas sundimit kolonial imperialist 442- vjeçar të Portugalisë. Në këtë frymë të diplomacisë paqësore, Pekini po bën përpjekje të vazhdueshme të minojë edhe shtetin e Tajvanit, në mënyrë që ta kthejë nën sovranitetin territorial dhe shtetëror të Kinës . Këtë e provon edhe faktet e derisotme të politikës së jashtme dhe të diplomacisë kineze, e cila në saje të lobimit ndërkombëtar ka ndikuar negativisht, që shumë shtete të bashkësisë ndërkombëtare ta tërheqin njohjen e Tajvanit (dikur koloni e Japonisë, 1895-1845) , Kështu që nga "71 shtete", të cilat dikur e njohën Tajvanin (1949), sot, vetëm "17" prej tyre ende kanë marrëdhënie diplomatike me Tajpein. Ky rrezik mund ta goditë edhe Kosovën, edhe pse tani e njohin 100 shtete të OKBsë, nëse Prishtina zyrtare edhe më tej vazhdon dialogime me palën serbe të Beogradit në Bruksel a gjetkë. Së fundi, hedhja në "eterin" politiko-propagandistik dhe diplomatik ndërkombëtar e tezës se "Kosova është Tajvani i Serbisë", nuk është vetëm në funksion të mbrojtjes dhe të justifikimit të sovranitetit kolonial të Serbisë gjenocidale mbi Kosovën shqiptare(1912- 1999), por është edhe në favorin e mbrojtjes dhe të justifikimit të dy gjenocideve të tjera të saj, të kryera në Kroaci dhe në Bosnjë- Hercegovinë (1992-1995) në emër të rikrijimit dhe të rizgjerimit të Serbisë së Madhe, duke konsideruar se Knini, Dalmacia, Lika, Dubrovniku, Vukovari etj., të Kroacisë , si dhe territoret e tjera kroate-myslimane në BosnjëHercegovinë, "janë Tajvani i Serbisë". Derisa Serbia të mos jetë "përshëndetur" nga bagazhi i saj kolonialist në Kosovë dhe më gjerë, ligjërisht, nuk mund të jetë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ndryshe, nëse në doktrinën dhe në praktikën e OKBsë nuk "spastrohet" ky rast precedent i Serbisë kolonialiste dhe gjenocidale, atëherë, s'ka dilemë se brenda një kohe shumë të shkurtër, ashtu sikurse ndodhi dikur me Lidhjen e Kombeve, atë e presin ditë të zymta dhe të vështira të erozionit të saj, sepse në vend të drejtësisë, do të triumfojë politika fiktive e vendeve kolonialiste në Ballkan siç janë Greqia, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi, të cilat qe 100 vjet "flenë" në territoret indigjene të Shqipërisë etnike dhe të kombit shqiptar në Ballkan.

(Kosova Sot)