Aktakuza ndaj veteranëve - turpi i drejtësisë në Kosovë

Aktakuza ndaj veteranëve - turpi i drejtësisë në Kosovë
  • 18 September 2018 - 08:09
SHKRUAN: MUHAMET KELMENDI

Nuk është fjala te hetimet dhe paditë ndaj krimit dhe korrupsionit, apo për luftimin e krimit ndaj popullit tonë, por është fjala e sundimit të sistemit të drejtësisë në tërësi. Prokuroria është jashtë, e përsëris, jashtë sistemit. Gjykatat vendosin sipas urdhrave të regjimit dhe të grupeve kriminale mafioze dhe oligarkike. Mjafton të shikohet pasuria e prokurorëve dhe e gjyqtarëve për të konstatuar krimin në vendin tonë. Tërë ata prokurorë dhe gjyqtarë janë shumë të pasur. Si e krijuan pasurinë prokurorët dhe gjyqtarët? Ku i morën mjetet financiare? Si i ndërtuan shtëpitë dhe si i blenë banesat? Turp për këta njerëz! Dhe, në anën tjetër, ngritin padi ndaj veteranëve! I mbushin faqet e letrës me emra! Dhe kush e bënë këtë akuzë ndaj veteranëve? E bëjnë vetë të korruptuarit dhe ata që kurrë asnjë qindarkë për çlirimin e Kosovës nuk e kanë dhënë. E bënë Aleksandër Lumezi me klikën e Hoxhëve dhe të Millakëve, që e kanë mbushur sistemin tonë juridik.

Le të luftohen njerëzit e korruptuar
Njerëzit që e shfrytëzojnë lirinë, po për liri asnjë qindarke nuk e kanë dhënë. Këta e bëjnë këtë punë të ndyrë. Ky është kulmi i shtetit të Kosovës. Kështu nuk shkon më. Kriminelët dhe të korruptuarit janë ulur kudo në shtet. Vjedhin, keqpërdorin mjetet e popullit dhe i mbrojnë njëri-tjetrin, ndërsa vërsulën ndaj veteranëve gjoja korruptivë. I mbushin faqet me emra. Shumë prej tyre luftëtarë të zot dhe të respektuar. Le të luftohen njerëzit e korruptuar dhe të gjithë ata që janë të tillë. Po ku janë nxjerrë 20 mijë emra? Si mendojnë këta matrapazë që është çliruar vendi? Me lëngje dhe me ve! Është çliruar me konferenca dhe me gra nëpër shtëpi? Me raki dhe me uiski? Duke pirë duhan nëpër kafene dhe duke spiunuar? Jo ore të mjerë! Vendi ka pasur luftëtarë dhe veprimtarë të shquar. Ata luftuan për lirinë kombëtare dhe çlirimin e vendit tonë. 

Çfarë pasurie ka bërë klika politike në pozitë dhe opozitë?
Ju jeni kapur pas mafisë kriminale. Jeni bërë vetë kriminelë. Mbroni mafinë politike dhe tash vërsuleni drejt "hapësirës"! Ky shtet me këtë aktakuze thjesht ka falimentuar në çështjen e së drejtës. Si mundi Prokuroria gjoja që për një kohë kaq të shkurtër t'i vërtetojë me "fakte" dhe me "dëshmi" se 20 mijë veteranë gjoja janë të pavërtetë! Jeni "supermenë", o prokurorë? Nuk iu vjen turp. A nuk shihni se ky shtet mbi 100 milionë euro i paguan në vit për organet e shtetit serb në Kosovë! Pse nuk i akuzoni kriminelët serbë për këtë çështje të rëndë penale? Nuk keni " bythë". Pse nuk i akuzoni kriminelët e ulur në Presidencë, në Kuvend dhe në Qeveri të Kosovës? Pse nuk e akuzoni vetveten? Ku e morët pasurinë! Sa prej juve kanë punuar për shovinistët fashistë serbë? A nuk e vëreni se kush jeni! A nuk shihet se çfarë pasurie ka bërë klika politike në pozitë dhe opozitë? A nuk e vëreni mafinë kriminale dhe oligarkike ekonomike në Kosovë. Tërë Kosovën e paskllavëruar. Janë milionerë! Pse nuk i akuzoni. A nuk po dihet se mbi 70 milionë euro paguhen për pensionet që kanë punuar për shtetin serb deri në vitin 1999? Pse nuk i akuzoni! Turp. Kosovës i duhet një spastrim total i sistemit. Me njerëz të antivlerave të shtetit nuk ecën sistemi i shtetit ligjor.

(Kosova Sot)