Shtetasit e BE-së në Britani le të përgatiten për më të keqen

Shtetasit e BE-së në Britani le të përgatiten për më të keqen
  • 18 September 2018 - 08:16
Shkruan: WOLFGANG MUNCHAU 

Brexit na ka njohur me një anomali shqetësuese demokratike: qytetarët e BEsë jashtë vendit nuk lejohen të hedhin votën e tyre në zgjedhjet e përgjithshme ose në një referendum në vendin e tyre mikpritës. Ky rregull shkel parimin "asnjë taksim pa përfaqësim" Rruga më e lehtë drejt çmendurisë është ngarkesa e kokës me të gjitha gjërat e mundshme. Por, disa gjëra janë të vlefshme për t'u përgatitur për to, sikur që është një Brexit i vështirë, pa marrëveshje. Kam frikë se shumë nga bashkëqytetarët e mi të BE-së në Britaninë e Madhe nuk janë të përgatitur për rastin më të keq, dhe disa madje as për të mirin. Problemet tona janë të lidhura ngushtë me statusin e çuditshëm ligjor që gëzojmë, që rrjedhin nga të drejtat e garantuara të BE-së për lirinë e lëvizjes. Brexit na ka njohur me një anomali shqetësuese demokratike: qytetarët e BE-së jashtë vendit nuk lejohen të hedhin votën e tyre në zgjedhjet e përgjithshme ose në një referendum në vendin e tyre mikpritës. Ky rregull shkel parimin "asnjë taksim pa përfaqësim". Megjithatë, na lejohet të votojmë në vendin e shtetësisë sonë, ku kemi përfaqësim pa tatime. Brexit nuk do ta ndryshojë këtë çmenduri, por do ta sjellë atë në fokus të mprehtë. Siç kam shkruar pak pas referendumit, rreziku për ne nuk është deportimi, por diskriminimi.

Rreziqet e diskriminimit
Drafti i marrëveshjes për të drejtat e qytetarëve të BE-së është mjaft i mirë. Por, ende mund të ketë diskriminim. Qeveria e Britanisë së Madhe, për shembull, po shqyrton radhët e posaçme 'të shpejta' për bartësit e pasaportave britanike. Nëse keni parë ndonjëherë radhën e gjatë të njerëzve që presin në kolonën e "pasaportave të tjera" në terminalin e aeroportit "Heathrow", atëherë mund ta merrni me mend se çfarë ju pret. Dhe, nëse nuk do të ketë ndonjë marrëveshje, rreziqet e diskriminimit rriten. Qeveria e tanishme britanike mund të pajtohet që të respektojë atë për çka kanë rënë dakord gjatë negociatave. Unë shpresoj se ata do ta bëjnë këtë. Por, kushedi se çfarë do të bëjë qeveria tjetër? Nëse do të ketë një Brexit të vështirë, statusi afatgjatë i shtetasve të BE-së, sipas përkufizimit, do të jetë i pasigurt. Në fund të vitit 2017, në Mbretërinë e Bashkuar jetonin 3,8 milionë qytetarë të BE-së. Avokati im i imigracionit më thotë se shumë prej tyre kanë pranuar këshillën e Zyrës së Brendshme që ta shtyjnë kërkesën për qëndrim të përhershëm, derisa të jetë gati një sistem i ri pas Brexitit. Ne pastaj do të konsiderohet se kemi "zgjidhur statusin", një term që më bën të ndihem dukshëm në siklet. Procedura e tanishme për qëndrim të përhershëm është me të vërtetë e rëndë. Formulari i aplikimit ka deri në 85 faqe dhe vazhdon të ndryshojë gjatë gjithë kohës. Ju mund të keni nevojë për një avokat për t'iu përgjigjur disa pyetjeve mashtruese. Unë kam. Por, nëse i plotësoni kërkesat ligjore dhe nëse nuk ju shqetësojnë pritja dhe shpenzimet, atëherë duhet të aplikoni tani. Nëse prisni deri pas Brexitit, atëherë do të bashkoheni me pothuajse 4 milionë njerëz të tjerë në atë që mund të bëhet radha më e gjatë e pritjes në histori. Pritja në radhë, siç mund ta shihni, do të bëhet pjesë e madhe e jetës suaj. Mësohuni për të. Ata që duan të qëndrojnë vetëm për disa vjet nuk përballen me një vendim të rëndë. Por, ata që kanë ndërmend të qëndrojnë më gjatë kanë vetëm një zgjedhje që u garanton atyre një të ardhme pa diskriminim: të marrin nënshtetësinë britanike. Mark Carney, guvernator i Bankës së Anglisë dhe shtetas i Kanadasë, është nisur asaj rruge. Por, ai tashmë është në një pozicion shumë më të mirë, sepse qytetarët e Komonveltit lejohen të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar

Londra, qyteti i gjashtë më i madh i Francës për shkak të numrit të madh të banorëve francezë
Për ne evropianët, shtetësia është një gjë edhe më e rëndësishme, sepse do të zgjidhte problemin tonë të taksimit pa përfaqësim. Ashtu siç ka treguar vetë referendumi Brexit, e drejta për të votuar mund të jetë kritike. Sikur shtetasit e BE-së në Mbretërinë e Bashkuar të kishin qenë në gjendje të votonin gjatë referendumit të vitit 2016, ata mund ta kishin ndryshuar rezultatin e referendumit, në dobi të mbetjes së Britanisë në BE. Për një çështje politike që kishte rëndësi më të madhe për ne, nuk kishim asnjë të drejtë të vendosjes. Ka njerëz që pretendojnë të flasin në emër tonë. Disa prej tyre kanë qëllim të mirë, por jo të gjithë veprojnë në interesin tonë. Qytetarët e BE-së duhet të jenë të kujdesshëm ndaj mbështetësve ultra-të fortë të mbetjes së Britanisë në BE, atyre që duan të votojnë kundër një traktati të daljes, me synimin për të detyruar një referendum të dytë. Ky është një bixhoz i rrezikshëm. Një anulim konsensual, i qetë i Brexitit do të ishte i mrekullueshëm, por gjasat për një gjë të tillë janë zero. Një anulim i dhunshëm i Brexit është disi më i mundshëm, dhe definitivisht nuk është në interes të qytetarëve të BE-së. Por, deri tani, pasoja më e mundshme e një traktati tërheqjeje të refuzuar është thjesht një Brexit pa marrëveshje. Qytetarët e BE-së nuk mund të kenë interes racional që të marrin parasysh mosmarrëveshje të tilla të dobëta. Një Brexit i rënë dakord mund të mos jetë ajo që ne dëshironim, por është superior ndaj një Brexiti të vështirë, jo më pak sepse ai u jep shumicës dërrmuese të qytetarëve të BE-së një perspektivë të qëndrueshme afatgjatë. Qytetarët e BE-së nuk janë krejtësisht të pafuqishëm, pasi kemi të drejtë të votojmë në vendet tona të origjinës. Londra konsiderohet të jetë qyteti i gjashtë më i madh i Francës për shkak të numrit të madh të banorëve francezë. Një nga arsyet pse qeveritë e BE-së tani janë duke thënë se ata duan një marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuar është se ka votues këtu për t'u tallur. Unë shpresoj që Britania e Madhe dhe BEja do ta arrijnë një marrëveshje. Dhe, Dhoma e përfaqësuesve do ta ratifikojë atë. Por, ekziston një rrezik i konsiderueshëm për dështim. Kjo ia vlen që të përgatitemi për të. 

(Kosova Sot)