Amoraliteti i Boris Johnson-it dhe Donald Trump-it

Amoraliteti i Boris Johnson-it dhe Donald Trump-it
  • 19 September 2018 - 08:17
Shkruan: CHRIS PATTEN

Në një konferencë për shtyp të vitit 2013, papa Françesk, atëherë i sapoinaguruar, tha se kur vjen puna te orientimi seksual, përfshirë aktet e shkuara homoseksuale, "kush jam unë të gjykoj?" A duhet të kemi të njëjtën qasje jogjykuese ndaj sjelljes personale në të shkuarën të liderëve tanë politikë? Çështja është shumë e rëndësishme sot në SHBA dhe Britani. Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili tashmë ka arritur në majat e pushtetit politik në vendin e tij dhe ish-sekretari i jashtëm i Britanisë, Boris Johnson, i cili aspiron të vazhdojë të përparojë më tej, kanë të përbashkët jo vetëm nacionalizmin, por edhe paaftësinë e tyre për të kontrolluar orekset seksuale. Marrëdhëniet jashtëmartesore të Trumpit janë të ditura, pavarësisht pagesave që synonin të blinin heshtjen e partnereve të tij seksualë, sikur që është aktorja e filmave pornografikë dhe striptizja e njohur, Stormy Daniels. Edhe pse Trump nuk është i vetmi president amerikan me një histori të gjatë të tradhtisë bashkëshortore, ai është i veçantë për të folurin e ashpër për gratë, përfshirë komentin famëkeq, "futini duart", të ekspozuar gjatë fushatës së tij.

Johnson ka disa aftësi retorike
Sa i përket Johnsonit, qarkullojnë zëra se gruaja e tij e dëboi nga shtëpia për shkak të një marrëdhënieje jashtëmartesore. Edhe pse është zor të thuash se kjo është hera e tij e parë - as e para herë që i vënë shkelmin - ka pyetje tani nëse kjo mund të dëmtojë ambicien e tij politike - që shumë besojnë se ishin arsyeja pse ai veproi si lider i fushatës për të larguar Britaninë nga BE-ja. Por, a është gjë e mirë të gjykosh liderët politikë bazuar në jetën e tyre seksuale, siç shumë duan të bëjnë disa? Përgjigjja sipas meje është jo. Sigurisht, veprimet si ngacmimi seksual apo sulmi duhet të ndikojnë në vlerësimin tonë për një lider. Por, ndërsa Trump është përballur me akuza të tilla, kjo nuk mund të thuhet për Johnson-in. Dhe së fundmi, ne nuk zgjedhim njerëz në politikë sepse duam që ata të veprojnë si ruajtës të përkufizimeve tona subjektive, të ndryshme dhe në evoluim për moralin. Dikush, i cili nuk ka qenë besnik ndaj partnerit të vet mund të jetë një lider i aftë, ashtu sikurse një grua apo një burrë besnik që mund të jenë të paaftë. Për më tepër ka shumë probleme të tjera me lidershipin e Trumpit dhe Johnsonit, i cili dha dorëheqjen nga posti i sekretarit të jashtëm në korrik, për shkak të kundërshtimit për të bërë kompromise gjatë negociatave të daljes nga BE-ja. Edhe pse Johnson ka disa aftësi retorike - që ai i ka përdorur me energji për të shpallur mbështetjen për një "Brexit të fortë" - pikëpamja e përgjithshme ishte se ai ishte një diplomat i pashpresë, që preferonte më shumë një shaka të pakripë sesa një analizë serioze të situatës. Gjatë ditëve të tij si sekretar i jashtëm, Johnson ishte thuajse një turp i përditshëm për Britaninë, duke bërë gafë pas gafe dhe duke i shastisur miqtë e huaj të Britanisë. Që nga largimi prej pozicionit, Johnson nuk është ndrequr. Vetëm muajin e shkuar, bëri deklaratën islamofobike se gratë myslimane që mbajnë ferexhe ngjajnë si "hajdute bankash" dhe "kuti postare". Menjëherë pas kësaj, Johnson e përshkroi pozicionin e May-it në negocimin me BE-në si mbështjellje "jeleku vetëvrasës rreth kushtetutës britanike" dhe dorëzimin e detonatorit te BE-ja. Komenti ishte i pashije, edhe prej faktit se të paktën 22 persona (përfshirë fëmijë) u vranë nga një kamikaz në një koncert në Mançester vitin e kaluar. Deklarata të tilla nuk i shkojnë një lideri politik britanik, ashtu si shumë nga komentet raciste dhe ofenduese (pa përmendur veprimet) që ka bërë Trump. Por, dështimet e këtyre liderëve shkojnë më thellë. Për t'i kuptuar ato, duhet të shohim tre liderë me peshë që vdiqën këtë verë: ish-sekretarin e OKB-së, Kofi Annan, ishsekretarin e jashtëm britanik dhe ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Peter Carrington dhe senatorin amerikan John McCain.

Kombinimi i nderit dhe angazhimit
Duke qenë se kam punuar me Annanin dhe për Carringtonin, mund të garantoj për madhështinë, nderin dhe angazhimin e tyre ndaj së vërtetës. McCain kishte të njëjtat cilësi, pa përmendur një nivel personaliteti të guximtë përtej asaj që pritet nga shumica prej nesh (Carrington ishte gjithashtu një hero lufte). Kombinimi i nderit dhe angazhimit ndaj së vërtetës së këtyre liderëve - dy cilësi që janë të lidhura pashmangshmërisht - nuk gjendet askund te Trump apo Johnson. Askush nuk do të sugjeronte se liderët politikë duhet t'i përgjigjen çdo pyetjeje që i japin me sinqeritet të thellë. Kjo do të thoshte të presësh përtej asaj që është normale. Përballja me situatat e përditshme kërkon ndonjëherë të përdorësh një gjuhë që e kishte sekretari britanik i kabinetit, Robert Armstrong, e cila ishte disi ekonomike ndaj të vërtetës. Por, ka një dallim të madh mes ekonomizimit, që me siguri e kanë bërë dhe liderët e nderuar si McCain dhe Carrington, dhe të qenët një gënjeshtar serik, siç është rasti me Trumpin dhe Johnsonin. Trump zakonisht thotë çfarëdo që është në interesin e tij afatshkurtër, megjithëse ndonjëherë duket se ai nuk e di se ç'është e vërteta. Edhe avokati i tij është cituar ta ketë quajtur atë një gënjeshtar. Megjithatë mungesa e ndershmërisë te Trump është më e thellë: platforma e tij politike nacionaliste bazohet te nocioni i rremë se Amerika duhet të jetë madhështore sërish. Megjithatë, Amerika ishte madhështore përpara Trumpit dhe sjelljes së tij - marrëveshjet e çuditshme ndërkombëtare, tallja me aleatët dhe ndërmarrja e masave proteksioniste ndaj tregtisë - vetëm sa e dëmtojnë atë madhështi duke zvogëluar fuqinë diplomatike. Një demokraci e shëndetshme varet në një shkëmbim i ndershëm idesh dhe mendimesh, ndaj një sfondi të respektit të përbashkët për faktet dhe të vërtetën. Rasti moral ndaj Trump dhe Johnson nuk është se ata kanë qenë të pandershëm ndaj grave të tyre, por se ata i pasqyrojnë këto kushte duke gënjyer pa u lodhur ndaj njerëzve që supozohet t'i përfaqësojnë.

(Kosova Sot)