Deri kur drejtësia në Kosovë do të funksionojë sipas ligjit?!

Deri kur drejtësia në Kosovë do të funksionojë sipas ligjit?!
  • 21 September 2018 - 08:10
SHKRUAN: BISLIM ALIU

Me të vërtetë Kosova jonë e dashur po vuan e po vuan çdoherë e më tepër prej parregullsive, padrejtësive, joligjshmërisë, jodemokracisë dhe fare nuk sundon ligji dhe drejtësia. Pra, kemi ardhur në një "mat pozicion", ku na ka humbur totalisht "udha në oborr". Me të vërtetë dhe fare nuk po e kuptoj se si gjithnjë, ama gjithnjë, po vazhdon të funksionojë "drejtësia" kosovare përmes sekseromanisë dhe interferimit e trafikimit të drejtësisë? Dhe, për këtë, vazhdimisht po merren paratë e korrupsionit përmes sekserëve që vazhdimisht shpërndahen te gjyqtarët, prokurorët, hetuesit dhe avokatët? A thua, a do të ndalet ndonjëherë kjo skemë mafioze që e rrënoi tërësisht drejtësinë kosovare?! Në këtë drejtim prokuroria dhe as policia fare nuk i hetojnë rastet e mijëra të inkriminuarve në institucionet e Kosovës, duke filluar nga niveli qendror e deri tek ai lokal. Dhe, mu për këtë, prokuroria nuk ka arritur që ta zërë asnjë "peshk të madh" nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, të cilët janë bërë milionerë të mëdhenj në kurriz të këtij populli shumë të varfër. Ata gjithnjë udhën e kanë të hapur dhe bëjnë çdo gjë, e drejtësia dhe ligji për ta sikur nuk ekziston fare?! Dhe, për këtë, në Kosovë fare nuk ka shans pa paguar"haraçin" të marrish as leje ndërtimi, as licencë aktiviteti në asnjë veprimtari të rëndësishme ekonomike apo vendime administrative, sinë nivelin lokal po ashtu edhe në atë qendror, edhe pse ligjet shumë qartë i obligojnë për këtë?

A do të funksionojë drejtësia në Kosovë sipas ligjeve?
Me të vërtetë është e pakuptueshme dhe fare e paligjshme që drejtësia në Kosovë nuk funksionon sipas ligjeve dhe e pavarur! Dhe, si bëhet vallë që ajo të dirigjohet vetëm nga politikanët dhe të veprojë vetëm sipas "tekeve" të tyre? Andaj, për këtë, prokuroria nuk ka arritur gjer më tani që ta zërë asnjë "peshk të madh" dhe ta dënojë sipas ligjit. Sigurisht prokuroria nuk vepron kundër emrave të mëdhenj të pushtetit, andaj i lë që të "mrizojnë" dosjet e tyre në prokurori. Para ligjit të gjithë jemi njësoj, e pse vallë në prokurori po bëhen këso ndasi?! Interesant prokuroria ata nuk i heton, edhe atëherë kur qytetarët me fakte reale i denoncojnë, e prokuroria më kot, ata vetëm sa u dalin në mbrojtje dhe as që u bie ndërmend që të ngritë aktakuza ndaj tyre? Për këtë, prokuroria nuk ka guxim që të sjellë para drejtësisë mafio-oligarkët që afro 10 vjet po mbajnë vazhdimisht monopol kriminal, duke shkelur vazhdimisht Kushtetutën dhe të gjitha ligjet në fuqi?!

Çfarë mesazhesh dha ambasadori amerikan në largim?
Më në fund ambasadori amerikan në largim, Delavie, ka kritikuar pak më ashpër politikanët, duke i thënë atyre që të qëndrojnë sa më larg proceseve gjyqësore. Pra, ta lënë drejtësinë që të veprojë e pavarur. Dhe u dokumentua edhe një herë se me të vërtetë është problem i madh i Kosovës ndërhyrja e përditshme dhe e përhershme e politikës në sistemin e drejtësisë, pra në gjyqësor, polici dhe në prokurori? Dihet fare mirë se prokuroria me ligj duhet të jetë vetë në krye të hetimeve, megjithatë kjo asnjëherë nuk po ndodh në Kosovën tonë?! Andaj, pyetemi shpeshherë, a thua, deri kur prokuroria jonë do të funksionojë dhe të veprojë sipas ligjeve dhe të jetë plotësisht e pavarur? Apo, edhe më tej do të vazhdojë që të udhëhiqet nga politikanët tanë të shantazhuar me krim dhe korrupsion të vazhdueshëm? Pa drejtësi të mirëfilltë, rend dhe ligj gjithmonë në Kosovën tonë do të ketë padrejtësi dhe joligjshmëri?!

(Kosova Sot)