Moment i ri për Ballkanin

Moment i ri për Ballkanin
  • 23 September 2018 - 08:11

Shkruan: Javier Solana 

Derisa vjeshta vjen në Evropë, është koha që të vilen frytet e punës së vështirë diplomatike në Gadishullin Ballkanik. Më 30 shtator, ishRepublika jugosllave e Maqedonisë (IJRM, apo anglisht FYROM) do ta mbajë një referendum konsultativ, i cili mund të çojë deri te ndryshimi i emrit të vendit, në "Republika e Maqedonisë veriore". Kjo nuk është thjesht, çështje gjuhësore. Nëse referendumi kalon, ai mund t'iu japë fund 27 viteve grindjeje mes qeverive maqedonase dhe asaj greke. Greqia kundërshton me forcë përdorimin nga fqinjët e saj verior të emrit "Maqedonia", pa një specifikim, sepse një rajon në Greqi mban të njëjtin emër. Për më tepër, mbretëria e lashtë e Maqedonisë ka rëndësi të madhe kulturore dhe historike për grekët e sotëm. Nëse një pjesë e madhe e elektoratit maqedonas del dhe voton në mbështetje të ndryshimit të emrit dhe çështjeve të lidhura, ndryshimet kushtetuese të kërkuara do të kenë më shumë gjasa të kalojnë në parlamentin e Maqedonisë. Në këtë rast, fjala e fundit do të shkonte në parlamentin e Greqisë, i cili gjithashtu do të duhej të votonte për ndryshimin.

Dialogu ndërmjet Serbisë e Kosovës

Për shkak të mosmarrëveshjes për emrin, Greqia ka bllokuar IRJM-në (një referencë e përkohshme e përdorur që nga viti 1993) nga hyrja në BE dhe NATO. Por, tre muaj më parë, qeveritë maqedonase dhe greke arritën në fund një marrëveshje për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tyre dypalëshe. Implikimet e asaj çka janë pajtuar janë të dukshme në formulimin e çështjes së referendumit maqedonas: "A e mbështesni anëtarësimin në BE dhe NATO duke pranuar marrëveshjen mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?" Federica Mogherini, përfaqësuesja e lartë e BE-së për punët e jashtme dhe politikën e sigurisë dhe Mathew Nimetz, i dërguari personal i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për mosmarrëveshjen e emrit, kanë luajtur rol kyç në sigurimin e suksesit të negociatave. Nimetz, i cili së pari filloi të punojë për këtë çështje në vitin 1994, ka paralajmëruar se yjet diplomatikë së shpejti nuk do të rreshtohen aq mirë përsëri. Në kohën e nacionalizmit të ringjallur, "Marrëveshja e Prespës" - e quajtur nga liqeni që kalon kufijtë e Greqisë, IRJM-së dhe Shqipërisë - është frymë e ajrit të freskët. Kryeministri maqedonas Zoran Zaev dhe homologu i tij grek Alexis Tsipras kanë shfaqur guxim dhe udhëheqje të përgjegjshme për të përfunduar marrëveshjen. Të dy kanë pasur për të shpenzuar një pjesë të madhe të kapitalit politik, duke u përballur me forcat kombëtare nacionaliste dhe duke u përballur me mocionet e mosbesimit të udhëhequr nga partitë e opozitës. Marrëveshja e Prespës ofron një model të qëndrueshëm për adresimin e mosmarrëveshjeve diku tjetër, sepse ajo përmban një qasje gjithëpërfshirëse të zgjidhjes së konflikteve bazuar në premtimin e përfitimeve afatgjata të përbashkëta. Për shembull, një nga artikujt e saj thotë se "në epokën e revolucionit të ri industrial [...] thellimi i bashkëpunimit midis shteteve dhe shoqërive është i nevojshëm tani më shumë se kurrë, veçanërisht në lidhje me aktivitetet shoqërore, teknologjitë dhe kulturën." Kjo deklaratë e palëve të cilat për një kohë të gjatë patën mosmarrëveshje, paraqet një frymëzim për një rajon që mbetet i ngatërruar në mosmarrëveshjet e komplikuara mbi identitetet etnike dhe kombëtare. Ballkani - dhe jo vetëm Ballkani - kanë nevojë për një tregim të ri të bazuar në prioritetet reale të njerëzve, gjë që është pikërisht ajo që parashikon Marrëveshja e Prespës. Siç duket, një tjetër mosmarrëveshje e ngrirë në rajon së shpejti do të mund të shkrihej sa duhet për të lëvizur drejt një zgjidhjeje. Në vitin 2011, BE-ja filloi një dialog mes Serbisë dhe Kosovës që ka prodhuar përfitime të konsiderueshme në aspektin e lirisë së lëvizjes, tregtisë, mundësive ekonomike, sigurisë, drejtësisë, lidhjes dhe shumë gjërave të tjera.

Kujdesi dhe modelimi

 Përkundër këtij normalizimi gradual të marrëdhënieve dypalëshe, mosmarrëveshja themelore midis dy vendeve mbetet e pazgjidhur. Të dyja palët janë shumë të vetëdijshme se status quo nënkupton një kosto të lartë, duke penguar ofertat e tyre të pranimit në BE dhe duke imponuar një barrë të paqëndrueshme ndaj ekonomive të tyre përkatëse. Duke punuar me Mogherinin, presidenti Aleksandar Vuçiq i Serbisë dhe Hashim Thaçi i Kosovës kanë përshpejtuar negociatat e tyre gjatë muajve të fundit, me qëllim arritjen e një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjore. Natyrisht, nuk është e drejtë e BE-së të diktojë kushtet e zgjidhjes së konfliktit dhe është e qartë se pronësia lokale do të jetë çelësi për çdo marrëveshje që mund të dalë nga procesi. Në këtë fazë të dialogut, është thelbësore që mbizotëron kujdesi dhe moderimi. Trashëgimia politike e Vuçiqit dhe Thaçit në masë të madhe do të varen nga gatishmëria e tyre për të formuluar një propozim realist që përputhet me vlerat themelore të BE-së. Të dy liderët kanë një mundësi për të larguar pozicionet maksimale dhe për të rivalizuar shkathtësinë e qeverive greke dhe maqedonase. Më pak premtuese është situata në Bosnje dhe Hercegovinë, ku zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen më 7 tetor, pavarësisht faktit se vendi aktualisht nuk ka një ligj zgjedhor efektiv. Duke qenë e bllokuar në një grindje territoriale dhe administrative që nga fundi i luftës më 1995, Bosnja është një vend jashtëzakonisht i vështirë për t'u qeverisur. Etnocentrizmi vazhdon të dominojë politikën e saj dhe gara e tanishme zgjedhore nuk bën përjashtim. Për t'i ndërlikuar çështjet më tej, politikanit separatist Milorad Dodik, i cili vetëm shërbeu në mandatin e tij të fundit si president i Republika Srpska (një nga dy njësitë kryesisht autonome në të cilat vendi është ndarë), ka marrë vendimin shqetësues për të kandiduar për presidencën trepalëshe të Bosnjës. Le të shpresojmë që shpirti më konstruktiv që përshkon pjesën tjetër të rajonit përfundimisht të dalë në pah dhe se iniciativat ndëretnike të fitojnë intensitet, pasi që një gjë e tillë është mbështetur nga një pjesë e madhe e shoqërisë civile boshnjake. Pa dyshim se dekadat e fundit kanë sjellë më shumë frustrim sesa përparim në Ballkan. Por, në qoftë se Marrëveshja e Prespës tregon ndonjë gjë, ajo është se asnjë konflikt nuk është i pazgjidhshëm kur ekziston kreativiteti diplomatik dhe vullneti politik. Nëse javët e ardhshme vendimtare përfundojnë mirë, një rajon që u shkatërrua nga nacionalizmi në fund të shekullit të kaluar, tani mund të sfidojë goditjen globale të sotme drejt shovinizmit. Në një kohë kur kaq shumë vende duket se duan të ndërtojnë mure, do të ishte ironike dhe thellësisht e kënaqshme ta shohësh Ballkanin duke ndërtuar ura.

(Javier Solana është president i Qendrës "ESADE" për ekonomi globale dhe gjeopolitikë dhe bashkëpunëtor i Institutit "Brookings")

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

 

(Kosova Sot)