Izraeli përcaktohet për identitet, në dëm të demokracisë

Izraeli përcaktohet për identitet, në dëm të demokracisë
  • 24 September 2018 - 07:58
Shkruan: Shlomo Ben-Ami

L igji i ri izraelit i "shtetit kombëtar" thekson se "e drejta për ushtrimin e vetëvendosjes" në vend "i takon vetëm popullit hebre"; cakton hebraishten si gjuhë zyrtare të vendit dhe përcakton "vendbanimet koloniale çifute si vlerë kombëtare" të cilat shteti do të punojë t'i zhvillojë. Liberalët e kritikojnë këtë ligj për shkak se cenon të drejtat qytetare të pakicës arabe. Por, ai mund ta dobësojë demokracinë izraelite në një mënyrë edhe më tinëzare. Ligji i ri - lëvizja e fundit në drejtimin e pamatur nga koalicioni i ekstremit të djathtë të Kryeministrit Binyamin Netanjahu për ta kthyer Izraelin në një demokraci të paligjshme - bie në kundërshtim me Deklaratën e Pavarësisë të vitit 1948 dhe Ligjin Bazë të vitit 1992: Dinjiteti dhe Liria e Njeriut. Të dyja garantojnë të drejtat individuale të të gjithëve, hebrenjve dhe arabëve.

Diskriminimi i arabëve
Megjithatë, në praktikë, qeveria izraelite ka sfiduar ato norma ligjore për një kohë të gjatë. Ndërsa izraelitët arabë mund të jenë teknikisht të barabartë me izraelitët hebrenj, kjo nuk e ka ndaluar qeverinë që t'i diskriminojë ata. Për shembull, shumica e tokës shtetërore mbahet në besim për popullin hebre. Po kështu, shumë kohë përpara se ligji i ri të vendoste se qeveria izraelite do të "punonte për të nxitur dhe promovuar" "krijimin dhe zhvillimin" e vendbanimeve hebraike, qeveria po bënte pikërisht këtë. Asnjë fshat i ri arab - aq më pak ndonjë qytet - nuk është krijuar që nga themelimi i shtetit të Izraelit 70 vjet më parë dhe fshatrat e vjetra nuk kanë programe planifikimi dhe urbanizimi. Kjo është arsyeja pse ndërtimi i paligjshëm është kaq i zakonshëm në fshatrat arabe. Për më tepër, një sërë ligjesh izraelite tashmë e përcaktojnë në mënyrë eksplicite dhe implicite Izraelin si një shtet hebre, një përkufizim me të cilin pajtohet bashkësia ndërkombëtare. Plani i ndarjes, i OKB-së vitit 1947 e definon Izraelin si shtet të popullit hebre. Dhe, procesi i paqes izraelito-palestinez ka qenë prej kohësh bazuar në parimin se palestinezët duhet të ushtrojnë të drejtën e tyre për vetëvendosje kombëtare në një shtet të veçantë në anën tjetër të kufijve të para vitit 1967.Shumica e hebrenjve izraelitë besojnë se duhet të ketë kufizime ndaj ndikimit politik të homologëve të tyre arab, me "vendime vendimtare kombëtare", të tilla si vetëvendosja, e cila duhet t'i lihet një shumice hebraike. Kjo është arsyeja pse ishkryeministri Yitzhak Rabin, i cili e bëri investimin social në komunitetet arabe një prioritet kombëtar, rezistoi që të kalimin e Marrëveshjeve të Oslos ta bënte të varur nga mbështetja parlamentare arabe. Pavarësisht gjithë kësaj, që nga viti 2017, mbi 60% e izraelitëve arabë raportuan se Izraeli është një vend i mirë për të jetuar (krahasuar me 64% në 2015) dhe 60% prej tyre se do të jetonin më parë në Izrael se sa në çdo vend tjetër në botë (nga 58.8% në vitin 2015). Për më tepër, në vitin 2012, 60% e izraelitëve arabë raportuan se e pranojnë Izraelin si shtet me shumicë hebraike, me karakteristika zyrtare hebraike, siç është gjuha hebraike si gjuhë zyrtare dhe me ditën e shtunë të pranueshme si ditë pushimit. Nëse ligjet e të shtetit kombëtar tashmë ishin në fuqi dhe përgjithësisht të pranuara nga popullata, përse të miratoheshin ato fare? Shpjegimi i qartë qëndron në faktin se, ashtu si presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe udhëheqësit populistë anembanë Europës, Netanjahu grumbullon kapital politik duke u apeluar instinkteve themelore fisnore të popullsisë.

Netanjahu përdor retorikë ultra-nacionaliste
Me retorikën ultra-nacionaliste dhe anti-arabe, Netanyahu manipulon izraelitët në besimin se ata janë nën kërcënim, fizikisht, demografikisht dhe madje ekzistencialisht, duke i vendosur ata kundër bashkatdhetarëve të tyre arabë. Ai fitoi zgjedhjet e vitit 2015 pasi kishte paralajmëruar se arabët po shkonin në qendrat e votimit "në kope". E gjithë kjo, së bashku me krizën e procesit të paqes, i ka bindur shumicën e izraelitëve se vendi i tyre nuk mund të jetë edhe hebre, edhe plotësisht demokratik. Pra, ata kanë pranuar erozionin e vlerave demokratike që Netanyahu ka mbikëqyrur, duke përcaktuar se ata duhet të vënë identitetin në rend të parë. Duke pasur parasysh këtë, ndoshta nuk është befasuese që njohja e legjitimitetit të Izraelit si shtet hebraik dhe demokratik nga arabët e Izraelit ra nga 53.6%, sa ishte në vitin 2015, në 49.1% vetëm dy vjet më vonë. Por, ligji i shtetit kombëtar nuk është vetëm një mjet tjetër për akumulimin e kapitalit politik në mesin e një elektorati në rritje të identitetit. Ka një tjetër motivim në lojë - një që paraqet një kërcënim edhe më serioz për demokracinë izraelite. Izraeli është një ekonomi e begatë dhe e avancuar, por është e ndërtuar në një treg pune që është shumë i vogël. Izraelitët arabë, megjithatë, përfaqësojnë një burim të konsiderueshme të fuqisë punëtore (ashtu si bashkësia ortodokse hebraike, ndër të cilët shkalla e pjesëmarrjes së fuqisë punëtore është shumë më e ulët se sa mes hebrenjve laikë). Për të avancuar interesin e tij për integrimin ekonomik dhe social të izraelitëve arabë, në dhjetor të vitit 2015 qeveria izraelite miratoi një plan me të vërtet historik pesëvjeçar.

Rritja e numrit të akademikëve arabë
Gati tre vjet më vonë, integrimi i izraelitëve arabë po përparon shumë shpejt. Sipas Indeksit të Izraelit të Demokracisë të vitit 2017 të marrëdhënieve araboizraelite, 70% e arabëve të Izraelit flasin rrjedhshëm hebraisht dhe 77% nuk janë të interesuar të ndahen. Për më tepër, Amal Jamal i Universitetit të Tel Aviv ka theksuar rritjen e vazhdueshme të numrit të akademikëve arabë në Izrael dhe shfaqjen e një klase të mesme arabe në vend. Kjo shkon, sipas tij, me një rritje në ndjenjat kombëtare. Ky është vendi ku vjen në shprehje ligji i shtetit kombëtar. Integrimi dhe prosperiteti në rritje i izraelitëve arabë i fuqizon ata që të largohen nga politikat diskriminuese. Megjithatë, me ligjin e shtetit kombëtar, mbështetja e tyre ligjore do të jetë i kufizuar.Por, kjo mund të jetë jo vetëm çështje e heshtjes së një pakice gjithnjë e më të fuqishme; Qeveria e Izraelit mund të jetë duke përgatitur terrenin për ta shtypur shumicën arabe që do të dilte nëse (ose kur) ajo anekson territoret e okupuara palestineze. Në këtë kuptim, ligji i shtetit kombëtar është një lloj mbrojtjeje ndaj politikave ekspansioniste të qeverisë dhe një goditje potencialisht shkatërruese ndaj demokracisë izraelite. Me zgjidhjen me dy shtete pothuajse të vdekur, Izraeli ka vendosur që identiteti i tij hebre është më i rëndësishëm se demokracia e tij. Kjo do të jetë e keqe jo vetëm për qytetarët e saj arabë, por në fund edhe për izraelitët hebrenj.

(Kosova Sot)