Kush i ka gërshërët?

Kush i ka gërshërët?
  • 25 September 2018 - 07:45
SHKRUAN: ESAD DUJAKA 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në rrugë për Nju- Jork, ndaloi në Vjenë ku u takua me presidentin e Austrisë, Aleksandër Van der Bellen. Ani pse agjencitë nuk raportuan, lajmin e plasoi si zakonisht e intensivisht, siç është mësuar ta bëjë përherë presidenti ynë, shpejt e shpejt në faqen e vet në FCB, madje interesant pa asnjë gabim gjuhësor! Pasi lajmi ishte i shkruar shpejt e shpejt, ndoshta në avion rrugës mbi Oqean duke shkuar te Trumpi i nderuar, ky presidenti ynë, që dha aq shumë e krejt çka pati për Kosovën e lirë e të pavarur e të hapur nga të katër anët (e jo si Rugova - vetëm nga Shqipëria e Serbia), nuk na e tha asnjë fjalë se si e priti homologu austriak idenë zulmmadhe për "korrigjim të kufirit" e as për "dhuratat e Rankoviqit"... Po ma merr mendja se z.Van der Bellen nuk merret me kufij të Ballkanit, pasi ai si president është zotëri në postin e nderit dhe se e kryen punën e vet që ia ka caktuar kushtetuta e vendit dhe nuk hyn lakrave...Austriaku i urtë dhe i mençur, është figurë unifikuese, reprezentative, kurse ata të tjerët, që nga kancelari e qeveria, i kryejnë punët më të rënda dhe më me përgjegjësi... 

Shqipëria e marihuanizuar për tërë Evropën
Po nejse, Austria është shtet me tradite qindra vjeçare dhe kur dëgjon për "korrigjime të kufijve" në Ballkan habitet dhe e ka të vështirë t'ia qëllojë saktësisht kush me kënd po luan këtu, apo dy liderë ballkanas luajnë me ndjenjat e popujve të vet, duke mos ua thënë asnjëherë të vërtetën lakuriqe, sado e dhembshme që mund të jetë. Pra, në Ballkan (nga Danubi e tutje teposhtë) këto kohëve të përçudshme mund të biesh në mbrëmje në gjumë shëndoshë e mirë, por në mëngjes të zbardhë drita në një shtet tjetër, me ushtarë të huaj e me president që nuk e flet gjuhën tënde... Avioni me presidentin tonë, që e kapërceu Oqeanin, me presidentin tonë që e ka bërë mendjen një të bëjë paqe me Serbinë me çdo kusht, duke "qepur" kufij të rinj së bashku me Beogradin, sigurisht se ai dhe këshilltarët e tij shumë të zotët që i ka, ia kanë përgatitur një fjalim të zjarrtë, kuptimplotë, diplomatik fund e krye, që do ta hutojë edhe vetë presidentin amerikan Donald Trump, e cili do t' ia rrahë krahun e majtë, apo të djathtin, kjo s'ka rëndësi dhe do t'i thotë djalit nga Broja, edhe këto (anglisht): " "Korrigjoni zotëri , e qepni kufij se shumë telashe na keni nxjerrë tash e sa dekada ju ballkanasit...Njëherë Shqipëria e marihuanizuar për tërë Evropën, Greqia në borxhe deri në fyt, Mali i Zi i rrezikuar nga Rusia dhelpuroshe, Maqedonia me emër e pa emër më në fund theu kurrizin, por pa shqiptarët si komb shtetformues...." 

E pse të mos e propozojmë president të përjetshëm?
Dhe, çkrrap e çkrrap fotoreporterët e fotot do të marrin dheun e do të vijnë gjithandej edhe në Prishtinë - me epitetin si NGJARJE HISTORIKE - presidenti amerikan Donald Trump priti dhe bisedoi ( për çka kjo do të merret vesh më vonë) me presidentin e Kosovës z. Hashim Thaçi nga Broja, i cili kurrë deri më sot në jetën e vet thotë se nuk ka dështuar dhe se dështimi për të është diçka e panjohur... E pse të mos e propozojmë president të përjetshëm? Mendoni mirë, se ia vlen - ai na i solli të gjitha, madje edhe DINJITETIN, të cilin për habi po na e lëndon pa të drejtë edhe kryeministri i vendit, z. Ramush Haradinaj, se si ne të tjerët gjoja s' paskemi bërë asgjë para, gjatë e pas luftës, pos që paskemi marrë ikën për Bllacë e për Shqipëri, prandaj as që e merituakam e aq më pak të mundohemi e të mendojmë e të flasim ndryshe siç na e garanton kultura demokratike, e lëre më të propozojmë diçka që është ndryshe nga ajo që thonë Thaçi, Veseli e Haradinaj... S'më mbetet tjetër pos t'ju përshëndes me "korrigjime kufijsh": Të mirë u pafshim te Molla e Kuqe!

(Kosova Sot)