Është koha e fundit që futbolli i Kosovës të lirohet nga uzurpuesit, profiterët, familjarizmi dhe politika

Është koha e fundit që futbolli i Kosovës të lirohet nga uzurpuesit, profiterët, familjarizmi dhe politika
  • 26 September 2018 - 07:42
SHKRUAN: NEXHMEDIN BUNJAKU

I kja e hershme në amshim e ish-kryetarit të ndjerë, Fadil Vokrri, dhe zgjedhja juaj në postin e kryetarit të FFK-së shkaktoi dhembje të dyfishtë. E para, dhembje ishte ndarja e hershme e një futbollisti me një karrierë të bujshme, që la gjurmë të pashlyera në KFPrishtina dhe tërë Kosovën. Dhembja e dytë ishte zgjedhja juaj dhe mënyra si u zgjodhët,(ende pa e dërguar të ndjerin në banesën e fundit, ju tinëzisht filluat aksionin për mbledhjen e nënshkrimeve nëpër klube për t'u zgjedhur kryetar i FFK-së)!.

Shkatërrues të futbollit të Kosovës
I lëmë emocionet e dhembjes për momentin me një anë dhe kthehemi asaj se pse po ju drejtohem juve si të parit të FFK-së. Ju ishit njeriu i dytë në FFK, i dinit dhe i dini të gjitha ato pak të mira dhe shumë të këqija që i ndodhën dhe po i ndodhin futbollit të Kosovës, i njihni të gjithë ata që punuan për të mirën dhe të keqen e futbollit, i njihni të gjithë ata brenda federatës që punuan dhe punojnë për interesa personale e në dëm të futbollit dhe vetë federatës, ju i keni njohur dhe i njihni të gjithë "bashkëpunëtoret" e konsumuar tash e sa vite, anëtarë të federatës që nuk kanë aftësi profesionale, nuk kanë njohuri dhe vlera, degradues dhe shkatërrues të futbollit të Kosovës. Pra duke i ditur ju, tashmë si i pari i FFK-së, të gjitha këto dhe vazhdoni "punën" me të njëjtit, pa bërë as më të voglin ndryshim, kjo vetëm sa dëshmon se edhe ju vetë paskeni qenë pjesë e sa e sa skandaleve e degradimeve që ndodhën, sidomos në dekadën e fundit.

Vetëm reformat do t'i hapnin rrugë avancimit të futbollit të Kosovës
E gjitha çka dua të ju propozoj për të mirën e futbollit e jo kurrsesi për të mirën e individit është se; ju duhet të bëni ndryshime apo reforma edhe atë duke filluar që nga brendia e federatës (bordi, administrata, sekretaria, komisionet e ndryshme, lidhjet rajonale, shoqata e trajnerëve, shoqata e gjyqtarëve etj.),sepse tash e një dekadë janë po të njëjtit individë të konsumuar, që kanë uzurpuar poste të ndryshme. Është koha e fundit që futbolli i Kosovës të lirohet nga uzurpuesit, profiterët, familjarizmi dhe politika, të respektohen vlerat dhe kuadrot profesionale. Në FFK duhet të ndodhë një revolucion i ndryshimeve për të ecur futbolli përpara, këtë duhet ta kërkoni dhe bëni ju z. Ademi (pasi që ju jeni ekzekutivi dhe përgjegjësia bie mbi ju për të mirë dhe për të keqe) dhe kështu do të shpëtonit futbollin e Kosovës. Vetëm reformat do t'i hapnin rrugë avancimit të futbollit të Kosovës, në të kundërtën me këtë strukturë udhëheqëse nuk do të ndryshojë asgjë për së miri, do të vazhdojë avazi i njëjtë dhe për këtë z. Ademi do kërkohet përgjegjësi nga ju dhe do të jeni në ballë të kritikave duke ju llogaritur edhe juve si pjesë të këtyre degradimeve. Po ju drejtohem si një ish-futbollist, gjyqtar futbolli i viteve më të vështira në historinë e futbollit të Kosovës, dhe së fundmi si një tifoz që ka dëshirë të shohë futbollin e Kosovës në kulmin e sukseseve.

(Kosova Sot)