A thua ku mbeti intelektualizmi i mirëfilltë në Kosovë?!

A thua ku mbeti intelektualizmi i mirëfilltë në Kosovë?!
  • 15 October 2018 - 08:28
SHKRUAN: MR.BISLIM ALIU

P a mëdyshje, jetojmë në një kohë të pakohë. Në një kohë me shumë të liga dhe me shumë padrejtësi. Dhe, na u ka bërë jeta lëmsh i pazgjidhur. Sado që një pjesë e mirë e popullit, është i vetëdijshëm, për këtë katrahurë stagnuese, megjithatë, vështirë dhe shumë vështirë e ka, që të dalin nga kjo atmosferë bllokuese. Sigurisht, këtë gjendje, aspak të favorshme, e kanë sjellë, njerëzit [udhëheqësit] e paaftë, të padinjitetshëm, pa vizion të qartë dhe me një intelektualizëm të mangët. Pra, po na udhëheqin pushtetarët që nuk janë të interesuar për shtet, por vetëm për pushtet! Dhe, ky popull ka mbetur në gjendje të mjerueshme dhe pa asnjë shpresë për të jetuar edhe më tej në Kosovën tonë të dashur. Gjithsesi, populli e do intelektualizmin, pra njerëzit e aftë, përparimtar, të vendosur, që e duan shtetin dhe jo pushtetin dhe që e kanë vizionin e qartë për të ecur shteti përpara. "Në këtë lëmsh, dikush prej nesh e gjen kuptimin e dikush tjetër rrënohet në dëshpërim. Nuk është mirë që këta të fundit t'i gjykojmë si të dobët. Sot, bota jonë, e kthyer për së mbrapshti, ka fuqi që një të lig të na e shesë për të shenjtë, ndërsa një njeri të mirë, pa mëshirë, ta çojë në dyert e çmendinës" [A. Rexhaj].

Tani për tani, a thua, kush po çmohet më tepër ? Fatmirësisht, në Kosovën tonë të dashur, kemi njerëz të talentuar, të aftë, të vetëdijshëm, përparimtar, njerëz me një intelekt të shtuar e me një vizion shumë të qartë për t'i ndihmuar shtetit, zhvillimit të tij dhe për të ecur përpara. Mirëpo, ata nuk po duken në horizont. Sikur atyre ua kemi mbyllur dyert. Dhe, nuk po u jepet rasti, që këtë aftësi dhe këtë intelektualizëm ta shpërfaqin konkretisht. Ata sikur anashkalohen, nënçmohen dhe sikur nuk jemi të interesuar fare për ta! Këta njerëz, sikur nuk janë të dëshirueshëm dhe sikur me dijen e vizionin e qartë që kanë, nuk i duhen këtij vendi! Dhe, kështu vijimisht, kanë mbetur anash, pa dëshirën dhe pa vullnetin e tyre. O Zot, deri kur ata duhet të presin që t'i ndihmojnë shtetit dhe vendit sinqerisht? Kështu, pra, ata kanë mbetur soditës të ngjarjeve dhe të rrjedhave aspak të mira. Kjo paligjshmëri dhe ky korrupsion i lartë, e përditë po bëhet edhe më i lartësuar, është një barometër i dhembshëm dhe një dukuri e pafalshme, që gjithnjë po e stagnon shtetin dhe duke ia humbur perspektivën për të ecur përpara. Me njerëzit e paaftë dhe të padijshëm , nuk mund të ecet përpara. Fatkeqësisht, në këtë kohë të pakohë dhe me plot dallavere, më tepër po çmohen njerëzit e dëgjueshëm, se sa njerëzit e aftë dhe intelektualët e vërtetë! Intelektualizmi, fatkeqësisht, në Kosovë, po çmohet fare pak. Dhe, kjo, sigurisht, po i hakmerret shtetit, zhvillimit të tij, përditë e më shumë. E, shoqëria jonë, sikur pak i kushton rëndësi këtij fenomeni të intelektualizmit. Ndaj, njerëzit intelektualistë, të aftë dhe të dijshëm, sikur nuk i duhen këtij vendi, të këtij populli dhe, besa, ndonjëherë, në masë të madhe, sikur edhe po degradohen e po nënçmohen skajshmërisht! Tani, shoqëria jonë, në masë të madhe, sikur nuk janë të interesuar për këtë intelektualizëm, meqë ata me të madhe po ua prishin çerdhen njerëzve të padijshëm. Kjo më së miri shihet në përmbajtjen dhe në strukturën e partive tona. Një pjesë e madhe e tyre janë kyçur në parti, njerëzit që kanë dështuar në profesione. Pra, ai që ka dështuar në profesion, ai nuk ka aftësi dhe as sinqeritet që të merret me politikë. E, tani, ata, këtë dështim, mundohen ta mbulojnë me paaftësi dhe me aktivizimin e tyre në politikë! Megjithatë, ata, në njëfarë mënyre i janë përshtat atmosferës politike në parti dhe me aktivizimin e tyre, janë bërë "shërbëtor" të vërtetë, të lidershipit dhe ata, më së shumti i duhen partisë, kur janë zgjedhjet, për të vrapuar nëpër mëhalla e oda të ndryshme për të kërkuar vota nga populli i varfër ?! Ndaj, këta njerëz të dëgjueshëm, po çmohen e po lavdërohen, nga udhëheqësit partiak. Pra, të dëgjueshmit po ofrohen, e të aftit, disi i injorojnë, meqë ata nuk mund t'i lakojnë sipas dëshirës së tyre. O Zot, me njerëz të paaftë nuk ka përparim dhe as zhvillim as sot dhe as kurrë…

Pa fuqi mendore dhe pa vizion të qartë nuk mund të shkohet përpara Gjithsesi, fuqia mendore dhe intelektualizmi i vërtetë i duhet Kosovës. Sa më shpejt, aq më mirë. Mjerisht, ata tani janë të anashkaluar dhe disi, si të "lëçitur" sodisin parregullsitë dhe paligjshmëritë e njëpasnjëshme. Ndaj, pa këtë fuqi mendore dhe pa njerëz me intelektualizëm të vërtetë, asnjëherë nuk mund të ecet përpara. Këta, gjithsesi i duhen Kosovës dhe këtij vendi. E, tani, rastin më të mirë e ka populli që në votimet e radhës t'i votojmë njerëzit e aftë dhe me vizion të qartë. Ju lutem votojeni intelektualizmin. Pra, të votohen vetëm njerëzit me intelektualizëm të mirëfilltë dhe që angazhohen për të mirën e këtij vendi. Mendoj se shumëçka në Kosovë duhet ndryshuar. Gjithsesi, tani, Kosovës i duhet gjak i ri dhe një mendësi e re dhe me mentalitet e vizion të qartë. Ata i duhen vendit dhe vetëm ata duhet votuar. Pa ta, zaten, nuk mund të shkohet përpara. Populli është i lodhur dhe tejet i zhgënjyer me këtë udhëheqje dhe me këtë papërgjegjësi. Ndaj, duhet të vijnë njerëz të rinj, përparimtare, vizionare, mentalitet i formuar, i shkolluar dhe që e do këtë vend me sinqeritet njerëzor, moral e atdhetarë. Dhe, vetëm këta i duhen këtij populli dhe këtij vendi. Andaj, ky vend dhe ky popull, po vuan për intelektualizëm të vërtetë dhe të mirëfilltë. Atë e kemi dhe para dere po pret. Ne duhet tua çelim udhën për të ardhur dhe për ta udhëhequr këtë vend dhe këtë popull. Mendoj se ka ardhur koha jo vetëm për ndryshime, por për ndryshime rrënjësore, në të gjitha poret e jetës në përgjithësi. Ndaj, ndryshime dhe ecje përpara. Këtë e do populli dhe Kosova e jonë e dashur. Pra intelektualizmin e kemi, por që duhet votuar, për të na udhëhequr me dinjitet dhe me prosperitet. Sot e gjithmonë na duhet intelektualizmi. Dhe, vetëm me ta do të ecim përpara. E, votoni intelektualizmin për të mirën e vendit dhe të popullit. Ata dhe vetëm ata na duhen. Sot e gjithmonë, ata na duhen. 

(Kosova Sot)