A jemi kah Brukseli, apo bota arabe...?

A jemi kah Brukseli, apo bota arabe...?
  • 15 October 2018 - 08:33
SHKRUAN: ZEJDUSH KASTRATI

Pa ndonjë qëllim që të ofendoj dikë apo t'i imponoj mendimin tim, por të përcjellësh për në banesën e fundit më të dashurin, mikun apo shokun e jetës, dhe atë me mesazhe dhe lexime letrash e lutjesh nga hoxhallarë në gjuhën arabe, e aty-këtu rrallë edhe me nga një fjalë në gjuhën shqipe, kjo është një çmenduri, asimilim dhe primitivizëm, që po na përcjellë si shoqëri dhe kolektivitet, në këtë Kosovën tonë, me të cilën tani ne vetë po qeverisim...! Të marrësh pjesë në ceremoninë mortore, në shenjë respekti për atë që ka vdekur, por edhe për familjen e të ndjerit, është një veprim respektativ, por të varrosësh një intelektual, ku marrin pjesë edhe shumë intelektualë tjerë, edhe anëtarë të Akademisë së Shkencave, të Shoqatës së shkrimtarëve,...dhe kjo ceremoni mortore, të kalojë ekskluzivisht vetëm me lutje fetare në gjuhën arabe, në vend të një letre përshëndetëse shqip, pse jo edhe nga kolegë të punës, profesionit, njerëz të penës... që janë prezent dhe që marrin pjesë në nderim për të ndjerin, flet më së miri, për nivelin intelektual, moral, profesional, civilizues e atdhetar të shoqërisë sonë, e cila është katandisur mozomakeq!!! Rreth këtij fenomeni, në radhë të parë duhet të reagojë Bashkësia islame, Akademia e Shkencave, Intelektualët, mediet, shoqëria civile, institucionet shtetërore, e gjithsesi kjo çështje të shtrohet edhe në Parlamentin e Kosovës dhe të artikulohen qëndrime dhe të merren vendime obligative me të cilat ceremonia mortore, pos dhimbjes dhe pikëllimit për të vdekurin, të reflektojë edhe atdhedashuri dhe respekt kombëtar, e që mund të përçohet edhe përmes leximit, lutjeve dhe mesazheve nga hoxhallarë e pjesëtarë të bashkësisë islame, por gjithsesi vetëm në gjuhën shqipe... Shkas i këtij postimi është një rast i një varrimi që ndodhi ditë më parë në Ferizaj, por edhe një tjetër ku mora pjesë në një ceremoni mortore në Hajvali, ku arkivoli e kufomës (një profesor Universiteti), njëherësh person publik, ishte mbështjellë me flamurin e gjelbër të një shteti islamik,(apo sekti nuk e di), ku merrnin pjesë edhe njerëz që mbajnë poste të larta në Qeverinë aktuale, ndërsa në medie, flitej për një ekspert, atdhetar, patriot, familjar...! Nuk ia kontestoj asnjërën nga ato që i janë atribuuar të ndjerit, por nuk besoj, se i ndjeri ka lënë amanet që të varroset me këtë flamur, andaj mos ndoshta ceremonitë mortore po na i menaxhon dikush i paguar, apo disa nga ata, që në rëndë të parë kanë fenë, e që vërtet që nga paslufta e fundit janë shtuar bukur shumë... A jemi kah Brukseli, apo bota arabe...?!

(Kosova Sot)