Prioritet mbi prioritetet është bashkimi kombëtar, jo "neo-osmanizmi", nuk është çështje e shqiptarëve

Prioritet mbi prioritetet është bashkimi kombëtar, jo
  • 16 October 2018 - 08:39
SHKRUAN: PROF.DR. MEHDI HYSENI 

Detyrë dhe përgjegjësi morale, profesionale dhe kombëtare e çdo shkencëtari, studiuesi, analisti, publicisti dhe gazetari, është që të pohojë, të shkruajë dhe ta mbrojë të vërtetën, jo ta shtrembërojë dhe ta sakrifikojë për interesa të ulëta meskine personale, ideologjike, politike, mafioze, grupore, partiake, karrieriste dhe latifundiste. Flirti me të vërtetën është tradhti dhe përgjegjësi ndaj së vërtetës, ndaj ndërgjegjes njerëzore, ndaj profesionalizmit, ndaj interesit të përgjithshëm kombëtar, si dhe ndaj humanizmit dhe drejtësisë si vlera universale. JO strategjisë së frikësimit dhe të dezinformimit të kombit shqiptar, me qëllim të shpërqendrimit nga sundimi i kolonializmit gjenocidal sllav (1878- 2018) ! Duhet ta themi të vërtetën se pas përfundimit të Luftës së Ftohtë mes dy superfuqive botërore, SHBAsë dhe BRSS-së ( 1989-2018) shqiptarët ende nuk kanë pranuar kurrfarë oferte zyrtare nga politika dhe nga diplomacia e Ankarasë, që të mbështesin strategjinë dhe doktrinën e "neo-osmanizmit". Mirëpo, nëse pranojnë një ofertë tillë për shqyrtim, dihet se cila, do të ishte përgjigjja e Tiranës dhe Prishtinës, një JO e Skënderbeut dhe e Ismail Qemalit, sepse shqiptarët përjetësisht fatin e tyre e kanë të lidhur me Evropën Perëndimore dhe me Amerikën, JO me Turqinë, as me Rusinë, as me satelitët e saj të Ballkanit, të Evropës Juglindore, as me vendet e Afrikës e as të Azisë.

Nuk duhet të biem viktimë e kësaj propagande serbo-greke antishqiptare
Prandaj, nuk kemi pse të frikësohemi, të preokupohemi dhe të bëhem robër të propagandës zhurmuese sllave dhe filosllave të "neo-osmanizmit", sepse ky fenomen nuk ka asnjë gjasë reale, që të ringjallet në katër vilajetet shqiptare, të cilat dikur ishin nën sundimin e Perandorisë Osmane (1385-1912). Pra, mos u frikësoni nga propagandimi i "neo-osmanizmit", por nga kolonializmi dhe nga neokolonializmi gjenocidal sllav. Ky është rreziku permenant dhe varri i hapur i shqiptarëve të copëtuar dhe të aneksuar nga amalgama sllavo-bizantine (1878-2018). Ndërrimi i kësaj teze justifikon dhe legalizon politikisht dhe juridikisht kolonializmin dhe neokolonializmin gjenocidal sllav mbi gjysmën e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike. Po, supozojmë se, edhe sikur të ishte i shpërfaqur "neo-osmanizmi" (teorikisht dhe praktikisht) hëpërhë shqiptarët nuk janë superfuqi ballkanike e as evropiane, që të luftonin në pesë (5) fronte me pesë (5) kundërshtarë në të njëjtën kohë, sepse ky do të ishte epilogu tragjik për lirinë dhe për vetëvendosjen e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike në Ballkan. Mirëpo, pavarësisht nga spekulimet dhe nga dezinformimet me "pompë" të "politikës matematikore" të qendrave të ndryshme kishtare dhe shtetërore të aleancës sllave ballkanike dhe të eksponentëve të tyre "kujdestarë" në përhapjen e strategjisë së frikësimit nga "neoosmanizmi" as shqiptarët, as kroatët e as popujt e tjerë josllavë në rajonin ballkanik nuk kanë pse të frikësohen nga një "fantazmë" e tillë e paragjykuar, e ekzagjeruar dhe e dramatizuar ( me qëllim që sa më parë shqiptarët t'i fusin në luftë me Turqinë, sepse kjo do të ishte strategjia më e sigurt dhe më e leverdishme politike dhe gjeopolitike, që Serbia, Greqia, Mali i Zi dhe Maqedonia ta "konservonin" edhe më tej kolonializmin gjenocidal të tyre mbi gjysmën e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike), SEPSE Ballkani nuk është më zonë e kontrolluar vetëm nga Turqia si dikur para 600 vitesh, por edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga aleatët e saj të Evropës Perëndimore (Gjermania, Britania e Madhe, Italia dhe Franca), si dhe nga Rusia. Prandaj, pavarësisht nga propaganda perfide sllavo-bizantine dhe kusilinge në "elektrizimin" dhe në provokimin shumëtehësh të shqiptarëve, se gjoja "ka ardhur koha të dalin në mal për ta luftuar neo-osmanizmin", ne nuk duhet të biem viktimë e kësaj propagande serbo-greke antishqiptare, sepse realisht as në afat të shkurtër e as në afat të gjatë nuk ekziston asnjë shans më i vogël, që të vijë në shprehje "neo-osmanizimi" e as "sllavizimi" i Ballkanit mbase ky, tanimë është zonë e sferës së interesit PERËNDIMOR (AMERIKA, GJERMANIA, BRITANIA E MADHE, FRANCA DHE ITALIA) dhe e atij LINDOR (Rusia).

Shqiptarët nuk duhet të jenë aq naivë dhe mendjelehtë, që t'i fryjnë një zjarri të tillë serbo-grek
Ndaj si politika, diplomacia, ashtu edhe propaganda masmediale shqiptare nuk preferohet, që të "karrabythen" me të, sepse nuk është detyrë e as përgjegjësi e tyre kinse për "korrigjimin" e "neo-osmanizmit", në asnjë formë, sepse, nëse ky fenomen ekziston si i tillë ka të bëjë vetëm me politikën e brendshme të Turqisë, jo të Shqipërisë e as të Kosovës. Prandaj, para së gjithash dhe, mbi të gjitha objektiv prioritar i interesit të përgjithshëm nacional, duhet të jetë shkolonizimi dhe ribashkimi i Shqipërisë Natyrale, JO hapja e ndonjë konflikti eventual me Turqinë, sepse kjo do të ishte fitorja më e madhe e aleancës ortodokse sllave me Rusinë në krye ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë Etnike në Ballkan. Për krijimin e një konflikti të tillë mes shqiptarëve dhe Turqisë, qe më se një shekull janë duke punuar intensivisht "fabrikat" dhe "kuzhinat" politike dhe propagandistike të kishave ortodokse të Athinës dhe të Beogradit, me qëllim që të fitonin aleatin e pestë-Turqinë për luftimin e shqiptarëve në Ballkan. Mirëpo, shqiptarët nuk duhet të jenë aq naivë dhe mendjelehtë, që t'i fryjnë një zjarri të tillë serbo-grek (kinse për ta luftuar "neo-osmanizmin"), sepse do të digjeshin në flakën e tij sikurse më 1878, 1912, 1913, 1919, 1945, 1989 dhe më 1999, kur Slobodan Milosheviqi me ndihmën, me mësimet dhe me bekimin e Kishës Ortodokse Serbe dhe të Kishës Ortodokse Greke, bëri 3 gjenocide kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës (1989-1999). Deri tani kemi dëshmuar se ne nuk duan kurrfarë konflikti me Turqinë, sepse mjaft i kemi mbi kokë 4 armiq shekullorë sllavë ballkanikë, të cilët edhe sot mbajnë në sundimin e tyre kolonial mbi 3 milionë shqiptarë dhe më se gjysmën e Shqipërisë etnike (1878-2018). Ky është problemi i shqiptarëve, JO "neo-osmanizmi" i imagjinuar dhe i fabrikuar sllavo-bizantin i "Unholly Alliance" ortodoks i Beogradit dhe i Athinës. Nëse Ballkani qenka në rrezik nga "neo-osmanizmi", atëherë le t'i përgjigjet aleanca sllave ortodokse me Serbinë dhe me Greqinë në krye, sepse kanë në mbështetje Rusinë, jo shqiptarët (myslimanë, katolikë dhe ortodoksë), sepse më se 50% e tyre ende janë nën çizmen e kolonializimit gjenocidal sllav. Zgjidhja e këtij problemi jetik ka prioritet për kombin shqiptar dhe për Shqipërinë Etnike, Jo kurrfarë "neoosmanizmi" i Turqisë. 

(Kosova Sot)