A thua, deri kur do të na mungojë vetëdija për shtet dhe për përgjegjësi?

A thua, deri kur do të na mungojë vetëdija për shtet dhe për përgjegjësi?
  • 19 October 2018 - 08:57
SHKRUAN: MR.BISLIM ALIU

Kosova jonë e dashur që afro 20 vjet pas luftës përherë është përballur me shkallën e lartë të mjerimit, të papunësisë dhe të zhvillimit ekonomik. Ky mjerim vetëm sa rritet e shtohet, e për përgjegjësi, nuk jep llogari askush, e të mos flasim për dorëheqje, që assesi nuk mund të ndodhë asnjëherë te ne në Kosovë?! Ndaj, mu për këtë "anashkalim përgjegjësie", mos vallë, në politikën tonë, kemi një mungesë të thellë të vetëdijes shtetformuese? Pra, që 20 vjet, asnjëherë, asnjë qeveri, apo ndonjë ministër i qeverisë, nuk u bë "burrë" që ta pranojë fajësinë, për këtë mjerim që po kalon populli dhe të ofrojë bile edhe dorëheqje morale! Pra, që nga paslufta, qeveritë dhe qeveritarët vijnë e shkojnë, e përgjegjësinë nuk e mori askush dhe bile as që i shkoi mendja ndokujt që të bisedojnë për këtë përgjegjësi. Kjo është e pamoralshme dhe aspak njerëzore! Kjo papërgjegjësi e pushtetarëve tanë në qeverisje të këtij vendi, të cilët premtuan vazhdimisht, llojlloj avancimesh e punësime deri në 150.ooo vende të punës, në fushatat elektorale, e posa ta marrin pushtetin, ata i harrojnë premtimet, popullin, punësimet dhe zbatimin e ligjshmërisë. Në këtë mospërfillja të premtimeve kuturu dhe pa farë ndërgjegje, ata e harrojnë shtetin, ligjin, drejtësinë dhe për këto premtime, pushtetarët tanë, asnjëherë nuk iu ra ndërmend për përgjegjësi, apo llogaridhënie për fjalët e mëdha premtuese!

Në çfarë niveli e kemi vetëdijen për shtet?
Po na mungon me të madhe vetëdija për shtet, për formimin e tij dhe për zbatimin e ligjshmërisë në jetën praktike. Gjithherë pushtetarët tanë i përmendin ligjin dhe drejtësinë, megjithatë, në praktikë ata asnjëherë nuk i zbatojnë. Ndaj, pushtetarëve tanë, varg e vijë dhe përherë, po u mungon kjo vetëdije e realitetit dhe e konkretizimit për përgjegjësi. E, pra, deri kur kjo vetëdije për përgjegjësi të zbatohet me ligjshmëri?... Pa mëdyshje, me këto qeverisje, që nga paslufta, pa ndonjë plan konkret dhe pa vizion të qartë për zhvillimin e shtetit dhe të ligjit, jemi larg realitetit, larg shtetit ligjor dhe shumë larg të zbatimit të demokracisë në praktikë. Dhe, përderisa nuk përfillet ligji dhe nuk zbatohet ligjshmëria në praktikë, atëherë nuk përfillet as shteti, as ligji, as përgjegjësia dhe besa as që kemi ndonjë vetëdije për shtetin dhe për zhvillimin e shtetit ligjor në praktikë. Politikanëve tanë sikur u mungon etika njerëzore, morali për shtetin dhe dashuria për ta formuar shtetin e së drejtës. Atyre, zaten, në masë të madhe sikur u mungon edhe vetëdija dhe përgjegjësia për popullin e vuajtur. Ata, më tepër e duan pushtetin se sa shtetin. Dhe, me të drejtë, tani edhe pyetemi; a thua, a ka ndonjë shtet në botë, që nuk përfillet ligji, ligjshmëria, drejtësia dhe demokracia, sesa në vendin tonë? Fatkeqësisht, në Kosovën tonë të dashur, ka shumë mangësi, paligjshmëri dhe padrejtësi, që nuk e gjejnë zbatimin konkret! Ndaj, kapja e shtetit nga "të fortët", ia humbën perspektivën dhe vitalitetin e popullit për të mbetur në Kosovë. Kosova jonë e dashur nuk e ka merituar këtë mjerim që përditë po i dedikohet popullit. Ai e ka pritur që Kosova të zhvillohet ekonomikisht, punësim, ligjshmëri, rend dhe ligj, liri dhe barazi dhe zhvillimin e demokracisë shtetërore. Megjithatë, populli, asnjëherë nuk e ka pritur nga këta pushtetarë, që atyre t'iu mungon liria dhe demokracia. Mirëpo, ata e harruan popullin dhe Kosovën e konsideruan si pronë private të tyre. Menduan vetëm për vete, për familjet e tyre, e popullit ia humbën optimizmin dhe dashurinë e madhe që patën për shtetin.

Sa është niveli i përgjegjësisë dhe i llogaridhënies?
Nuk e di dhe fare as që e po e kuptoj si është e mundur që pushtetarët tanë të bëjnë çfarë të duan, të sillen me aq komoditet, për vete, për familjen, e ta harrojnë popullin dhe brengat e tyre, e të mos japin kurrfarë llogaridhënie as të ndiejnë kurrfarë përgjegjësie për punën e bërë, kjo ndodh vetëm në Kosovën tonë të dashur! Këtë "mrekulli" pushtetarët tanë e bëjnë që 20 vjet. Pra, varg e vijë e bëjnë në shtetin tonë, që aq shumë e deshëm dhe e respektuam namin e tij që sa vjet me radhë e me plot dashuri. Dhe, si është e mundur që këta pushtetarët tanë të mos ndiejnë kurrfarë dashurie për popullin e për shtetin? Mos vallë,për interesa të ngushta, ata me lehtësi e sakrifikojnë shtetin dhe ardhmërinë e tij? Ku është përgjegjësia dhe ku iu mbet dashuria për popullin dhe për shtetin? A thua, ku iu mbet morali dhe a kanë fare ndonjë vizion të qartë për formimin dhe për përparimin e këtij shteti? Kjo, sigurisht është edhe e keqja dhe mangësia më e madhe për popullin dhe për shtetin. Për këtë, jo vetëm unë, por edhe populli në tërësi, vazhdimisht po pyetet; a thua, deri kur do të na mungojë vetëdija për shtet dhe për përgjegjësi?!...

(Kosova Sot)