Pa OMN- në, Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, nuk do të kishte as VETTING të pastër në Shqipëri

Pa OMN- në, Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, nuk do të kishte as VETTING të pastër në Shqipëri
  • 20 October 2018 - 07:59

SHKRUAN: SKËNDER SADRI KAPITI  

Ky konstatim vjen edhe logjikshëm nisur nga fakti se KPK, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit si organi bazë pranë VETTING-ut la dhe konfirmoi në detyrë dy drejtuesit më të Lartë të Gjyqësorit në Shqipëri, atë të Kushtetueses z. Dedja dhe atë të Gjykatës së Lartë z. Zaganjori. OMN, pra monitoruesit ndërkombëtarë, pra e theksoj përsëri monitoruesit ndërkombëtare dhe jo ata vendorë shqiptarë, me të drejtë si organizëm, i cili mbikëqyr VETTING-un, pastrimin dhe hetimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve të Shqipërisë dhe i cili edhe kryen hetime të pavarura për gjyqtarët e prokurorët kërkon me të drejtë shkarkimin edhe të krerëve më të lartë të gjyqësorit në Shqipëri. Dhe, opinioni publik me të drejtë u habit dhe u zhgënjye shumë me vendimet e KPK- së, i cili i konfirmoi në detyre dy krerët me të lartë të Gjyqësorit në Shqipëri. Këta dy drejtues të gjyqësorit në Shqipëri, atyre minimalisht as moralisht nuk u takon që asnjë minutë që të qëndrojnë në sistemin e drejtësisë, pasi si ka mundësi që këta të konfirmohen të pastër dhe pa përgjegjësi kur tërë sistemi drejtësisë është i falimentuar dhe i korruptuar dhe ku mbi 90% e shqiptarëve nuk besojnë te drejtësia. 

Sitën e KPK -së së VETTING-ut e kaluan këta dy "peshq të mëdhenj" të drejtësisë

Këta duhet që të largoheshin të parët nga sistemi i drejtësisë në Shqipëri pasi ata kanë përgjegjësinë kryesore për gjendjen katastrofike ku ka degraduar drejtësia shqiptare. Kjo do të thotë sipas "kompetencës" dhe të "logjikës e të hetimit" të KPK -së se: pavarësisht se Politika dhe Drejtësia në Shqipëri ngriti dhe mbrojti sistemin kriminal të korrupsionit këta dy drejtuesit më të lartë të saj nuk paskan as përgjegjësi por na qënkëkan edhe të pastër?! Dhe a do të mund t'u besohet politikës dhe drejtësisë shqiptare për ta bërë ata vetë VETTING-un e "peshqve të mëdhenj" të politikës së lartë të liderëve partiakë dhe të VIP-ave të pushtetit qendror dhe të atyre lokalë: kryeministra, ministra ,kryebashkiakë etj., po qe se VETTING-u për ta e mbi ta nuk do të kontrollohej e nuk do të monitorohej nga ndërkombëtarët?! Pra, me gjithë praninë e OMN -së përsëri sitën e KPK -së së VETTING-ut e kaluan këta dy "peshq të mëdhenj" të drejtësisë. Pavarësisht pranisë së monitorimit ndërkombëtarë, KPK në disa raste ka vepruar në mënyrë të tillë duke krijuar edhe dyshime se vepron edhe ne mënyrë selektive e subjektiviste duke konfirmuar në detyrë individë të cilët duhet t'i skualifikojë, në mënyrë që VETTING- u ta kryejë detyrën e rëndësishme dhe jetike për Shqipërinë, Reformën në Drejtësi e cila do ta vë në funksionim ligjin, drejtësinë, demokracinë dhe shtetin shqiptar. 

Fshehin pasuritë e pajustifikuara Dhe, është jashtëzakonisht mirë që VETTING-u në

Shqipëri monitorohet nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ,OMN, pasi sa për politikën dhe drejtësinë shqiptare as që mund të bëhej e as të realizohej VETTING-u, gjë e cila vërtetohet me faktin se politika dhe drejtësia shqiptare bëri të gjitha përpjekjet për sabotimin, për pengimin dhe për mosmiratimin e VETTING-ut, si dhe ata do të bëjnë sa të munden me gjithë takatin si politikanët ashtu edhe gjyqtarët e prokurorët që t'i vidhen, të manipulojnë ,të fshehin pasuritë e pajustifikuara, dhe do mundohen që të korruptojnë organet e VETTING-ut në mënyrë dhe me qëllim që të qëndrojnë akoma në politikë e në drejtësi. Përderisa edhe politika e drejtësia në Kosovë janë identike si ato në Shqipëri e vetmja rrugë për vënien në funksion të drejtësisë kundër krimit, korrupsionit dhe hajdutërisë; e vetmja e cila do ta vë ne funksion shoqërinë, shtetin dhe demokracinë dhe që do të bënte konsolidimin e pavarësisë dhe do t'i hapte rrugën integrimit është ndërtimi i shtetit demokratik e ligjor me standardet moderne gjë të cilën do ta bënte edhe në Kosovë VETTING-u , pra monitorimi i rreptë i sistemit të drejtësisë nga një Operacion Ndërkombëtar Monitorimi si në Shqipëri.

 

(Kosova Sot)