Vizita historike e ministrit Nedin Hoxha, bërë Beogradit (1980)

Vizita historike e ministrit Nedin Hoxha, bërë Beogradit (1980)
  • 20 October 2018 - 08:01

SHKRUAN: PROF.DR.MEHDI HYSENI

Sot, vërtet, është e vështirë të kuptohet propaganda e masmediave të pavarura sidomos në Ballkan, sepse pa asnjë verifikim të fakteve dhe të argumenteve dokumentuese, paradite të shpallin "hero", kurse pasdite të njollosin dhe të shpallin "tradhtar"! -Çfarë standardi dhe kriteri vlerësues është ky, ballkanik, evropian apo botëror? Kjo dukuri negative po ndodh në fushën e mediave ballkanike (1990-2018), për shkak se askush nuk vret mendjen për t'i verifikuar burimet faktografike të informacionit, pavarësisht nga karakteri i tyre përmbajtjesor, qoftë vendor apo ndërkombëtar. Duket se këtu nuk mund të bëhet fjalë për kurrfarë përgjegjësie, qoftë auotoriale ose editoriale. Po ashtu, nuk mund të flitet për kurrfarë kriteri dhe standardi profesional as evropian e as ndërkombëtar, por vetëm për opinione përfolëse (pa fakte dhe pa argumente), për të cilat nuk mbajnë kurrfarë përgjegjësie as autorët shpifarakë e as mediat e shkruara e as ato digjitale, si rrjedhim i mungesës së ligjeve sanksionuese për sajimin dhe për publikimin e gënjeshtrave dhe të informacioneve dezinformuese. Në këtë kontekst po përmendim vetëm një rast konkret, e ky është Edi Rama, kryeministri aktual i Qeverisë së Shqipërisë, i cili me të vizituar Beogradin, në vitin 2014, masmediat e mbivlerësuan si "hero" dhe si "shpëtimtar" të Kosovës, sepse në takimin e presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pati kurajën që në prani të masmediave t'i thoshte Vuçiqit se "Kosova është e pavarur. Prandaj, Serbia duhet pranuar dhe pajtuar me këtë realitet të ri". Kjo ishte në rregull, por jo edhe ndonjë sensacion spektakular politik, kur dihet se Shqipëria e Edi Ramëve nuk e ndihmuan e as nuk e çliruan Kosovën nga Serbia gjenocidale e Slobodan Milosheviqit (1989-1999), por këtë e bëri UÇK-ja me kryekomandantin e saj historik kombëtar shqiptar, Adem Jashari, dhe Amerika me ish-presidentin e saj historik, Bill Clinton. Ndërkaq, sot, pas katër vitesh (2018) të njëjtit autorë dhe të njëjtat masmedia Edi Ramën po quajnë "tradhtar", gjoja se tanimë kanë zbuluar takimet e tij të fshehta me Alekasandar Vuçiqin për "ndarjen e Kosovës".

Akti i parë dezinfomues për "heroizmin" e Edi Ramës në Beograd

Ata që e shoqëruan Edi Ramën gjatë vizitës në Beograd, në 2014, shkruan dhe transmetuan nga "lozhat" e tyre raportuese një të pavërtetë të madhe "historike" dhe "sensacionale" se gjoja kryeministri i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, ishte i pari zyrtar i lartë i Shqipërisë, i cili vizitoi Beogradin, pas vizitës së parë të parë të Enver Hoxhës, i cili i bëri Jugosllavisë në vitin 1946. Kjo ishte vërtet një rrenë e "bukur për hava" në mungesë të mosnjohjes dhe të mosverifikimit të historikut të marrëdhënieve politike dhe diplomatike mes Shqipërisë dhe Serbisë, përkatësisht ish-RSFJ-së (1945-1990), sepse pas Enver Hoxhës (1946), ministri i Tregtisë së Jashtme të RPS-së së Shqipërisë, Nedin Hoxha ishte ZYRTARI I PARË I LARTË I QEVERISË SHQIPTARE, i cili vizitoi kryeqytetin e Jugosllavisë, Beogradin (qershor 1980), JO Edi Rama (2014), të cilin masmediat e ndryshme dezinformuese vetëm sa nuk e shpallën edhe "hero" gjoja për guximin dhe për mençurinë, që "I PARI" nga qeveritarët shqiptarë të Tiranës vete në Beograd pas "68 vitesh". Mirëpo, kjo ishte një rrenë e "destiluar " e propagandës mediale serbo-shqiptare për ta mashtruar dhe dezinformuar opinion publik, se gjoja kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte ndër shtetarët e parë që "theu akullin" midis Tiranës dhe Beogradit në avancimin dhe në normalizimin e klimës së marrëdhënieve politike, diplomatike, ekonomike, tregtare, kulturore etj., në frymën e integrimeve dhe të standardeve të BE-së. Pra, si theksuam më sipër, kjo nuk është fare e vërtetë, SEPSE pas Enver Hoxhës, në nivelin më të lartë shtetëror, që e vizitoi Beogradin, kryeqytetin e Republikës Federative të Jugosllavisë, i PARI ishte Ministri i Tregtisë së Jashtme të RPS-së së Shqipërisë, Nedin Hoxha, në qershorin e vitit 1980. Më këtë rast, ministri Nedin Hoxha së pari u takua dhe zhvilloi bisedime me kryetarin e Këshillit Ekzekutiv Federativ të Jugosllavisë, Veselin Gjuranoviq. Më pastaj u takua me homologun e tij të Qeverisë federative jugosllave, Metod Rotar (sekretar i Tregtisë së Jashtme të Jugosllavisë), me të cilin përfundoi dhe nënshkroi disa marrëveshje me përmbajtje ekonomike dhe tregtare bilaterale mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Në kuadrin e kësaj vizite ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, ministri shqiptar, Nedin Hoxha, dhe ministri jugosllav, Metod Rotar, nënshkruan "Marrëveshjen Afatgjatë për Këmbimin e Mallrave mes RSJ-së dhe RPS-së së Shqipërisë, sipas së cilës vlera e këmbimit të mallrave në të dy kahet (BeogradTiranë), gjatë viteve 1981-1985, kapte vlerën prej 720 milionë dollarësh. Po ashtu, në Pallatin e Federatës Jugosllave në Beogradin e Ri, ministri Hoxha dhe homologu i tij jugosllav, Metdo Rotar, nënshkruan edhe Protokollin për këmbimin e mallrave të shërbimeve për vitin 1981." ( Burimi: "Politika", Bgd., 13.06.1980).

Sokrat Plaku ishte personalitet me virtyte të larta njerëzore

Ia vlen të theksojmë se ministri shqiptar, Nedin Hoxha, veç takimit të lartë shtetëror me kryetarin Këshillit Ekzekutiv Federativ të Qeverisë së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, Veselin Gjuranoviq në Beograd, vizitoi edhe Lubjanën, ku u prit nga Anton Vratusha (kryetar i Këshillit Ekzekutiv i Kuvendit të Republikës Socialiste të Sllovenisë) në "Brdo kod Kranja", Shkupin, ku u takua me kryetarin e Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Republikës Socialiste të Maqedonisë, Bllagoje Popov, si dhe Prishtinën, ku u prit nga kryetari i Këshillit Ekzekutiv të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, Riza Sapunxhiu (" i cili në vitin 1981, si kryetar i delegacionit të KSAK, bëri një vizitë historike Shqipërisë, e cila hapi rrugën e bashkëpunimit dhe të përafrimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë") dhe nga sekretari i Sekretariatit për Marrëdhënie me Jashtë, Prof. Dr. Zejnullah Gruda. Pritja ishte miqësore dhe e ngrohtë, bërë në hotelin "Grand" të sapoinaugurar të Prishtinës. Për realizimin e kësaj vizite historike në nivelin më të lartë qeveritar shtetëror mes Shqipërisë dhe RSFJ-së (qershor 1980), meritat kryesore i pati Sokrat Plaka, njëri nga diplomatët më të shquar të Shqipërisë socialiste të asaj kohe (paraprakisht ambasador fuqiplotë në Nju-Jork), kurse prej 1977 deri në 1982 ambasador fuqiplotë në Beograd. Duhet të theksoj se Sokrat Plaku nuk ishte vetëm diplomat i rangut të diplomatëve më të zotë botërorë, por njëherazi ishte edhe personalitet me virtyte të larta njerëzore, me sjellje, me edukatë, me njohuri, me kulturë, me maturi, me dinjitet dhe me ndërgjegje njerëzore kombëtare dhe patriotike shqiptare. Për mua ishte kënaqësi e veçantë njohja me ambasadorin e shumërespektuar dhe të shumëçmuar Sokrat Plaka, i cili më la mbresa të jashtëzakonshme edhe si njohës brilant i diplomacisë dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare, edhe si personalitet parimor, lojal, i guximshëm, vizionar dhe progresiv, jo vetëm në mbrojtjen e interesave vitale shtetërore të Shqipërisë socialiste, por edhe të interesave jetike të shqiptarëve në Jugosllavi. (VIJON)

 

(Kosova Sot)