Zhdukja e insekteve - rrezik i heshtur

Zhdukja e insekteve - rrezik i heshtur
  • 21 October 2018 - 10:40

Editorial i "The Guardian"

RËNIA E MADHE GLOBALE E NUMRIT TË INSEKTEVE PARAQET RREZIK THUAJSE PËR TË GJITHA SPECIET E TJERA

Njëri nga momentet klasike në "Simpsons" vjen kur prezantuesi i korruptuar TV, Kent Brockman, sheh në ekranin e tij një buburrec duke lëvizur nëpër një thjerrëz dhe kupton papritmas se nuk bëhet fjalë për një insekt të planetit tonë, por për një alien gjigant duke zbritur nga qielli, i cili do të bëhet njëri ndër "liderët tanë të rinj insekte", një specie të cilës ai menjëherë në mënyrë publike i manifeston besnikëri. Shakaja qëndron te ideja se buburrecat nga jeta reale në mënyrë të paqëndrueshme krahasohen me qeniet njerëzore. Bota, mendojmë ne, mund të funksionojë për merak edhe pa ta, bile më mirë edhe pa mushkonja fare, e as pa insektet e tjera të neveritshme. Kjo bindje është po aq e gabuar sa edhe përkuljet e Kent Brockmanit. Insektet përbëjnë pjesën më të madhe të botës shtazore në Tokë dhe thuajse të gjitha format e tjera të kafshëve varen nga to, direkt apo indirekt. Ato polenizojnë bimët dhe ushqejnë kafshët, sidomos shpezët. Në këmbim, çdo gjë që varet nga këto bimë dhe kafshë, varet nga insektet. Dhe, i tërë ky rrjet i ndërlikuar i eksploatimit të ndërsjellë është duke pësuar kolaps, gjë që ka dekada që po ndodh. Edhe ne jemi pjesë e këtij rrjeti, po aq të varur, sa edhe shfrytëzues. Në ishullin e Porto Rikos, malet e shirave, të ruajtura me shekuj nga ndërhyrja njerëzore, tregojnë një rënie të tmerrshme në numrin dhe llojet e insekteve. 40 vjet më parë kishte 60 herë më shumë insekte atje, sesa që ka sot. Me këtë janë goditur edhe shpezët, si dhe zvarranikët që ushqehen me insekte, duke rënë numri i tyre për një të tretën, deri një të dytën, përgjatë periudhës së njëjtë kohore. I njëjti trend vërehet edhe në rezervatet natyrore të Gjermanisë, ku numri i insekteve duket të jetë zvogëluar për rreth 75%; dhe, këto janë rezultate nga vendet e mbikëqyrura dhe të ruajtura nga intervenimi njerëzor. Kolapsi i botës së insekteve është evident për këdo që shikon Britaninë - fluturat, bletët bile edhe mushicat, të cilat formonin grumbuj në formë të reve, rreth druve, tani thuajse i takojnë së kaluarës. Mungesa e insekteve vërehet edhe në xhamin e përparmë të veturës, ku nuk shihet asnjë insekt i goditur edhe pas udhëtimeve të gjata. Shkaqet e kësaj rënieje globale duket se janë të ndryshme, por që të gjitha, në këtë, apo në atë mënyrë, janë produkt i veprimtarisë njerëzore. Në zonat me mot të butë, popullsitë e insekteve janë më të përshtatshme ndaj luhatjeve të temperaturës, por ato ballafaqohen me një përdorim të madh të pesticideve në bujqësi, si dhe me ndotjen e përgjithshme të ajrit dhe ujit. Në malet tropikale, ku modeli i zhdukjes së specieve përgjatë kohës tregon se duhet të ekzistojë ndonjë faktor i madh, që vepron në tërë ekosistemin, duket se shkaktari kryesor është katastrofa klimatike. Pasojat e këtij kolapsi bëjnë më urgjente përpjekjet politike për të ngadalësuar, apo edhe ndalur ndryshimet klimatike; por edhe si individë ne mund të ndjekim këshillat e Candide's, duke kultivuar kopshtet tona, në mënyrë që insektet të mund të shumohen aty. 

 

(Kosova Sot)