Zeqa:Shpirti i shitur i kryeakademikut!

Zeqa:Shpirti i shitur i kryeakademikut!
  • 22 October 2018 - 09:59

SHKRUAN: FLORIM ZEQA

Bazuar në raportet e shkëlqyera dhe simpatinë që kryeakademiku e ka ndaj njeriut më të urryer në Kosovë, presidentit aktual të vendit, Hashim Thaçi, pashmangshëm të menduarit logjik të dërgon tek konstatimi logjik se libri i ri i kryetarit të ASHAK-ut "Lindja e vështirë e shtetësisë së Kosovës", është vazhdimësi e librit vetëlavdërues të Hashim Thaçit 

I shte vjeshtë e vonë e vitit 2009, ishte kohë e zgjedhjeve lokale në Kosovë, koha kur kishte përfunduar raundi i parë i zgjedhjeve lokale, përkatësisht ishte momentumi politik në prag të balotazhit. Ndodhesha në një lokal në qytetin më të vogël të Kosovës, aty afër tavolinës ku pinim kafe me një mik timin, bisedonin dy qytetarë, ku njëri prej tyre ishte kryetar i degës së LDDsë, ndërsa tjetri qytetar i thjeshtë. Kryetarit i cingëronte pareshtur telefoni, ndërsa qytetari i befasuar e pyeti çfarë po ndodh, ai u përgjigj; "Po më thërrasin dy partitë (AAK dhe PDK) për balotazh". Qytetari i tha mos shko me asnjërën, ndërsa kryetari i entuziazmuar ia ktheu; "Me njërën gjithsesi, ngase na ka thënë kryetari (duke aluduar në akademik Nexhat Dacin), shituni, por mos u shitni lirë"! Kjo thënie më kishte bërë përshtypje, andaj për të vërtetuar këtë mjerim të akademikut, disa ditë më pas bisedova me një liderë tjetër lokal të LDD-së, i cili m'i tha të njëjtat fjalë për shpirtin e shitur të akademikut! Nuk ka mjerim më të madh, kur logjika e shitjes së shpirtit buron nga koka e një akademiku Ngjarja e mësipërme konsiston në periudhën, kur anija me targat e LDD-së, nën udhëheqjen e "timonierit" akademik Nexhat Daci kishte filluar të fundosej më shpejtësi të madhe. Përderisa elita intelektuale e braktisnin "anijen" e Dacit në fundosje e sipër, qytetarët e mashtruar kishin mbetur të hutuar, e kishin të vështirë të besonin në tradhtinë e akademikut! Pavarësisht faktit, se a është e madhe apo e vogël, hajnia është hajni, edhe tradhtia është tradhti! Në kohën kur akademik Daci ishte kryetar i Kuvendit, gjatë një vizite jashtë vendit lakmia ia kishte verbuar sytë. Edhe pse hajnia ishte e përmasave të vogla (një palë syze prej disa qindra eurosh), ishte zyrtari i parë i lartë shtetëror që u ul në bankën e të akuzuarve për abuzim me buxhetin e shtetit. Thika pas shpine e akademik Nexhat Dacit ndaj LDK-së pas Kuvendit të gjashtë ishte tradhtia më e madhe ndaj elektoratit të LDK-së dhe dëmi më i madh për vendin. Ngase, nga ai moment u thye raporti i forcave politike në vend. Forcat progresive e morën tatëpjetën, ndërsa krimi i organizuar dhe antivlerat shënuan fillimin e ngritjes në piedestalin politik. "Lindja e vështirë e shtetësisë së Kosovës", vazhdimësi e librit autobiografik të Hashim Thaçit Bazuar në raportet e shkëlqyera dhe simpatinë që kryeakademiku e ka ndaj njeriut më të urryer në Kosovë, presidentit aktual të vendit, Hashim Thaçi, pashmangshëm të menduarit logjik të dërgon tek konstatimi logjik se libri i ri i kryetarit të ASHAK-ut "Lindja e vështirë e shtetësisë së Kosovës", është vazhdimësi e librit vetëlavdërues të Hashim Thaçit, përkatësisht e njeriut më vetëlavdërues në trojet etnike, në këtë rast e akademik Nexhat Dacit, i cili, sikurse idhulli i tij Hashim Thaçi, çdo veprim apo lëvizje politike në vend e lidh me emrin e tij. Në kohën kur askush në Kosovë nuk e do dhe nuk i beson më Hashim Thaçit, është shpirti i shitur i akademikut që i del në mbrojtje, duke akuzuar elitën intelektuale të vendit që po kërkojnë dorëheqjen dhe largimin e Thaçit nga pushteti për ta shpëtuar shtetin nga ndarja territoriale dhe zhbërja fizike. "Është koha të realizimin të shtetësisë së plotë të Kosovës, e jo për kur po i mbajmë zgjedhjet dhe kur po e rrëzojmë presidentin dhe qeverinë. Si është e mundur në një vend që nuk ka lëvizje të lirisë krejt koha të shpenzohet për këtë", kishte thënë ndër të tjera Nexhat Daci në përurimin e librit të tij. Jo vetëm kaq, kryeakademiku është bërë sponsor dhe mentor i idesë së Hashim Thaçit për ndarje të Kosovës. Nexhat Daci, sikurse dikur nën maskën e rugovizmit që e ndau LDK-në, ai sot nën maskën e Luginës së Preshevës po e ndihmon Thaçin në ndarjen e Kosovës. A ka mjerim më të madh sesa justifikimi nën mashtrim i akademikut, kinse po angazhohet për çlirimin e Kosovës lindore (disa fshatrave të Luginës së Preshevës) nga Serbia! Këmbimi i disa fshatrave të Luginës me Trepçën dhe Ujmanin, përveçse marrëzi dhe mashtrim, është tradhtia më e madhe e shekullit që po kurdiset mbi kurrizin e trojeve etnike shqiptare, gjegjësisht shtetit të Kosovës në veçanti. Kësisoj, akademik Daci, përveç mbështetjes së idesë serbe për ndarje të Kosovës, u bë krah i pushtetarëve të inkriminuar, u bë krah i shundit e kiçit, u bë krah i turpit e hiçit në Kosovë.

(Kosova Sot)