A është me të vërtetë Thaçi shërbëtor i Serbisë apo pa vetëdije po i bën gjëmën Kosovës ?

A është me të vërtetë Thaçi shërbëtor i Serbisë apo pa vetëdije po i bën gjëmën Kosovës ?
  • 09 November 2018 - 08:11

SHKRUAN: FATON MEHMETI

Imazhi i Kosovës asnjëherë s'ka qenë i kontestuar, edhe në mesin e atyre që na kanë mbështetur vazhdimisht. Imazhin po ia nxin ky koalicion qeverisës në pushtet, me njerëz pa kredibilitet politik e as njerëzor. Skandalet e njëpasnjëshme të delegacionit të Kosovës shprehin më së miri mjerimin e thellë ku është futur vendi. Ky koalicion qeverisës brenda saj ka njerëz me të kaluar kriminale, pa peshë në selitë e botës, andaj skandalet janë produkte se çfarë njerëz sot na udhëheqin shtetin. Duke e shtyrë më tutje idenë se jemi të varfër nga niveli i përfaqësimit, duhet thënë se dikur Kosova gëzonte respekt të thellë në botë, kur asaj i printe themeluesi i Kosovës modern, Presidenti historik Dr.Ibrahim Rugova. Derisa sot ajo përfaqësohet nga lobist rus, bashkëpunëtor të Serbisë, dhe kriminelë të kazinove. Kjo gjendje të shtyn të vajtosh ditë e natë se ku ishim e ku jemi. 

Opozita duhet ta luftojë këtë pushtet në pushtet

Krijimi i sistemit të tanishëm e pamundëson rrëzimin e këtij koalicioni me forma dhe mënyra demokratike, pasi pushteti mbahet nga mënyra krejtësisht antidemokratike. Andaj, po qëndrove brenda sistemit të institucioneve rrezikon shumë që opozita të shndërrohet në fasadë të këtij pushteti. Në këtë prizëm opozita duhet ta luftojë këtë pushtet në pushtet me të gjitha mjetet, qoftë protesta, bllokim të Kuvendit, duke detyruar kështu që kjo klasë aktuale në pushtet të largohet nga pushteti. Nuk mund të pretendosh të mbash zgjedhje të ndershme me Thaçin president, e me PDK-në në pushtet. Kjo e keqe duhet të rrëzohet nga pushteti me çdo kusht. Sistemi që e ka ndërtuar krahu i luftës iu ka mundësuar lloj-lloj mafiozi , servili të bëhet deputet dhe ministër. Andaj, s'kemi pse habitemi që deputetët kërcënojnë prokurorët me Kanun. Ku ndodh në botë që deputetët të kërcënojnë prokurorët dhe përsëri të mbajnë poste të tilla, pasi nuk mbahen në burg më shumë se 30 ditë. Kjo sa për të hedhur pluhur syve qytetarëve se gjoja po zbatohet ligji, këto lojëra politike janë të njohura. 

Të largohen nga pushteti, si Qeveria dhe presidenti

Me deputetë që kërcënojnë prokurorët, zv.kryeministër e ministra që prodhojnë skandale s'ka si të mendohet se vendin e presin ditë të mira. Thaçi ose është spiun francez-rus që synon ndarjen e Kosovës, me qëllim të minimizimit të rolit amerikano-britanik në Ballkan, ose i ka ikur truri. Derisa Thaçit do t'i mundësohet mbrojta, strehimi nga arrestimi i Gjykatës Speciale, Qeveria "Haradinaj", në anën tjetër, vazhdon të dëmtojë bizneset, duke iu mundësua oligarkëve marrjen e tenderëve. Kosova, e rrezikuar më shumë nga brenda se nga jashtë. E kam të vështirë të besoj se Thaçi do të largohet nga pushteti pa ia bërë gjëmën e madhe vendit, ashtu siç nuk besoj fare se krahu i luftës do t'i sjellë vendit diçka pozitive. Nëse Kosova do të kishte sadopak demokraci dhe përgjegjësi, atëherë automatikisht Hashimi dhe Ramushi duhet të ishin shkarkuar, për dëmet që po i bëjnë vendit. Derisa Thaçi vazhdon bisedimet me Vuçiqin në kundërshtim me realitetin dhe bindjet e qytetarëve, për çka zotohet se po udhëhiqet nga votat dhe interesat e tyre. Pavarësisht se a me dashje apo pa dashje, Hashimi dhe kjo Qeveri po i bëjnë dëme vendit, andaj sa nuk është vonë me çdo kusht duhet të largohen nga pushteti, si Qeveria dhe presidenti, që vendi të shpëtojë sa më me pak dëme, ndryshe historia nuk do të na e falë. 

 

(Kosova Sot)