Çka po bën o Hashim Thaçi?

Çka po bën o Hashim Thaçi?
  • 10 November 2018 - 08:21

SHKRUAN: MUHAMET KELMENDI

Në takimin e fundit, midis Hashim Thaçit dhe kriminelit Vuçiq, dolën në dritë shumë çështje që kanë domethënie të rëndë dhe që z. Thaçi duhet të përgjigjet, madje edhe penalisht. Kuptohet se askush nuk po ia ndalon dhe as që e diskuton detyrën si president të ketë takime të karakterit ndërkombëtar. Kjo e drejtë buron nga Kushtetuta dhe këtë e ka për detyrë z. Thaçi të kryejë konform normave kushtetuese. Mirëpo, çështja ndërlikohet dhe po merr karakter të veprës penale, të dënueshme kur në diskutim me shtetin kriminel serb janë territoret e Republikës. Me këtë edhe kjo çështje nuk mundet dhe nuk është në kompetencë të z. Thaçi si president i Republikës. Z. Thaçi e shpëton vetëm një veprim: Ai duhet të ftojë urgjentisht seancën e Kuvendit të Kosovës dhe tërësisht në detaje të informojë përfaqësuesit e popullit me diskutimet dhe temat.

E ka shkelur ashpër Kushtetutën e Republikës

Nuk ka mundësi kurrsesi të vazhdohet diskutimi me kriminelin Vuçiq në Bruksel pa e kryer detyrën madhore, atë të marrjes së mandatit nga Kuvendi. Çdo prekje e territorit, qoftë edhe me centimetra, nuk është çështje e z. Thaçi. Ajo është çështje e Kuvendit dhe e popullit të Republikës. Po çka të thuhet për konstatimin e z. Kryeministër? Ai tha:"Unë nuk di se lidhur me çka po diskuton z. Thaçi në Bruksel... Nuk i di temat...". Kjo tregon mjaft. Z. Thaçi kështu e ka shkelur ashpër Kushtetutën e Republikës. Ai disa punë të mëdha dhe të karakterit antikushtetues i ka kryer dhe vazhdon me shkelje të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për t'i bërë këto flasin qartë këto fakte: 1. Normat kushtetuese, nga neni 1 e deri te nenet 17-31, si dhe te kompetencat e veta, si President. Mosbashkëpunimi me Kuvendim dhe me Qeverinë është cenim i rëndë i punëve dhe ashtu bëhet shkelje e rëndë e normave kushtetuese. Aq më parë kur temë e diskutimit, siç ka deklaruar vetë z. Thaçi, është "korrigjimi" i kufijve me shtetin okupues serb. 2. Z. Thaçi nuk e di apo e di dhe me vetëdije vepron në kundërshtim me normat kur e bën temë të diskutimit territorin e Kosovës. Nga natyra e veprimeve si President, kjo nuk ka karakter të përfaqësimit të shtetit, por hyn në punë të brendshme, e ku kompetencat i ka Kuvendi, Qeveria dhe sovrani (populli), si dhe 3. Me këtë veprim ka shkelur nenet 120 -125 të Kodit Penal të Kosovës e ku dënimet janë deri me burg të përjetshëm. Pra, kemi kështu vepra e vepra të dënueshme të z. Thaçi. Por, nëse ka mbetur ndonjë grimcë e ndërgjegjes, duhet z. Thaçi, të rikthehet te Republika dhe të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Çdo vazhdim i mëtejshëm në formën e tillë e bën recidivist penal. Shteti duhet të veprojë.

 

(Kosova Sot)