Taksa për produktet serbe, marketing politik i Qeverisë!

Taksa për produktet serbe, marketing politik i Qeverisë!
  • 13 November 2018 - 08:11

SHKRUAN: FLORIM ZEQA 

Ideja e këtij shkrimi më lindi nga një storie suksesi e Qendrës Tregtare "Plus Center" në Ferizaj, e transmetuar në televizionet tona, e cila më ngacmoi për një pyetje në kontest që e postova në rrjetin social "Facebook"; Kush është pronar i ETC-së (Ekonomski Trgovinski Centar) për Kosovë!? Nga përgjigjet e lexuesve mësova më shumë se një të vërtetë; mësova faktin se shumë nga qytetarët e vendit nuk e kishin pasur fare idenë se çfarë nënkupton "ETC"-ja, përderisa shumica e përgjigjeve të lexuesve në pyetjen e sipërpërmendur ishin të sakta, të bazuara dhe të argumentuara me fakte. Lexuesit konfirmuan pronarët faktik (serbë) menaxherët (shqiptarë) dhe bashkëpunëtorët (pushtetarët) e kompanisë famoze serbe "ETC" në Kosovë, e cila nga paslufta e deri më sot helmon dhe vret qytetarët shqiptar me produkte të dyshimta dhe kancerogjene. Pra, dëmet dhe pasojat e "ETC"-së dhe shumë kompanive tjera serbe që operojnë sot në Kosovë, do të jenë afatgjate për qytetarët dhe shtetin në përgjithësi.

VV-ja, e fuqishme jashtë jetës institucionale

Në mënyrë konsistente, LVV-ja nga themelimi i saj si organizatë politike (subjekt jashtë Parlamentit të Kosovës), është ajo e cila gjithnjë kishte kërkuar dhe kishte vepruar që mallrat nga Serbia të mos hyjnë pa u doganuar në Kosovë, duke bllokuar rrugë e rrotulluar kamionë me mallra që hynin nga Serbia në Kosovë! Mirëpo, një qasje pragmatike e LVV-së i kishte penguar partitë në pushtet, të cilat i jepnin urdhra Policisë së Kosovës për arrestimin dhe burgosjen e aktivistëve të kësaj organizate, për të mbrojtur njëkohësisht shoferët e Serbisë që sjellin mallra të padoganuar, për t'i shpërndarë të papenguar gjithandej pikave të shitjes së "ETC"-së serbe (Ekonomski Trgovinski Centar) gjithandej Kosovës, të mbikëqyrura nga bashkëpunëtorët shqiptarë, gjegjësisht mafio-oligarkët ekonomikë dhe politikë në pushtet. Opozitarizmi i LVV-së jashtë institucioneve ishte shpresë reale e qytetarëve për ndryshime pozitive. Mirëpo, me futjen e saj brenda "sistemit", VV-ja e humbi forcën dhe kreativitetin, por jo edhe besimin e qytetarëve. Edhe përkundër lakores së ngritjeve dhe rënieve në skenën parlamentare, VV-ja tek qytetarët shihet si e vetmja mundësi reale për ndryshim të kursit qeverisës në vend.

"Plus Center" sfidon kompanitë serbe në Kosovë

Hapja e qendrës më të madhe tregtare "Plus Center" e pronarit Sylejman Neziri nga Ferizaj, pa produkte serbe, ishte përgjigjja më e mirë ndaj invazionit të mallrave dhe produkteve (të dyshimta) serbe në Kosovë! Qendra Tregtare "Plus Center" në Ferizaj, është e para në vend me këtë veprimtari biznesore, duke vendosur flamujt e shteteve prej nga vinë produktet (Kosovë e Shqipëri). Pronari i marketit "Plus Center" në Ferizaj, zotëriu Sylejman Neziri, edhe përkundër barrierave të paarsyeshme burokratike për import të produkteve nga Shqipëria, ishte i vendosur në misionin e tij, pa llogaritur fare riskun fiskal nga konkurrenca jo lojale e produkteve serbe në Kosovë. Mirëpo, kompania 'Plus' ishte e vendosur për bojkotimin e produkteve serbe. Suporti më i madh i kësaj kompanie janë konsumatorët besnik dhe prodhuesit vendor. Edhe pse pa mbështetje nga shteti, drejtuesi i kompanisë është i vendosur të sfidoj kompanitë dhe produktet serbe të favorizuara nga pushtetarët aktual. Asnjëherë deri më sot, institucionet e Republikës së Kosovës nuk u kujdesën që të krijojnë mjedis të favorshëm për zhvillimin e ekonomisë, gjegjësisht prodhuesve dhe bizneseve vendore. Përveç importit të produkteve ushqimore, nga Serbia bëhet import i madh edhe i produkteve farmaceutike (barnave) me afate të skaduara si edhe i produkteve ndërtimore.

Taksa e vonuar, marketing politik i Haradinajt

Të gjithë iu gëzuan taksës (së vonuar) qeveritare prej 10 % për produktet e Serbisë, vendim ky shumë vështirë i implementueshëm për shkak të varësisë së skajshme të Qeverisë "Haradinaj" nga Lista "Srpska" dhe Rezolutës 1244 të KS të OKB-së! Situata paradoksale në të cilën ndodhet Parlamenti i Kosovës, ku as pushteti dhe as opozita nuk i kanë numrat e nevojshëm për të marrë vendime, gjegjësisht e kemi pozitën e cila qeverisë me vendin me vetëm 52 deputet, ndërsa në anën tjetër e kemi opozitën që nuk po arrin t'i bëjë dot 60 deputetë! Sikurse njërës (pushtetit), edhe tjetrës po iu qëndron si sandviç në mes "Lista Srpska", e cila në çdo moment po ua prish llogaritë parlamentare. Dhe vërtet, nëse kjo qeveri arrin të shkojë deri në fund të mandatit politik kundrejt shumicës opozitare, atëherë gjasat janë reale që Qeveria "Haradinaj" të hyjë në librin e GENES-it. Megjithatë, nuk do të jetë e mjaftueshme për Haradinajn, vënia e taksës për produktet serbe, as fryrja e qeverisë, sikurse që nuk do t'i mjaftojnë as vizitat nëpër deponitë e bërllokut për të qëndruar tutje në pushtet. Ngase, rrëzimi nga pushteti, Haradinajt mund t'i vijë shumë shpejt si pasojë e kundërthënieve me presidentin Thaçi lidhur me dialogun e Brukselit, përkatësisht themelimit të AKS-së ("Zajednicës") me kompetenca ekzekutive në veri të vendit. Paniku i kryeministrit Haradinaj, më tepër konsiston në mos kuptimin më kohë të "dovëve të gjarprit", përkatësisht dredhive të presidentit Thaçi, i cili, siç duket, qartë i ka përgatitur varrin edhe kësaj qeverie, sikurse asaj paraprake! I ëmbli pushtet i Haradinajt, tashmë po i shijon ditët më të hidhëta e të mjerueshme drejt përfundimit të fronit qeveritar, për t'i kujtuar me nostalgji tre muajt e qeverisjes në kohën e presidentit historik Ibrahim Rugova.

 

(Kosova Sot)