Ja si Labi po e pengon ministrin e Brendshëm

Ja si Labi po e pengon ministrin e Brendshëm
  • 15 November 2018 - 07:57

SHKRUAN: FATON MEHMETI 

Pas një kohe të gjatë i erdhi radha Ferizajt të ketë një ministër, dhe hiç më pak se posti i ministrit të Brendshëm. Kjo falë edhe këmbënguljes së Labinot Tahirit, i cili po arrin të kushtëzojë Pacollin për afro 20.000 vota që i ka sjellë AKR-së në nivel vendi. Deri këtu do të ishte një histori e bukur e tregimit në vazhdim. Përveç, së fundmi ministri aktual, Ekrem Mustafa po del të jetë me lëndë në gjykatë, për shkak të një aksidenti, por kështu s'mund të thuhet edhe për imponimet që po i bëhen ministrit të Brendshëm. Kjo për shkak të imponimit të dy këshilltarëve të tij: Agim Sinani kitarist, i cili është muzikant me profesion, dhe nuk i përket fare lëmit të politikës, përndryshe shok i Labit. Për më tepër, ai rrjedh nga një familje kontrabandistësh, vëllai i tij është i akuzuar për shpëlarje parash, fajdexhi, dhe mban burg për drogë. Si dhe tjetri, kushëriri afërt i Labit, Jetmir Tahiri. Këta nuk marrin as vesh fare nga puna e këshilltarit në Ministri, por Pacolli është i detyruar të veprojë pasi Labi në çdo çast e kërcënon se " t'i kam sjellë 20.000 vota" . I ndikuar nga kërcënimet e Labit, Pacolli nuk guxon të veprojë ndryshe, pos që të pranojë çdo gjë që i vjen nga Labi. Edhe vetë ministri Mustafa, sipas informacioneve që kam brenda në Ministri, nuk është fare i kënaqur me ardhjen e këtyre dy këshilltarëve, pasi i janë imponuar. Labi po del të jetë ai që bën çfarë të dojë me ministrin e Brendshme, duke e privatizuar kontributin e tij dhe faktin se ministri është nga Ferizaj. Pikërisht kjo s'do të duhej fare të ishte pengesë për ministrin e Brendshëm, duke qenë se Ferizaj duhet të dëshmohet se ka kapacitet për të udhëhequr një ministri kaq të rëndësishme. Labi s'duhet të krekoset se është meritori për faktin se Ferizaj ka për herë të parë një ministër, pasi kjo është meritë e të gjithë qytetarëve të Ferizajt. Përndryshe, Ferizaj është qyteti i dytë pas Prishtinës që derdh para në buxhetin e Kosovës, dhe kjo do të ishte e mjaftueshme që kjo komunë të kishte edhe më tepër ministri. Por, kjo nuk i jep të drejtë askujt që të shantazhojë ministrin, duke i dërguar njerëz të pandërgjegjshëm, ndërsa duke i detyruar njerëzit e ndershëm të japin dorëheqje. 

 

(Kosova Sot)