Mbështetësit e Brexit-it po ikin nga kaosi që vetë e shkaktuan

Mbështetësit e Brexit-it po ikin nga kaosi që vetë e shkaktuan
  • 16 November 2018 - 08:08

Shkruan: Rafael Behr

Në çdo ndejë vjen një moment kur, derisa bie muzgu dhe njerëzit fillojnë të kthjellen, kur qejflinjtë e fundit kuptojnë se, kushdo që mbetet i fundit, rrezikon që të ngarkohet me detyrën e pastrimit të tërë asaj rrëmuje. Duke qëndruar tani në kuzhinën kundërmuese të Brexitit, Dominic Raab ka kuptuar se nuk dëshiron që të jetë ai njeri, prandaj edhe ka dhënë dorëheqje. Esther McVey, sekretarja e punës dhe pensioneve, e ka përcjellë atë në largim e sipër. Çdo dorëheqje është e dëmshme për kryeministren Theresa May, por ajo e Raab-it është dyfish më e dëmshme. Së pari, kjo dmth se nuk ka më besimtar besnikë të Brexitit, të gatshëm që ta marrin meritën e autorit të marrëveshjes e cila pritet që të nxirret para parlamentit. Është e vërtetë se në kabinetin qeveritar ka ende disa ithtar të Brexitit nga viti 2016 - Michael Gove, Liam Fox, Andrea Leadsom dhe të tjerë - por ata kanë qenë vetëm tifozë, bile tifozë goxha të heshtur. Derisa i shkruajmë këta rreshta, nuk është e qartë se për sa kohë do të rrinë ata brenda. Por, Raab ishte në një kategori tjetër. Ai ishte aty kur ndodhi Brexiti. Të paktën në teori, kjo ishte marrëveshja e tij. (Në realitet, ajo ishte përgatitur nga zyrtarët që ishin në komunikim të drejtë me kryeministren). Puna është duke u bërë keq Këto dorëheqje konfirmojnë një problem fundamental strukturor me tërë prospektin e daljes: ai ishte një fantazi dhe, si i tillë, i papërshtatshëm me realizimin mondan të përgjegjësisë ministrore. Raab erdhi deri te konkludimi i njëjtë te i cili David Davis dhe Boris Johnson kishin ardhur më herët, gjatë vitit: është më lehtë të jesh në ekipin që akuzon kryeministren që dështon, sesa të jesh i zënë me një post që kërkon ekspertizë të madhe. Largimi nga kabineti i njeriut, titulli i të cilit nënkuptonte pronësinë ndaj tërë procesit, po ashtu i sinjalizon vendit se ekziston diçka thellësisht jofunksionale rreth këtij projekti - sikur vet qeveria e Mayit, po ashtu edhe marrëveshja të cilën ajo është duke e shitur. Kundërshtarët e Brexitit do ta shohin këtë si një dëshmi shtesë se problemi qëndron te vet Brexiti, si i tillë. Puna është duke u bërë keq, meqë ideja fillestare ishte e keqe. Nuk kishte model ekzistues për ta bërë mirë atë punë. Mbështetësit e Brexitit do të insistojnë se fryma, shpirti i ambicies së tyre është tradhtuar nga një kryeministër që asnjëherë nuk e përvetësoi vizionin e saj. Ata me arsye mund të pyesin se, si mund të implementohet Brexiti nga njerëzit të cilët, thellë në vetvete, asnjëherë nuk kishin besuar se ajo ishte ide e mirë? Për ta, përgjigja pro evropiane është një pyetje tjetër: si u bë që shumë prej atyre që me të vërtetë mendonin se Brexiti ishte ide e mirë, i kanë ikur përgjegjësisë së aplikimit praktik të tij? Masa kritike e konservatorëve të përgatitur Dhe, aty gjendet mënyra tjetër me anë të së cilës largimi i Raab-it dëmton kryeministren. Kjo rrëzon njërën prej urave përmes të së cilës mund të kenë ecur anëtarët e tjerë të parlamentit, edhe pse me hezitim, drejt mbështetjes së kompromiseve të May-it. Asaj i nevojitet një masë kritike e konservatorëve të përgatitur që të rreshtohen me kabinetin, të qëndrojnë para kamerave televizive, të flasin rreth tmerrit të dyfishtë të mungesës së marrëveshjes dhe të Brexitit dhe ta përmendin borxhin ndaj interesit kombëtar në përqafimin e asaj që ishte reklamuar si marrëveshja e vetme në ofertë. Çdo refuzim evident për të qenë pjesë e këtij shou ka efekt zinxhiror në dekurajimin e atyre që njërin sy e mbajnë kah verdikti i historisë, e tjetrin kah perspektiva e karrierës së tyre. Tanimë Suella Braverman, ministre lokale në departamentin e Raab-it, ka shkuar hapave të ish shefit të saj. Askush nuk pëlqen që të jetë humbësi, i cili mbetet me duar në xhepa duke blerë aksione në kryeministri, në një kohë kur pjesa tjetër e tregut është duke shitur si e çmendur. Deri më tani, Brexit ka qenë një vozitje e egër, duke i kënaqur në fillim ata që e donin një gjë të tillë, e duke i tmerruar ata që nuk e donin. Por, ndejës po i vjen fundi. Muzika është ndalur. Vendi është i mbushur me duqe cigaresh dhe me kënaçe të zbrazëta. Janë shpërndarë thasët e mëdhenj, të zi. Fytyrat e të pranishmëve në dhomë janë të zymta. Ata e dinë se nuk ka mbetur asgjë tjetër pos caktimit të dëmit dhe kostos. A është për t'u befasuar që të mbeturit e fundit në kabinetin qeveritar janë duke gjetur arsyetime dhe duke ia mësyrë derës? 

(Kosova Sot)