Xhudistet e Kosovës, krenaria jonë kombëtare

Xhudistet e Kosovës, krenaria jonë kombëtare
  • 17 November 2018 - 08:08

SHKRUAN: SKËNDER SADRI KAPITI 

Për politikanët, për intelektualët, për rininë dhe për të gjithë shqiptarët "Kosova është e para". Kosova , Shteti i Ri shqiptar edhe sot e në vazhdimësi ka dhe do të ketë nevojë për kontributin e shqiptarëve të mëdhenj që bëjnë vepra të mëdha. Njerëzit e mëdhenj dhe vepërlartë e lartësojnë kombin, krenarinë dhe imazhin kombëtar. Ata hyjnë në histori, sepse bëjnë historinë. Ata që e kanë Shqipërinë të parën, e kanë edhe Kosovën të parën; dhe ata që e kanë Kosovën të parën e kanë edhe Shqipërinë të parën. Për Kosovën,për lirinë, për pavarësinë e saj sa shumë kanë sakrifikuar, sa shumë jetë njerëzore kanë dhënë jetën; sa shumë lot, vuajtje dhe dhimbje njerëzore ka pësuar populli heroik i Kosovës për bërjen, për ndërtimin dhe për bashkimin e kombit. Ndërkombëtarizimi i Kosovës Sa krenarë ndjehemi si shqiptarë, kur trajneri i madh, Driton Kuka dhe xhudistet e mëdha, sportistet e mëdha shqiptare Majlinda, Distria, Loriana dhe Nora e vendosën Kosovën të parën në Grand Prix në Uzbekistan, shtet ku u mbajt aktiviteti i xhudos, i cili nuk e ka njohur akoma Shtetin e Kosovës. Këto 4 heroina e vendosën Kosovën në krye dhe mbi shtetet e kombet e tjera, duke e ngritur në kulm imazhin dhe prestigjin e Kosovën dhe të të gjithë Kombit shqiptar. Pra, ashtu si dhe herët e tjera më parë, në garat dhe eventet e tjera ndërkombëtare të xhudos edhe këtë radhë heroinat e Kosovës e shkruan historinë e saj me Ar. Dhe, pyesim sot, se kush më shumë sesa sportistet e talentuara të xhudos së Kosovës kanë dhënë e bërë kaq shumë për krenarinë, për lavdinë dhe për imazhin kombëtar dhe për njohjet e ndërkombëtarizimin e Kosovës? Sukseset e sportistëve kanë bërë jehonë në mediet ndërkombëtare Këto janë më se heroina, sepse ato i kanë detyruar madje edhe shtetet të cilat nuk e kanë njohur akoma Shtetin e Kosovës, prej këtyre heroinave edhe ato shtete janë detyruar që t'i njohin dhe t'i respektojnë simbolet e shtetit shqiptar të Kosovës. Shqiptarët të parën duhet ta kenë Shqipërinë dhe Kosovën, Kombin shqiptar. Ky mësim, ky vizion, ky patriotizëm real, ky përkushtim dhe kjo përgjegjshmëri kombëtare vjen si frymëzim edhe nga shembulli kombëtar i këtyre heroinave, të cilat e kanë bërë Kosovën një superfuqi globale, superfuqi të botës më të madhe, të asaj sportive. Sukseset e sportistëve dhe të sportisteve të Shtetit më të Ri, Shtetit të Kosovës kanë bërë jehonë në mediet e madje edhe te politika e diplomacia ndërkombëtare e shteteve më të fuqishme të botës. E përmenda këtë gjë për të treguar se pse ky lloj indiferentizmi djallëzor nga mediet dhe shteti i Shqipërisë për sukseset e sportit kosovar, ku shtetit shqiptar i takon që ta mbështesë sportin kosovar dhe jo ta ketë këtë "nihilizëm", inat apo xhelozi prej "njerkeje" .

(Kosova Sot)