Një Qeveri e shpëtimit kombëtar, alternativë e vetme për Kosovën!

Një Qeveri e shpëtimit kombëtar, alternativë e vetme për Kosovën!
  • 09 October 2015 - 11:09

Shkruan: Faik Krasniqi

Vendit i duhen ndryshime rrënjësore

Opozitë e reformuar rrënjësisht, ose krijimi i një force të re poltike!

Kjo klasë politike është në qorrsokak dhe pazgjidhje, për shkak të dështimit të tyre për të krijuar politika të mirëfillta, që e vënë shtetin në binarë të duhur. Prandaj, nuk më çudisin edhe këto skena të turpshme që po na krijohen në Kuvend, nga kjo klasë politike e pashpresë, e korruptuar dhe e kriminalizuar! Qeveria e Isa Mustafës, për këto 10 muaj na dëshmoi që është vetëm vazhdimësi e keqqeverisjes ''Thaçi 1'' dhe ''Thaçi 2'', por edhe qeverisjeve të mëhershme. Ky koalicion i ka sjellë shumë të këqija Kosovës dhe qytetarëve të saj. Për këtë arsye kjo Qeveri e dështuar, e pashpresë dhe e tejkorruptuar, duhet sa më parë të japë dorëheqje, për t'i hapur rrugën zgjedhjeve të reja. As me këtë opozitë të pareformuar dhe të pashpresë, zgjedhjet nuk do të prodhojnë asgjë të re, sepse as këta nuk janë alternativë që do të punojnë ndryshe dhe do ta vënë shtetin në drejtimin e duhur. Në rast se opozita e tanishme, reformohet dhe sjell në gjirin e saj intelektualë të shumtë dhe të panjollosur, atëherë me të vërtetë do të ishte alternativë e duhur për shtetin dhe qytetarët e saj, sepse kjo klasë politike në përgjithësi, me përjashtim të disa politikanëve është e tejkriminalizuar, e konsumuar, e korruptuar, analfabete, injorante dhe të tillët janë fajtorët kryesorë për gjendjen e rëndë në Kosovë dhe penguesit e moszhvillimit të shtetit, ekonomikisht, politikisht etj. Prandaj, në situatën e rëndë ekonomike dhe politike në të cilën ndodhet Kosova, fatkeqësisht, nuk është zgjidhje largimi nga pushteti i partive që janë në pushtet dhe ardhja në pushtet e partive opozitare. Por, zgjidhja është që të largohet nga skena e gjithë kasta e vjetër politike, e cila është fajtore kryesore për gjendjen e rëndë ekonomike, politike dhe në çdo sferë të jetës. 

Duhen liderë të pakorruptuar

Këtij vendi i duhet gjak dhe mish i ri i gjallë, klasë e re politike, pa hipokrizi dhe jomashtruese, e padjallëzuar dhe e pakriminalizuar, dhe për një mandat Kosovës i duhet një Qeveri e shpëtimit kombëtar, nga njerëz të ndershëm, me integritet dhe të panjollosur, kryesisht nga shoqëria civile, mediat, bota akademike dhe nga disa politikanë që nuk i ka kapur virusi i korrupsionit dhe krimit! Kështu që jemi mes dy alternativave: një opozitë e reformuar rrënjësisht, ose krijimi i një force të re politike dhe nga këta njerëz për një mandat të krijohet një Qeveri e shpëtimit kombëtar, me marrëveshje politike mes partive, shoqërisë civile-mediave dhe bashkësisë ndërkombëtare! Edhe njëra, edhe tjetra do të ishin alternativë e duhur për shtetin dhe qytetarët e Kosovës, sepse alternativë nuk është ky pushtet i korruptuar dhe i kriminalizuar, të cilët duhet të ikin sa më shpejt, por as kjo opozitë e pashpresë dhe e pareformuar!