Pse nuk duhet ta lëmë Rusinë që ta luftojë ISIS-in?

Pse nuk duhet ta lëmë Rusinë që ta luftojë ISIS-in?
  • 09 October 2015 - 11:40

Shkruan: Marc A. Thiessen

SHBA-ja humb terren në Lindjen e Mesme

Siria bëhet një magnet edhe më i fuqishëm për xhihadistët

Putini tani ka një bazë ajrore, e cila i vendos avionët luftarakë rusë pesë minuta nga Turqia, një aleat vend anëtar i NATO-s

Donald Trump thotë: “Lëreni Rusinë që ta heqë qafe ISIS-in. Pse do të duhej të mërziteshim për këtë?” Kjo është një pyetje e drejtë. Çfarë dëmi mund të vijë duke lejuar presidentin e Rusisë Vladimir Putin që ta bëjë këtë luftë për ne në Siri?

Përgjigjja është: shumë dëme.

Së pari, Rusia nuk është duke e luftuar Shtetin Islamik. Sipas Institutit për Studimin e Luftës, sulmet ruse janë bërë kryesisht në zonat që kontrollohen nga grupet e tjera sunite, të cilat presidenti sirian Bashar al-Assad i sheh si kërcënime, duke përfshirë edhe grupet rebele të trajnuara nga dhe të rreshtuara përkrah SHBA-së. Kjo për shkak se qëllimi strategjik i Rusisë nuk është shkatërrimi i Shtetit Islamik, por ta mbështesë regjimin e Assadit, që përkrahet edhe nga Irani, si dhe ta detyrojë Perëndimin që ta mbështesë këtë regjim, po ashtu. Duke e shkatërruar opozitën e moderuar, botës nuk do t’i mbetet ndonjë zgjidhje tjetër, pos që të vendosë midis Assadit dhe Shtetit Islamik. Presidenti Obama duket se nuk është duke e kuptuar këtë. Javën që shkoi, ai me naivitet deklaroi se Rusia nuk do të duhej t’i sulmonte rebelët që mbështeten nga SHBA-ja, meqë na duhet një opozitë e moderuar për ta bërë tranzicionin nga sundimi i Assadit. Mu për këtë shkak Putin është duke i sulmuar ato grupe.

Së dyti, intervenimi i Rusisë në fakt do ta forcojë Shtetin Islamik. Duke eliminuar opozitën e moderuar, Rusia është duke shtyrë të gjitha grupet sunite në duart e Shtetit Islamik dhe të Al Nusrës, që mbështetet nga Al Kaida, duke i bërë ato opsionet e vetme për shumicën e popullsisë që kundërshtojnë Assadin edhe nëse ata nuk kanë pikëpamje të përbashkëta me ideologjinë radikale terroriste. Kjo do ta radikalizojë konfliktin dhe do ta bëjë Sirinë një magnet më të fuqishëm për xhihadistët. Kjo i ndihmon Assadit, të cilit i duhet kërcënimi i Shtetit islamik, për ta justifikuar vazhdimin e ekzistimit të regjimit të tij, si digë kundër tyre.

Forcimi i Iranit

Së treti, prania e re e Rusisë në Siri e forcon Iranin. Nuk është rastësi që Rusia i futi forcat e saja në Siri vetëm pak javë pasi që komandanti i forcave iraniane Kuds, Qasem Soleimani, vizitoi Moskën. Irani, fytyra shiite e radikalizmit, është duke marshuar në Lindjen e Mesme dhe intervenimi i Rusisë fuqizon kërkesën e Iranit për dominim global. Që të dy këto palë përfitojnë. Rusia fiton një prani permanente në Linden e Mesme, me një bazë të madhe ajrore dhe një port në ujërat e ngrohta në Mesdhe, nga i cili mund ta projektojë fuqinë dhe sfidën te SHBA-ja dhe aleatët e saj. Irani furnizohet me armë (sikur që është sistemi i raketave tokë-ajër S-300, me qëllim që ta mbrojë programin e saj bërthamor nga sulmet ushtarake), si dhe formohet një koalicion i ri për ta kundërshtuar ndikimin e SHBA-së, koalicion që do të përbëhej nga Rusia, Irani, Iraku, Siria dhe Hezbollahu libanez. Kjo paraqet katastrofë për interesat e SHBA-së. Sikur që tha gjenerali në pension, Jack Keane për “Fox News Sunday”, një aleancë ruso-iraniane në aspektin strategjik paraqet një ndryshim të situatës në Lindjen e Mesme. Kjo do të ndikojë te secili vend në Lindjen e Mesme dhe me gjasë do ta zvogëlojë ndikimin e SHBA-së”.

Cenohen shtetet e NATO-s

Së katërti, intervenimi i Rusisë dërgon një mesazh të rrezikshëm rreth dobësisë amerikane. Obama i shpalli luftë Shtetit Islamik dhe premtoi “ta shkatërronte” këtë rrjet terrorist. Pretendimi i intervenimit rus është se ne jemi duke e humbur atë luftë dhe se Rusia vjen në ndihmë. Ishte kampanja jonë anemike ushtarake e cila e krijoi këtë vakum, të cilin tani është duke e mbushur Rusia.

Dobësitë tona në Siri mund të kenë pasoja përtej regjionit. Ishte dështimi i Obamës për ta forcuar linjën e tij të kuqe rreth përdorimit të armëve kimike nga Assadi, fakti që trimëroi Putinin ta aneksonte Krimenë. Me dëshmi shtesë të dobësisë amerikane, Putini mundet që edhe më tej ta testojë vendosmërinë e SHBA-së për t’i mbrojtur aleatët tanë të NATO-s në shtetet baltike, apo të tjerët, ndaj të cilëve ne kemi obligime në bazë të marrëveshjeve. Ai tani ka një bazë ajrore, e cila i vendos avionët luftarakë rusë pesë minuta nga Turqia, një aleat vend anëtar i NATO-s. Kundërshtarët e tjerë të SHBA-së, sikur p.sh. Kina dhe Koreja veriore, po ashtu mund të trimërohen që ta testojnë vendosmërinë tonë. Dobësia shkakton provokime.

Humbja e miqve

Së pesti, kampanja e bombardimeve të kryera nga Rusia sinjalizon që SHBA-ja nuk është një aleat i besueshëm. Kur Rusia ia tërheqë vërejtjen SHBA-së që t’ia lëshojë rrugën, derisa sulmon forcat të cilat ne i kemi rekrutuar dhe trajnuar në luftë kundër Shtetit Islamik dhe ne pajtoheni, të tjerët që varen nga garancitë e sigurisë së SHBA-së, e humbin besimin te ne. Qeveria e Irakut sapo ka arritur një marrëveshje të ndarjes së informatave të inteligjencës me Iranin dhe Rusinë. Dhe, kryeministri i Irakut tha këtë fundjavë se Rusia është e mirëseardhur që të lansojë sulme kundër Shtetit Islamik në territorin irakian. Ne tanimë jemi duke biseduar me Rusinë rreth “de-konfliktizimit” të operacioneve tona ajrore, gjë që është një formë e bashkëpunimit ushtarak. Duke mbështetur, apo toleruar operacionet ruse, vetëm sa forcohet bindja në rajon se ne jemi aleatë me Rusinë, Iranin, Assadin, Hezbollahun dhe milicitë shiite të Irakut kundër të gjithë aleatëve tanë tradicionalë.

Obama thotë se nuk duhet të mërzitemi rreth kësaj. Putini është duke vepruar “për shkak të dobësive të tij”, insiston ai dhe, sipas tij, është duke e futur veten në baltovinë, sikur me rastin e sovjetikëve në Afganistan, në vitin 1979. Edhe nëse një gjë e tillë është e vërtetë, kjo nuk do të duhej të ishte ngushëllim për ne. Çka ndodhi kur sovjetikët përfundimisht u tërhoqën nga Afganistani? Pushtetin e morën talibanët, të cilët e ftuan në konak Al Kaidën, ku kjo e fundit më pas e shndërroi këtë vend në strehimore të saj të sigurt, për të planifikuar sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001. Me fjalë të tjera, intervenimi rus në Siri është një fatkeqësi gjeostrategjike për SHBA-në. Për këtë shkak ne duhet të merremi me këtë çështje.