Koalicioni PDK-LDK është joparimor dhe po tregohet jofunksional

Koalicioni PDK-LDK është joparimor dhe po tregohet jofunksional
  • 10 October 2015 - 10:40

Shkruan: Fidan Spahija

Oligarkët politiko-financiarë janë bërë pengesa e madhe e ecjes sonë përpara

Shfaqja e krimit të organizuar dhe korrupsionit galopant gjithnjë e më shumë po e degradojnë shtetin e ri të Kosovës

Kjo Qeveri 'Mustafa-Thaçi' po e them edhe një herë nuk i shërben të mirës së popullit të Kosovës. Ky koalicion nuk e ka realizuar asnjë premtim të dhënë, dhe kjo Qeveri nuk ka me çka të lavdërohet se ka bërë diç në të mirën e Kosovës

Në vend që të mbretëronte dashuria e ndërsjellë pas përfundimit të luftës, si tipar më i lartë njerëzor, u fut fara e përçarjes dhe urrejtjes pa asnjë justifikim. Tiparet e mira që i kishim nga tradita si popull nga të cilat gjë ka mbetur, ishin shpresëdhënëse se do të ndërtojmë shtet funksional dhe shtet ligjor. Lufta për pushtet u bë e tmerrshme. Kosova u nda në dy krahë politikë, në krahun "pacifist" dhe në "krahun e luftës". Kjo ndasi mbi këtë bazë rezultoi me vrasje të shumta deri te vrasjet për motive politike. U vranë shumë veprimtarë dhe ushtarakë të krahut politik të LDK-së të formuar nga kryetari dr. Ibrahim Rugova. Gjithashtu u vranë edhe gazetarë, të cilët e përkrahen partinë politike të presidentit Rugova. Këto vrasje ende të pazbardhura shumë e zvetënuan imazhin e shqiptarëve dhe Kosovës para syve të botës demokratike. Shfaqja e krimit të organizuar dhe korrupsionit galopant gjithnjë e më shumë po e degradojnë shtetin e ri të Kosovës.

Pak është ngritur vetëdija shoqërore

Oligarkët politiko-financiarë janë bërë pengesa e madhe e ecjes sonë përpara. Privatizimi i pronës shoqërore u bë në mënyrë më të keqe të mundshme. Hajnitë, plaçkitjet, zhvatja e pasurisë shoqërore edhe 16 vite pas luftës nuk po kanë të ndalur. Brenda natës na dolën në sipërfaqe milionerët e rinj, në kurriz të popullit i cili po vuan edhe për bukën e gojës. Gjendja sociale gjithnjë e më shumë po thellohet. Mbi 15 për qind të qytetarëve po jetojnë skajshmërisht të dobët. Shifra e të papunëve ka arritur në përmasa alarmante. 45 për qind të të rinjve tanë po bredhin rrugëve. Kosova po zbrazet si në kohën e okupimit klasik nga Serbia. Zhvillimi i ecurive ekonomike ka shënuar stagnim tash e një kohë të gjatë. Kemi arsim të nivelit jo të dëshiruar. Shëndetësi në kolaps. Çdo hallkë e sistemit funksionon me të meta të mëdha. Kosova u përball me valën e protestave nga kriza politike. Ishim dëshmitarë të eksodit të dytë të shqiptarëve nga paperspektiva e krijuar për të jetuar në Kosovë. Pak është ngritur vetëdija shoqërore, se askush nuk mund të ngritet mbi ligjin. Me këtë klasë politik edhe më këta pushtetarë të kriminalizuar dhe të korruptuar, nuk ka mundësi të përparimit të gjithëmbarshëm.

Mosfunksionimi i duhur i organeve të drejtësisë

Mosfunksionimi i duhur i organeve të drejtësisë, bëri që faktori ndërkombëtar të na adresojë një mori kritikash. Kështu janë punët keq, kur shtetin po e udhëheqin të padijshmit, dhe lakmitarët për pushtet absolut. Gjendjen për të mirë mund ta ndryshojë vetëm populli, duke e ndëshkuar këtë klasë politike, me votën e lirë. Edhe unë si anë- tari LDK-së, por edhe shumica e elektoratit nuk e ka dëshiruar koalicionin me PDK-në, sepse është koalicion joparimor me koncepte politike diametralisht të kundërta. Isa Mustafa me disa në krye të strukturës së LDK-së nuk i mori parasysh interesat e LDK-së dhe as interesat e vendit, kur lidhi koalicion me partinë e Hashim Thaçit. LDKedhe vetë Isa Mustafa disa herë kishte deklaruar se kurrë nuk do të bëjnë koalicion me PDK-në, ku në mesin e saj konsiderohet se ka njerëz të SHIK-ut, e të cilët akuzohen për vrasjet politike të pasluftës. Kjo Qeveri 'Mustafa-Thaçi' po e them edhe njëherë nuk i shërben të mirës së popullit të Kosovës. Ky koalicion nuk e ka realizuar asnjë premtim të dhënë, dhe kjo Qeveri nuk ka me çka të lavdërohet se ka bërë diç në të mirën e Kosovës, ku PDK-ja ka shtatë vite radhazi në qeverisje të këtij shteti të ri, i cili meriton shumë më shumë se aq dhe jo një të tillë sikur kjo tani. Dhe niveli i sigurisë është larg çdo standardi që e karakterizon çdo shtet demokratik. Askush nuk është i sigurt se çka do t'i ndodhë në të nesërmen...