Veprimet e Serbisë për blerjen e kohës

Veprimet e Serbisë për blerjen e kohës
  • 13 October 2015 - 15:15

Shkruan: Ragip GURAZIU

Dilemat dhe shqetësimet e qytetarëve të Kosovës për krijimin e situatës në Kuvend janë të arsyeshme

Beogradi zyrtar ka fituar që nga dita kur është aprovuar pakoja e Ahtisarit

Gjendja momentale ka eskaluar aq shumë, sa nuk ka mundësi për marrëveshje ndërmjet pozitës dhe opozitës

 

Këto dilema dhe shqetësime sa i përket bllokadës së Kuvendit, barten te qytetarët e Republikës së Kosovës, gjegjësisht votuesit që kanë menduar se votën e tyre të shenjtë e kanë adresuar në vendin e shenjtë. Dhe kanë një arsye shumë të madhe ku gjendja momentale ka eskaluar të gjitha mundësitë e një marrëveshje në mes pozitës dhe opozitës, gjegjësisht kryeministrit të shtetit të Kosovës,Isa Mustafa.

Dihet se që në fillim në këto bisedime me Serbinë, opozita i ka kundërshtuar. ''Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se integriteti territorial i pakontestueshëm dhe sovraniteti i padiskutueshëm” ,kështu thanë ekipi negociues i Kosovës  me Serbinë, në krye me kryeministrin Isa Mustafa, zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi?! Atëherë u shtruan pyetjet nga opozita, në cilin sovran bën pjesë Veriu i Kosovës?!

Në këto bisedime teknike siç u quajtën, opozita ka qenë në dijeni se këto bisedime do të  përfundojnë politike. Ka qenë qartë e ditur që më parë se kjo që ndodhi tani nga opozita në bllokimin e seancës së fundit të Kuvendit të shtetit të Kosovës dhe u pa si u nis dhe si përfundoi, por nuk e dimë tani si do t’i kthehen realitetit dhe në binarë të duhur. Veprimet e opozitës u panë si tmerr, por kryekuvendari Kadri Veseli po mundohet me qenë papë mbi papën dhe po shihet paaftësia e tij për të udhëhequr me Kuvendin. Ai duket të jetë i paaftë totalisht. Duhet të jemi në dijeni se këta djemtë dhe vajza të opozitës, deputetë në Kuvendin e Kosovës edhe e kanë dekretin e qytetarëve të po këtij shteti dhe kryeministri Mustafa që po garanton se në këto bisedime nuk ka humbur Kosova asgjë, duhet të ulë gjakrat dhe duhet të bisedohet me opozitën gjithsesi e jo me lejuar që të na përqesh e gjithë bota dhe aq më pak nga ndërhyrja e ndërkombëtarëve.

 

Pakoja e Ahtisarit na ka treguar rrugën e Kosovës?!

Lufta e popullit shqiptar të Kosovës për liri e demokraci, për dije e dritë, ka një histori të gjatë e të lavdishme, tragjike dhe heroike njëkohësisht. Ajo është pjesë e pandashme e historisë së popullit shqiptar për liri e bashkim kombëtar, për zhvillimin dhe përparimin, për shtetin ligjor të qytetarëve të lirë e të barabartë.

Serbia dhe miti serb, i përkrahur edhe nga Akademia e Shkencave të Serbisë, asnjëherë nuk e lë rehat Kosovën, shi për këtë, duke pretenduar se 'zemra' e tyre është Kosova!

Në rast se kemi rrëshqitur, kemi rrëshqitur me Pakon e Ahtisarit, pasi e kemi pranuar dhe që iu mundësohet enklavave serbe të kenë lidhje horizontale me këtë farë decentralizimin që iu mundësua serbëve të Kosovës të bëhen me komuna aty ku ka enklava, edhe pse janë minoritet e që këtë privilegj nuk e shijon asnjë minoritet, qofshin shtetet rajonale, ballkanike, evropiane apo edhe botërore. Këtu nuk po llogaritim vetë shtetin serb, tri komunat e Luginës së Preshevës me shumicë shqiptare, pa i llogaritur shqiptarët që jetojnë në Beograd, e që ka nja dhjetë herë më shumë sesa serbë në tërë Kosovën, dhe nuk e kanë këtë privilegj sa serbët që jetojnë në Kosovë. Por, jam i sigurt, qind për qind, se këto privilegje as për së afërmi nuk i kanë as minoritetet e tjera në vetë shtetin serb.

Me këto provokime dhe me barrikada nga serbët e veriut të Mitrovicës, e që unë jam shumë i bindur se këto barrikada ishin të organizuar nga mbeturinat kriminele të Milosheviqit dhe strukturave udhëheqjes nga Beogradi, kriminelët të cilët kanë kryer krime në Kosovë, nuk do të kenë dobi, sepse tani e tërë bota është përqendruar dhe e ka kthyer kokën nga veriu i Mitrovicës dhe kthim prapa nuk ka. Kështu së paku ka garantuar Qeveria dhe strukturat e tjera politike të shtetit të Kosovës.

Por, edhe një gjë duhet ditur të gjithë ne dhe të tjerët që janë këtu për sundimin e ligjit dhe rendit kushtetues. Se, në fakt, Kosova, sipas asnjë dokumenti kushtetues të vitit 1974, nuk ishte 'pjesë integrale e Serbisë nën sovranitetin e kësaj njësie federale'. Kosova ''ishte njësi konstituive - njësi federale e Federatës multinacionale të Jugosllavisë dhe vetëm si e tillë në bazë të prezumcionit konstitucional 'të interesit të përbashkët' të Kosovës dhe të Serbisë ajo si 'corpus separatum', me sovranitet të vetin politik dhe kushtetues, ishte dhe në kuadër të Republikës së Serbisë''.

 

Serbia po fiton terren

Në këtë moment, unë mendoj, NATO-ja, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja kanë metoda të tjera të zgjidhjes së problemeve në veriun e Kosovës dhe nuk besoj se do të përsëritet konflikti i armatosur i Serbisë me NATO-n, por as Rusia nuk ka më ''kaçik'' për konflikte, pasi veç është në konflikte me tërë botën.

Beogradi zyrtar ka fituar që nga dita kur është aprovuar pakoja e Ahtisarit. Çdo veprim i qeverisë serbe ka si qëllim blerjen e kohës dhe krijim e mjegullës në arenën ndërkombëtare. Kosova si gjithmonë lë hapësirë për krijimin e fushëbetejave të reja, të cilat pastaj shpallen si fitore. Serbia jo rastësisht pranoi planin Ahtisari, prandaj herët apo vonë dhe Kosova do të ballafaqohet me një shtet jofunksional. Çdo gjë po shkon drejt krijimit të një realiteti se krejt kjo gjendje e krijuar është thjesht për arsye të mosmarrëveshjeve politike e jo për shkak të terrorit shtetëror 100-vjeçar ndaj shqiptarëve e edhe me pak për shkak të luftës serbe ndaj shqiptarëve. Ma gjej në Kosovë një të vetmen dëshmi se para 12 vjetësh vendi ka përjetuar luftë! Kosova po fiton në plan të shkurtër, në plan të gjatë do të fitojë Serbia. Fatkeqësisht. Shteti i Ahtisarit nuk do të jetë fitore. Mohimi i luftës dhe barazimi i viktimës me kriminelin nuk janë fitore!

(Kosova Sot)