Lufta e drejtë kundër terrorizmit

Lufta e drejtë kundër terrorizmit
  • 26 November 2015 - 11:06

Shkruan: Chris Patten

Tensionet në botë

Demagogët që mundohen të shkaktojnë përçarje në mes të burrave dhe grave të besimeve dhe etnive të ndryshme do t’i përçajnë shoqëritë tona në momentin kur ne duhet të jemi të bashkuar. Kjo gjë shndërrohet në armë në duar të terroristëve

 

Të hënën e kaluar pata udhëtuar nga Londra në Paris. Nevojiten vetëm dy orë e gjysmë për të shkuar atje me tren. Jemi fqinj, historitë dhe popullsitë tona janë të gërshetuara. Mbesa ime dhjetëvjeçare do të shkojë atje javën tjetër me prindërit e saj, për ta festuar ditëlindjen. Ajo është e dashuruar në gjithçka që ka mësuar për Parisin. Andaj, ngjashëm me londinezët tjerë dhe qytetarët e tjerë të shoqërive të lira, edhe ajo ishte tmerruar nga aktet e fundit të dhunës atje. ‘Mendoj që kjo ka mundur të ndodhë edhe këtu’, më ka thënë ajo. Pra, ka qenë e mundur – ngjashëm siç ka ndodhur në vitin 2005 në Madrid, ka mundur të ndodhë në Londër, Amsterdam, Berlin, Romë apo në cilindo qytet tjetër të Evropës. Presidenti i Francës, François Hollande, ka deklaruar që ne jemi në luftë me të ashtuquajturit Shteti Islamik (ISIS), dhe ‘ne’ na përfshin edhe mua e ty. Lufta e Francës është edhe luftë e Britanisë dhe e Evropës. Na përfshin të gjithëve. Globalizimi nuk nënkupton vetëm mango nëpër tregje në mes të dimrit, udhëtim më të lehtë dhe internet. Terrori dhe barbarizmi janë globalizuar, gjithashtu. Burrat dhe gratë mund të mësohen, trajnohen dhe të armatosen nga një largësi e madhe dhe mund të dërgohen nëpër lagjet tona për të vrarë a masakruar. Terrori ndërkombëtar kërkon përgjigje ndërkombëtare. Mirëpo, një përgjigje e tillë duhet të përfshijë edhe dialogun e diplomacinë. Nuk duhet që si pasojë e horrorit e frikës t’i harrojmë vlerat tona. Kjo është pikërisht ajo që e duan terroristët. Ne nuk duhet t’i demonizojmë të gjithë myslimanët. Nuk duhet t’i djegim urat e besimit. Nuk duhet t’i braktisim vlerat më të mëdha të civilizimit evropianë, përfshirë këtu edhe obligim për t’i strehuar refugjatët që ikin nga të këqijtë. Reagimi i kancelares gjermane, Angela Merkel, ndaj numrit të madh të refugjatëve, duhet të lavdërohet e jo të dënohet.

 

Qëllimet e drejta politike

Demagogët që mundohen të shkaktojnë përçarje në mes të burrave dhe grave të besimeve dhe etnive të ndryshme do t’i përçajnë shoqëritë tona në momentin kur ne duhet të jemi të bashkuar. Kjo gjë shndërrohet në armë në duar të terroristëve. Nga Bejruti në Paris, sulmet terroriste janë përpjekje e qartë për t’i shtuar tensionet në mes të komuniteteve. Marine Le Pen nga Fronti Kombëtar i Francës dhe të tjerët si ajo mund të jenë rreshterë që rekrutojnë militantë të ISIS-it. Diplomacia ka marrë një shtytje të fuqishme në takimin e fundit të G-20-s në Turqi. Kjo, mbi të gjitha, nënkupton detyrimin e rivalëve kryesorë në Lindjen e Mesme, Arabinë Saudite që udhëhiqet nga sunitët dhe Iranin, që udhëhiqet nga shiitët, të ballafaqohen me përgjegjësitë e tyre për reduktimin e ashpërsisë në mes të këtyre dy sekteve. Shtetet perëndimore kanë qenë viktimë e vazhdueshme e armiqësisë mes Arabisë Saudite dhe Iranit. Duhet t’i japim fund përçarjeve në mes të atyre që gjenden në Siri, e që janë kundër ISIS-it. Kjo mund të përfshijë edhe dhënien e një roli afatshkurtër presidentit  Bashar al-Assad. Mirëpo, një president që ka hedhur bomba në qytetarët e vetë nuk mund të jetë pjesë e një zgjidhje afatgjate për paqe. Qëllimet e drejta politike dhe prioritetet e sakta diplomatike janë shumë të rëndësishme. Mirëpo, ne duhet të jemi në dijeni të faktit që nuk do të jemi në gjendje ta mposhtim ISIS-in pa një përpjekje ushtarake më të fuqishme, më efektive dhe më mirë të koordinuar. Ne duhet ta nxjerrim ISIS-in jashtë kalifatit që e kanë shpallur në Siri dhe Irak. Në të kundërtën, territori që ky grup kontrollon do të vazhdojë të jetë një vend shumë i përshtatshëm për trajnimin e vrasësve. Ndoshta intervenimi më i madh ushtarak do të provokojë mizori të tjera. Mirëpo, ajo që është e sigurt është që sulmet ndaj civilizimit tonë do të vazhdojnë deri sa ne nuk ia heqim kokën ISIS-it. Siç e thonë shpesh terroristët, ne duhet të tregohemi të suksesshëm në ndaljen e sulmeve të tyre çdo herë, ndërsa ata duhet të jenë të suksesshëm vetëm aty-këtu.

 

E gjithë Aleanca duhet të përkushtohet në mbrojtjen nga terrorizmi

Kundërshtarët e intervenimit ushtarak e citojnë dështimin në Irak dhe Afganistan për ta justifikuar mosveprimin. Ne duhet të mësojmë nga këto dështime. Mirëpo zbutja nuk është mësimi që duhet nxjerrë. Ne nuk do t’i ruajnë shoqëritë tona nëpërmjet bombardimit të ISIS-it me emra të fortë e folje të dobëta, mirëpo me eksplozive të fuqishme. Kryeministri britanik, David Cameron, e kupton qartë rëndësisë e rritjes së presionit ushtarak mbi ISIS-in, mirëpo ai është ndalur nga përçarjet në Partinë e tij Konservative dhe në Parlament në përgjithësi. Mirëpo Evropa, në fakt, civilizimi, nuk mund të mbahet e sigurt nga mendimet shpresëdhënëse. Është e vërtetë që shumica e ushtarëve duhet të jenë arabë, iranianë dhe kurdë, mirëpo ata kanë nevojë për një mbështetje më të fuqishme – jo vetëm nëpërmjet sulmeve ajrore apo nëpërmjet furnizimit me armë e sigurimit të trajnimeve, mirëpo edhe nëpërmjet forcave speciale të Perëndimit. Ekziston edhe një argument i fuqishëm për NATO-n që ta kuptojë që njëri prej anëtarëve të vetë, Franca, është sulmuar dhe si rrjedhojë e ka të drejtën e aktivizimit të Nenit 5 të Traktatit të Atlantikut Verior, që siguron mbrojtje të përbashkët. E gjithë Aleanca duhet të përkushtohet në mbrojtjen nga terrorizmi. Megjithatë, kjo nuk është vetëm lufta e Evropës ose e SHBA-së. Kjo luftë po bëhet për rendin global në një botë përparimtare. Rusia dhe Kina duhet ta bëjnë të qartë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që shkatërrimi i ISIS-it është edhe lufta e tyre. Të gjithë ata meshkuj e femra, që janë vrarë në Paris, nuk është dashur të masakrohen. Vdekjet e tyre duhet të na shtyjnë të sigurohemi që Parisi, qyteti i dritave, do të na ndihmojë në largimin e errësirës që kërcënon ta pushtojë shekullin që e kemi para nesh.

 

Chris Patten ka qenë guvernatori i fundit britanik në Hong-Kong dhe është ish-komisionar i BE-së për punë të jashtme. Për momentin është Rektor në Universitetin e Oksfordit.

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”