Fundi i marrëzisë së Evropës pa kufij

Fundi i marrëzisë së Evropës pa kufij
  • 28 November 2015 - 16:49

Shkruan: Wolfgang Münchau

BE-ja mund ta kallajisë Schengenin, por jo edhe ta rregullojë atë

Në fakt, janë dy mundësi, të riparohet zona Schengen, apo të kthehemi te sistemet kombëtare

Meqë nuk do ta rregullojmë Schengenin, atëherë le të kthehemi te kontrollimi kombëtar i kufijve. Kjo do të jetë tepër e shtrenjtë, sidomos për Francën, të cilës ende i duhet që ta ndërtojë një shërbim funksionues të sigurisë kombëtare

Njëra nga pasojat e paevitueshme të sulmeve terroriste në Paris, është se Franca do të shpenzojë më shumë në siguri, sidomos në inteligjencë. Kështu do të veprojnë edhe pjesa më e madhe e shteteve të tjera të zonës Schengen.

Schengen është emri për zonën e lirë të udhëtimeve pa pasaportë, që përbëhet nga 26 vende evropiane, duke përfshirë këtu 22 shtete të BE-së. Javën e kaluar u bë e qartë se rrjeti i sigurisë, i cili do të duhej të kishte operuar në qetësi dhe me efikasitet në prapavijë të Schengen-it, nuk ishte duke funksionuar. Vdekja e Abdelhamid Abaaoudit gjatë një bastisje policore në periferinë parisiene të Saint-Denis, në një aspekt ishte sukses i madh. Policia e gjeti terroristin e dyshuar, i cili kishte koordinuar sulmet e tij me sulmet e tjera. Në një nivel tjetër, vdekja e tij po ashtu paraqiste tronditje të madhe. Çka dmth kjo për Schengenin nëse njëri ndër kriminelët më të mëdhenj ishte në gjendje që të lëvizte i lirë midis Sirisë, Francës dhe Belgjikës? Kjo nuk do të duhej të ishte e mundur. Në parim, ka dy mundësi. Të rregullohet Schengeni; ose të kthehemi te sistemet kombëtare. Që të dyja këto janë funksionale. Varianti i parë është më ekonomik, por është më vështirë i realizueshëm në aspektin politik. I dyti është më lehtë politikisht që të bëhet, por do të paraqiste një tronditje të shpenzimeve të shkallës makroekonomike për shumë shtete.

Riparimi i Schengenit

Riparimi i Schengenit do të duhej të shkonte përtej agjendës jo ambicioze të ministrave të drejtësisë dhe atyre të brendshëm, të cilët u takuan të premten e kaluar për të shqyrtuar disa propozime praktike. Problemi me Schengenin është se, brenda pak javësh, ai e ka humbur asetin e tij më të madh – besimin e njerëzve. Është e qartë se presidenti François Hollande nuk ka besim në të. Pse, përndryshe, do ta rikthente kontrollimin kufitar ai?

Që Schengeni ta rikthejë besimin, kontrolli i kufijve të përbashkët të jashtëm do të duhet të jetë i standardit më të mirë të çdo vendi anëtar. BE-ja e ka një agjenci, “Frontex”, me seli në Varshavë, e cila ka për detyrë ta koordinojë politikën dhe të mbajë standardet. Por, në zonën Schengen çdo vend është përgjegjës për mbajtjen e kontrollit të kufijve të vet të jashtëm. Kufiri i jashtëm i Greqisë, psh, është po ashtu pjesë e kufirit të përbashkët të jashtëm të zonës Schengen.

Frontex nuk i ka mjetet për ta bërë punën e vet të kufizuar, si duhet, e lëre më që të veprojë si njësit kufitar i nivelit federal, gjë që do të duhej të ishte në fakt. Amerika i ka shërbimet e nënshtetësisë dhe imigracioneve, të cilat janë pjesë e Departamentit të Sigurisë së Atdheut dhe Rojën Bregdetare, e cila është degë e forcave të armatosura. Në Evropë, ne mbështetemi te shërbyesit civilë, që t’ia pasojnë informatën njëri-tjetrit. Apo që të mos e bëjnë këtë gjë, sikur që është konstatuar të jetë.

Rikthimi i policëve në kufi

BE-ja mund ta kallajisë Schengenin, por jo edhe ta rregullojë atë. Ju tingëllon e njohur? Kur filloi kriza e eurozonës, ajo do të mund të tejkalohej me disa veprime vendimtare. Por, nuk ekzistonte një shumicë politike për një zgjidhje të nivelit federal të krizës bankare dhe të borxhit sovran. Pse liderët e BE-së do ta bënin gjënë e duhur për Schengen-in, kur ata dështuan që ta bënin atë për eurozonën?

Alternativa do të ishte që të shkatërrohej Schengeni, të ktheheshim te sistemet kombëtare dhe ndryshimet e nevojshme të bëheshin në shtëpi. Kjo është ajo që pres të ndodhë. Ky nuk është një opsion i keq. Ai do të funksionojë meqë shtetet anëtare ende e kanë infrastrukturën e tyre bazë. Por, është tmerrësisht jo efikase për 26 vende që të operojnë me rrjetet e tyre të inteligjencës dhe të kontrollojnë me polici kufijtë e tyre. Vetëm gjatësia e kufirit rreth Gjermanisë dhe Francës është rreth 3,000 km secili. Kufiri i jashtëm tokësor i zonës Schengen është vetëm 8,800 km. Nëse ai do të dështojë, atëherë do të kthehen kufijtë e brendshëm.

Para sulmeve, ata ishin thuajse të padukshëm. Rrugës nga Brukseli për në Paris, e keni pasur vështirë ta hetoni se keni kaluar nga njëri në shtetin tjetër. Schengeni ndikoi që distrikti Molenbeek i Brukselit dhe ai Saint Denis i Parisit verior, të ishin një fqinjësi e përbashkët. Terroristët jetonin në Bruksel, e punonin në Paris.

Meqë nuk do ta rregullojmë Schengenin, atëherë le të kthehemi te kontrollimi kombëtar i kufijve. Kjo do të jetë tepër e shtrenjtë, sidomos për Francën, të cilës ende i duhet që ta ndërtojë një shërbim funksionues të sigurisë kombëtare.

Kjo do ta shkaktojë zemërimin e taksapaguesve të eurozonës. Franca duhet ta kthejë, qoftë edhe në mënyrë të njëanshme, klauzolën e një rrethane të jashtëzakonshme sipas rregullave të buxhetit evropian.

Qëllimi thelbësor është që të ruhen njëra ndër të mirat më të rëndësishme të përbashkëta që BE-ja mund t’ua ofrojë qytetarëve të saj: një siguri të brendshme moderne dhe profesionale. Schengeni nuk mund ta bëjë këtë. Por, shtetet kombëtare munden dhe duhet të lejohen ta bëjnë këtë.