Profeci e plotësuar apo e tejkaluar?

Profeci e plotësuar apo e tejkaluar?
  • 29 November 2015 - 20:48

UÇK-ja nga 13 mijë ushtarë sa u numëruan pas luftës, dolën mbi 30 mijë më 2015

Shkruan: Arianit Sllamniku

“Kosova shtet i pavarur dhe neutral, i hapur ndaj Serbisë dhe ndaj Shqipërisë, me të gjitha garancitë për serbët lokal, me një protektorat civil ndërkombëtar, si fazë kalimtare, është zgjidhja optimale, e cila do të qetësonte rajonin”

Po e nisim këtë zbërthim retrospektiv me thënien e vitit 1997 të Presidentit Rugova, që asokohe ishte arma e vetme e përafrimit të faktorit ndërkombëtar rreth mbështetjes paqësore të kauzës kosovare, e që si duket kjo fjali e ka lidhur edhe fatin e shtetit tonë që po na përcjell sot e asaj dite e që realisht asokohe në rrethanat të cilat ndodheshim atëherë, nuk kishte dhe nuk gjendej artikulim më diplomatik dhe “të mençëm” të lidershipit kosovar.

Profecia e shtetit të vetëshpallur nuk po i shkoqitet asaj thënie të cilën pastaj i paraprijnë edhe ngjarjet të cilat po nuk u menaxhuan mirë, do të kthehemi në kohën e pas fjalimit të famshëm të Fushë Kosovës nga lideri i serbëve Millosheviq.

Ngjarja pason krijimin e institucioneve paralele ne vend si dhe tendencave e Vatikanit për përafrim shqiptaro-serb, rezultuan në refuzim nga pala serbe siç ishte ai i Shën Exhidios, ku pastaj filluan të kërcasin pushkët e para të grupeve të armatosura e që në fillim i quajtën terroristë por pas ristrukturimit në hierarki,  u njohën si ushtarët e lirisë.

Me fillimin e konfliktit civil edhe shpërfilljen e intervenimit ushtarak të NATO-s nga takimi i Rambujesë, Kosovën e priu fati i kryeneçësisë së ekipit serb që refuzuan marrëveshjen dhe assesi strategjia diplomatike e shqiptarëve, të cilët kërkonin kohë shtesë për ta pleqnuar kërkesën e aleatëve në kohën kur në Kosovë nuk ndalej dhuna.

Viti 1999 Kosovën e la me mbi 1 milion të shpërngulur dhe me dhjetëra e mijëra të vrarë para se të fillojë intervenimi i Aleancës Veriatlantike që zgjati 78 ditë bombardime nga ajri, e cila u kapitalizua me Marrëveshje të nënshkruar nga  përfaqësuesit e dy forcave gjenerali Xhekson dhe gjeneralit të ushtrisë serbe.

 Marrëveshje dhe jo kapitullim!

Marrëveshja e Kumanovës e 10 qershorit të vitit 1999 do të mundësojë tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe futjen e 37.200 trupave të Aleancës së 36 shteteve të botës nën rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Në të njëjtën kohë NATO nënshkruan demilitarizimin e ushtarëve të UÇK-së të përfaqësuar nga gjeneral Çeku, i cili dorëzon edhe listën e hierarkisë ushtarake të saj me numrin e saktë të ushtarëve me gjithsej 13.000 ushtarë por që si kryetar i Komisionit për verifikimin e veteranëve në vitin 2015 doli të ishte 30.000 sosh!

Në këtë pikë kemi arritur që profecia e presidentit të përmbushet në përpikëri!

1. Kosova shtet i pavarur,

2. ?

3. Me garancitë për pakicat (serbët),

4. Protektorat civil ndërkombëtar si fazë kalimtare.

Deri këtu jemi në rregull, po mendoj me elaborimin e ngjarjeve, por jo edhe me gjendjen aktuale politike në vend, sepse ajo po e tejkalon këtë të ashtuquajtur profeci.

Të paplotësuar e kemi vetëm pikën 2 e cila thotë: “Neutral ndaj Shqipërisë dhe Serbisë”.

Të tejkaluar nuk e kemi çështjen e decentralizimit apo marrëveshjen e Vjenës, alias Plani Ahtisari por të tejkaluar e kemi rregullimin e brendshëm shtetëror të pas pavarësisë të pasuar me kërkesa dhe favore të Beogradit, që do të duhej të ishte neutral edhe Tirana e lëre më Beogradi, pastaj vendimet e ndjeshme pa referendum apo ende pa kaluar nëpër institucionet e ligjvënëse të Republikës, si çështja e demarkacionit e sidomos anarkia e një pjese të vendit edhe 7 vite pas shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran.

Të tejkaluara janë edhe vizitat e paparalajmërim të krerëve ushtarak serb në Kosovë, si dhe bisedat rreth hapësirës ajrore të Kosovës me KFOR-in ku pasojnë deklaratat e tejskajshme të kryeministrit të vendit se: “ata (përfaqësuesit ushtarak të NATO-s dhe ushtarakët serb) takohen pa na njoftuar neve dhe ata mund të merren vesh në kuadër të mandatit të tyre!

Hapësira ajrore e Republikës është mandat i KFOR-it dhe i bie se KFOR-i e paska atë komoditet që në të ardhmen me ia dhënë në menaxhim apo edhe shfrytëzim ushtrisë serbe.

Nëse pas decentralizimit të vendit dhe vazhdimit të hyrje-daljeve të krerëve shtetëror serb në Kosovë pa paralajmërim, me nënshtrim të faljes së tokave shteteve fqinjë dje në Karaçevën e Anamoravës, sot në Rugovën e Dukagjit, nesër liqenin e Ujmanit bashkë me hapësirën ajrore, atëherë vërtetë mospërmbushja e apostulatit profetik për shtet sovran e vënë në pikëpyetje ekzistencën e tij.