Frika si municion

Frika si municion
  • 29 November 2015 - 20:50

Mediet e Qeverisë në “aksion” kundër opozitës

Shkruan: Gëzim Mekuli

Gjuha është mjet i politikanëve për të përcaktuar botën dhe për të ndryshuar atë. Ne jetojmë në “kohën e fuqisë së gjuhës”.

Ja një shembull i keq i retorikës që mediet e Qeverisë po e përdorin si “municion” me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes me Serbinë. Në lajmet e kontrrolluara nga hapësira doksike e “të fuqishmit”, ndër tjerash u tha se “Policia dyshon se VV ka qëllim krijimin e trazirave”. Këtu është me rendësi të kuptohet se, “kush e tha këtë lajm”, dhe "si e tha lajmin”. Politika në pushtet përdori, përsëri, në mënyrë "profesionale" fuqinë e gjuhës, pra retorikën. Andaj, mendoj se që të analizosh dhe të zbulosh strategjitë e fjalimeve politike dhe retorikën e tyre në media, është një kërkesë demokratike dhe detyrim intelektual.
Në rastin e lajmit të “Milicisë” ne duhet të dimë se "çfarë" thonë këta, "si" e thonë ketë, dhe "përse" e thonë këta këtë gjë tani? E, kjo është problematike, sepse nëse lajmi i “Milicisë” do të ndikojë në opinion, atëherë kjo do të thotë se intelektualët shqiptarë nuk janë duke punuar dhe nuk po e zbërthejnë fuqinë dhe mjeshtërinë e retorikës. Ne duhet të regjistrojmë retorikën e “këtij grupi” dhe të këtyre njerëzve; qoftë kjo edhe problematike dhe e kushtueshme për intelektualin.
Është gjuha ajo, me anë të së cilës ne formojmë imazhe për veten tonë dhe për rrethin tonë. Parë nga ky pikëvështrim, gjuha nuk është mjet neutral e i paanshëm. E gjithsesi jo, edhe gjuha me elemente të luftës speciale që po i fabrikon gazetaria e prodhuar nga shkolla e UNMIK-ut dhe e ambasadave. Gjuha përcakton fotografinë e realitetit për ne. Gjuha përfaqëson këndvështrime, interese, pushtet apo vlera të veçanta. E, pikërisht gjuha e një politikani, është një mjet për të ndryshuar mendimet, veprimet, bindjet dhe perceptimet tona për botën. 
 

Frika si municion 

Argumentimi retorik i “Milicisë & Co” kundër opozitës ka edhe elemente të "apelit të frikës", e që është një ndër strategjitë më të përdorura në argumentimin politik. Jo vetëm tek ne, por edhe në aspektin global, gjuha përdoret si municion-frike, e si mjet për të ndikuar në masën. Ja për shembull, fjala “anti-komunizëm” është zëvendësuar me termin “War on terror” (lufta kundër terrorizmit). Ndërsa në gjuhën e medieve të Kosovës, fjalia “rreziku nga Serbia”, është zëvendësuar me fjalinë “rreziku nga opozita”.

Gjuha e ashpër dhe e dhunshme, që po prodhon lajmi si prodhim i koalicionit PDK-LDK, po frikëson, po izolon dhe po largon qytetarin e intelektualin nga pjesëmarrja në iniciativat qytetare. Kjo klimë po çon edhe në vetë-censurë.

Vetë-censura në kohë të ndryshme u ka ndihmuar shumë regjimeve për t'i dhënë qasjen e gabuar publikut, në çështjet e ndjeshme që prekin "interesat e vendit”. Edhe hapësira jonë publike, e edhe “lajmi” si prodhim gazetaresk, në të shumtën e rasteve, është rezultat i gazetarisë së vetë-censuruar.

Mungesa e gazetarisë syhapëse

Shikoni historinë e rendë të shtetit shqiptar! Shikoni, tani, edhe historinë e ecajakjen e tmerrshme të shtetit të Kosovës. Shikoni arratisjen biblike të shqiptarëve nga këto dy shtete. Këtu, dhe vetëm këtu, tek dështimi i dy “shteteve tona”, mund të dëshmohet paaftësia jonë intelektuale për të ndriçuar problemet reale të shoqërisë e përkeqjen brenda partisë. Këtu kemi “fotografinë” e jozotësisë sonë për të zbuluar defektet e institucionit dhe të shtetit. Kur nuk kemi gazetari “syhapës”, atëherë pushteti që ka nën kontroll komunikimin në hapësirën doksike, jep lajme dhe sqarime se përse diçka nuk shkon mirë. Shembull për këtë kemi Thaçin i cili “sqaroj” se, “qytetarët e Kosovës ishin mashtruar se Gjermania gjoja po jep azil”. Çfarë ironie e çfarë sqarimi. Mund të them se, vetë-censura dhe kufizimet e vetëimponuara janë probleme të dokumentuara dhe të njohura të trajtimit mediatik të çështjeve të ndjeshme, e që prekin interesin e kombit.

Po mungon gazetaria që shkon kundër “mendimit dominues”. Gazetarët nuk po thyejnë paragjykimet. Shembull i freskët, e i keq, i vetecensurës është edhe raportimi i lajmit nga Brukseli, ku u arrit “marrëveshja për asociacionin serb” në shtetin e Kosovës së vogël. Pamë, lexuam e dëgjuam se, sa shumë mungoj gazetaria dhe “lajmi tjetër”. Gazetaria kritike dhe “gjetësit e së vërtetës” nuk u dëgjuan, nuk u panë e nuk u lexuan. Nuk kishim lajme “syhapës”. Nuk kishim lajme asnjënëse për të mësuar njohuri të sakta se, çfarë po ndodhte në Bruksel! Ironikisht, shumë shqiptarë dhe gazetarë u “informuan” nga mediet e Beogradit, rreth asaj se çfarë vendimesh u morën ne Bruksel. Tek ne mbizotëronte lajmi i nxjerrë nga një burim, burimi i lajmit ishte Isa Mustafa, Hashim Thaçi!

Në çdo shoqëri gjendet e ashtuquajtura "hapësirë doksike" (Bourdieu). Fjala «doxa» do të thotë "jo politike", "jo e diskutueshme" ose "mendim i përkryer dhe i përfunduar". Shkurt e shqip, «hapësire doksike» është ajo hapësirë, në të cilën një shoqëri nuk shtron pyetje, nuk kërkon llogari mbi idetë dhe proceset politike, sepse këto procese konsiderohen si të "përkryera".

Gazetarucët e ambasadave në ofensivë 

Pikërisht “hapësira toksike” po dominon në Kosovë. Temat për situatën kapituluese të Qeverisë së Kosovës, si dhe lajmet për kapitulimin para Serbisë, nuk dëshirohen të studiohen, të analizohen, e të kritikohen. Për ta mbrojtur “hapësirën toksike”, pushteti ka angazhuar shumë portale lajmesh, shumë televizione e gazetarë. E, rol të madh në ruajtjen e “hapësirës doksike“ po luan lajmi i kontrolluar nga televizioni publik, RTK. Sipas nënshkruesve “të kapitullimit“, kjo hapësirë publike, që këta e kontrollojnë “nuk bën“ të cenohet, të preket e as të rrezikohet. Mirëpo, në çastin kur „hapësira publike“ e qeverisë fillon ta humbasë ndikimin në opinion, atëherë gazetaria e partisë vepron; Tani për “dezertorët”, opozita është rrezik e kërcënim për shtetin e Kosovës, se sa rreziku e kërcënimi, që vjen nga ndarja e Kosovës.

Këta gazetarë po tentojnë të paraqesin një botëkuptim unanim, një votim unanim. Të gjithë shqiptarët në Kosovë duhet të flasin me një zë; me zërin e Qeverisë. Edhe Gjermania e Göbelsit u shndërrua në një shtet një-partiak, edhe atëherë kërkohej të flitej me një zë. Edhe Millosheviqi po ashtu, e donte vetëm një zë.

Gazetaria e ambasadave, përmes përdorimit të gjuhës, po tenton, ta kriminalizoj opozitën. Kjo gazetari arriti deri aty, sa që kinse „rreziku nga opozita“, neutralizoi edhe debatin për „rrezikun nga Serbia“.

Intelektualët e pavarur dhe opozita e shëndoshë, kanë interes, që ta dobësojnë dhe mundësisht ta asgjësojnë "hapësirën doksike", por klasa politike në pushtet, „analistët dhe ekspertët“ e pushtetit, kanë interes që ta mbrojnë integritetin e „hapësirës doksike“ ose, po që se nuk është e mundur kjo, të paktën të zëvendësojë me „debatin ortodoks“, pra „debatin e butë“ e më pak të rrezikshëm.

Shohim se gjuha është mjet për të bindur masat, për ta bashkuar e shkrirë individin në grup, dhe jo vetëm për ta bashkuar atë fizikisht por, edhe për ta “detyruar” të mendoj si grup, të veproj si grup, e nëse është nevoja edhe për tu distancuar si grup. E ky grup duhet të jetë “tjetër” nga ATA. Pra duhet ndërtuar opinionin “NE” kundër “ATYRE”. Pra, “krijimin e një armiku të përbashkët”. Në Gjermaninë e Hitlerit ishin hebrenjtë, “armiku i përbashkët”, ndërsa në sytë e qeverisë së Mustafës, është opozita “armiku YNË i përbashkët”. NE, të mirët, dhe ATA, të këqijtë. NE, engjëjt, qeveria demokratike, largpamëse dhe e suksesit, kundër ATYRE, bishave, anarkistëve, fashistëve, nacionalistëve, dështakëve e rrugaçëve. Vetëm duke ndërtuar mendime stereotipe, grupe e tabore është e mundur të krijohet “fotografia e armikut” dhe “e dreqit”. Dhe, kështu edhe qëndrohet në pushtet, bile shumë më gjatë e shumë më lehtë. 
Kështu veproj edhe Adolf Hitleri edhe Millosheviqi. Kështu lindi edhe “Mein Kampfi” dhe këshilla e që njihen si, “Memorandumi për shpërnguljen e shqiptarëve” nga Vasa Çubriloviç.