Ku po shkon Kosovë e dashur?!

Ku po shkon Kosovë e dashur?!
  • 29 November 2015 - 20:58

Shkruan: Faik KRASNIQI

Kjo është pyetja aktuale që të gjithë ne ja bëjmë vetes dhe e diskutojmë mes miqve të ngushtë. Megjithatë në publik as nuk kemi guximin më të vogël ta bëjmë dhe të përpiqemi t’i gjejmë një përgjigje. Ku po shkon shoqëria shqiptare sot? Kemi më shumë se 16 vjet që po rropatemi lart e poshtë në kaosin e një tranzicioni që duket sikur nuk ka fund.

Sot dikush nuk studion fare por vetëm pse ka para apo miq të fortë mbaron universitetin, masterin shkencor dhe doktoraturën. I mbaron pa e pasur edhe idenë mbi lëndët që duhet të studioj. Po flisja një herë me dikë që po studion për drejtësi në një universitet privat. Po më thoshte se kishte provim.

Diplomat false të universiteteve private

Kur e pyeta se për çfarë lënde bëhej fjalë nuk i dinte as emërtimin e plotë. Por do të shkojë shumë mirë - më tha - sido që të jetë nuk më ngelin dot. Po të më ngelin e dinë që ik në një universitet tjetër privat... E pyeta pse të mos studionte seriozisht që të bëhej vërtet i zoti në atë fushë dhe përgjigja ishte. Unë nuk jam dhe ata që futen në shkollë me para ose me parti nuk janë më të zotë se mua.

Ishte ngulitur mendimi se paraja dhe miku partiak janë cilësitë që duhen të tjerat nuk kanë vlerë në Kosovë. Më në fund pas kësaj telenovele më tha, e mora vërtetimin por duhej të bëja pagesën sepse nuk ishte falas.

Në Evropë mund të marrësh jo një por një mije vërtetime në ditë në universitete dhe që të gjithë janë falas, por duhet t’i marrësh me dije dhe me meritë. Në Kosovë e Shqipëri në fakultetet publike dhe këto janë me lekë. 

A nuk u bën përshtypje pedagogëve ose vetë studentëve që asnjë me ndonjë përjashtim fare të vogël nuk mban libra apo fletore shënimesh në duar. Pse nuk dëgjojmë në një tavolinë me studentë thuajse kurrë një debat për studimet leksionet provimet apo lëndët.

Një bisedë intelektuale mbi problemet e mprehta të vendit është e tepërt të kërkohet nga studentët e sotëm. Do t’u kishte hije për derisa janë studentë. Por, bisedat që dëgjon zakonisht janë çështje banale thashetheme muhabete veshjesh aksesorësh etj.

Ky realitet i hidhur haset kudo. Ministritë janë njësoj si universitetit në këtë drejtim. Është pothuajse e pamundur të arrish të takosh lirshëm një punonjës ministrie, për të zgjidhur një çështje. Komunikimi me publikun është për tokë, qytetarët nuk respektohen dhe nuk ndihmohen.

Ku është meritokracia?

Flitet se kanë ardhur shumë të rinj që kanë mbaruar studimet jashtë vendit. Unë deri tani nuk kam parë asnjë dhe nuk kam dëgjuar që dikush përmes konkursit publik, është punësuar pa lidhjet të forta politike.

Ngado flitet për militantë që ju kanë shërbyer partive dhe tani partitë po ju kthejnë kusurin për kontributin e mëparshëm. Ku janë të rinjtë, ku janë specialistët, ku është meritokracia. Një profesor, i cili është eksponent i lartë i një partie kur e pyeta si do mund të ecë ky vend përpara, kështu më tha. Po nuk bëre shumë për partinë, partia nuk bën për të tjerët. Dhe nuk ma tha më shaka.

Deri këtu ka ardhur puna. Flitet se ka ardhur koha që intelektualët dhe studentët që mbarojnë në Perëndim të kthehen në shtëpi pas liberalizimit të vizave. Të kthehen po ku do të shkojnë, me ç’punë do të merren, kur mbi gjysma e popullatës janë të papunë, e pjesa dërrmuese e tyre të rinj dhe të kualifikuar. 

Edhe sot ka në Kosovë plot djem e vajza të reja që kanë mbaruar me rezultate të shkëlqyera studimet në perëndim, por janë pa mbështetje nëse nuk njohin dikë të partisë X apo Y. Sillen rrugëve sikur të ishin të njerkës.

Disave madje u thonë që je më i kualifikuar se ç’duhet. Ka ndodhur edhe kjo.

Flitet se ka shoqata e ka programe qeveritare për kthimin e trurit në Kosovë. Askush se di se ku janë e çfarë po bëjnë këto të ashtuquajtura mekanizma e programe.

Unë them që pas liberalizimit të vizave, që pritet të ndodh në 2016, truri i Kosovës do të ikë drejt Perëndimit, e sidomos në Gjermani.

Ku po shkon Kosova jonë që për të hyrë edhe roje duhet të jesh anëtar partie. Ku po shkon Kosova jonë që për të hyrë në punë nuk duhen diploma apo rezultatet e merituara por paraja miku dhe partia.

Ku po shkon shoqëria kur institucionet nuk kanë as në periferinë e vëmendjes së tyre qytetarin dhe hallet e tij, e aq më pak trurin e këtij vendi. A nuk duket sikur në këtë vend po investohet për të prodhuar injorantë dhe për të përjashtuar dhe izoluar intelektualin dhe talentin e vërtetë. Prandaj, Kosova dhe Shqipëria janë vendet e vetme në Evropë ku pafundësisht prodhohen mediokër që ulen qetë -qetë në karriget e pushtetit.