Plagët tona nuk na shërojnë dot të huajt

Plagët tona nuk na shërojnë dot të huajt
  • 06 February 2016 - 10:24

Shkruan: Islam Krasniqi

Qytetarët e kanë humbur besimin  tek liderët e tyre dhe ata ende vazhdojnë dialogun me Serbi

Si pozita dhe opozita tanimë duhet ta kuptojnë së janë futur në një krizë të thellë politike

Nuk po respektohet vullneti i popullit, po mbyllen veshët që të mos dëgjohet zëri i qytetarit

Po filloj të shkruaj me një thënie të Avni Rrustemit “Rreziku më i madh i një vendi është në shtypin e lirisë së fjalës”, populli duhet të thotë lirisht atë që ka në zemër, shtypja e lirisë ka sjellë shkatërrimin. Në jetë lirinë e meriton vetëm ai që shkon në luftë çdo ditë për të. Problemet madhore në vendin tonë kanë kaluar kufijtë e njëzimit, kufijtë e demokracisë, ku qytetarët e kanë humbur besimin  tek liderët e tyre dhe ata ende vazhdojnë dialogun me Serbi, ende mendon se po i qesin pluhur syve këtij popullit dhe qëndronin heroikisht, pa lëkundur aspak nga pozicionet (fotelet) e tyre, sepse përfaqësive diplomatike të akredituara në vendin tonë po i shkon për shtati ky sistem.

Si pozita dhe opozita tanimë duhet ta kuptojnë se janë futur në një krize të thellë politike, e cila është duke dëmtuar interesin e vendit tonë dhe jetën e qytetarëve, andaj dialogu është mjet i vetëm, i cili do të na dërgonte drejt zgjidhjes së kësaj krize politike, mirëpo opozita ka deklaruar se me pozitën vetëm për datën e zgjedhjeve mund të bisedojnë.

Republika po stagnon

Republika e Kosovës ka filluar të stagnojë dhe të kthehet një hap prapa, ketë e dëshmon më së miri ndërprerja e njohjeve të reja për shtetin tonë, të cilin e fituam me mund dhe me gjak, mosliberalizimi i vizave, diskriminimi në dialog me Serbin, masakra e drejtësisë ndërkombëtare në vendin tonë, duke bërë eksperimente me çlirimtarët, që nga Gjykata e Drejtësisë në Hagë, UNMIK-ut, EULEX-it, Gjykata Speciale dhe në fund rezoluta e Këshillit të Evropës për rifuqizimin i UNMIK-ut në Kosovë apo me mirë të themi kalimin e disa kompetencave tek UNMIK në marrëdhënie me organizata të tilla si Interpol dhe Europol.

Evropa ka filluar të na nëpërkëmbë, nuk po na trajton si qytetarë të barabartë me ata të vendeve ballkanike, sepse i dëgjuam dhe i miratuam çdo kërkesë të BE-së dhe OKB-së, por ata nuk na zgjatën dorën që të mos na ndajnë nga vendet ballkanike, por na lanë pikë të zezë në mes të Evropës.

Nuk po dëgjohet zëri qytetar

Jemi mësuar që si çelës i zgjidhjes së problemit në vend të jetë pala e tretë, d.m.th. përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në vendin tonë. Ata nuk po na i shërojnë plagët, por vetëm po na i thellojnë me shumë, nuk po respektohet vullneti popullit, po mbyllen veshët që të mos dëgjohet zëri i qytetarit.

Të gjithë jemi në dijeni për skenarin e zarfit, kur postierët ndërkombëtarë sollën zarfin për përfaqësuesin e unitetit të popullit "Presidentes", e cila asnjëherë nuk e pati fuqinë juridike as politike të unifikuesit të popullit, ku liderët jo që s’e respektonin, por vetëm e përqeshnin të paren e vendit. Evropa ka qëndruar e shurdhër gjithmonë ndaj fatit të shqiptarëve, duhet të vërtetohet se në mesin tonë ka njerëz të shitur te fuqitë e mëdha për interesa personale. Përfaqësuesit tanë vetëm shpifin pa fije turpi, këqyrin me e shkatërruar ketë popull vetëm e vetëm që të mos lëkundën fotelet e tyre, liderit të partisë nuk guxojnë t’i thonë jo asnjëherë, për çdo veprim duhet të kenë lejen e tij, sepse sistemi komunist që kanë ndërtuar po na obligon që t’u shkojmë për vije. Pjesë e ndërtimit të këtij sistemi tek ne janë edhe bashkësia ndërkombëtare, të cilët për veprimet e veta të jenë të paprekshëm. Ku nuk pajtohemi me veprimet e ndërkombëtarëve menjëherë ngritën akuza, këta ose ata janë kundër Evropës, janë kundër Amerikës e po harrojmë së për veprimet e tyre që i bëjnë këtu, në vendin e tyre do i priste qelia dhe tek e fundit ata nuk e duan vendin tonë më shumë sesa e duam ne!.