Fushatë e koordinuar kundër degës së LDK-së në Zvicër

Fushatë e koordinuar kundër degës së LDK-së në Zvicër
  • 07 February 2016 - 09:53

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Isa Mustafa nuk duhet të angazhojë individë të dobët për ta sforcuar një klan, i cili tashmë është në komë.

 “Intelektuali duhet të jetë gjithmonë i përmbajtur dhe të mbajë anën e atyre që e mbajnë mbi supe historinë!”

 

Si duket, Isa Mustafa e ka humbur rrugën në oborrin e tij. Gabimet e njëpasnjëshme nuk kanë të ndalur. Por, si të gjitha nismat që kanë gjenezën e vet, edhe veprimet e Isa Mustafës e kanë një nismë, e cila lidhet drejtpërdrejt me reformat e brendshme në LDK, të cilat nuk janë në të. Kanë ndodhur shkelje flagrante në rregulloren dhe statutin e partisë, po ndodh ngulfatje e mbytje e mendimit ndryshe, është bërë e pamundur për t’u zgjedhur e për të zgjedhur, është cenuar lëndimi i procesit zgjedhor me votim të hapur dhe vetëm me një kandidat etj. Janë vetëm disa veprime që u heshtën në masë nga shtypi dhe mediat si dhe nga militantet e LDK-së. Por, këto heshtje do ta trimërojnë Isa Mustafën për gabime të reja, ndërsa revani i tij drejt shkatërrimit institucional nuk ka të ndalur.

Ndoshta ndër shembujt më eklatantë për abuzim të demokracisë mund të konsiderohet rasti i Degës së LDK-së në Zvicër, përkatësisht Kuvendi i saj VIII zgjedhor, i cili nxori një kryesi dhe një kryetar që nuk e pëlqente Isa Mustafa dhe sejmenë të tjerë në kryesi. Kryesia qendrore do të nxitojë për të marrë vendime antidemokratike dhe krejtësisht diktatoriale, prandaj ky veprim nuk përkon me kulturën demokratike dhe as me vizionin e LDK-së.

Siç thuhet, kryesia qendrore e LDK-së në Prishtinë paska marrë ankesa për parregullsitë në procesin zgjedhor në Zvicër dhe kjo gjë është krejt normale në proceset demokratike. Por, ka qenë obligim ligjor, përkatësisht edhe sipas statutit të LDK-së, që në afatin ligjor të njoftohej zyrtarisht pala tjetër dhe nga ajo të kërkohej argumente shtesë. Por, siç dihet, Kryesia qendrore në Prishtinë nxitimthi ka marrë vendime të njëanshme, duke e anuluar procesin zgjedhor në Degën e LDK-së në Zvicër, e duke ua pamundësuar delegatëve nga diaspora pjesëmarrjen në Kuvendin e LDK-së në Prishtinë, me ç’rast krijuan çarjen e parë, e cila nuk do të përfundojë pa pasoja.

 

“Drejtori i dhunshëm” në Degën e LDK-së në Zvicër

Nuk e kam të qartë nëse Isa Mustafa është vetëdijesuar se në kuvendin VIII zgjedhor të Degës në Zvicër nuk ka pasur manipulime, aq më pak nga kryesia e re, e cila është rezultat i votës së fshehtë, së cilës tashmë Kryesia Qendrore nuk po i beson. E nëse thuhet se ka pasur shkelje nëpër disa nëndegë, kjo ka ngjarë nga ish-kryetari, i cili tashmë po e aktron rolin e “drejtorit të dhunshëm”, në Degën e LDK-së në Zvicër. Sa i përket kryetarit aktual (autori i këtij shkrimi), nuk ka qenë i involvuar në këtë proces zgjedhor, pasi gjatë tërë kohës ka ndenjur indiferent. Kandidatura e tij ka ardhur në momentet e fundit, si rezultat i rrethanave të krijuara, për një ofertë ndryshe, e cila është pranuar nga pjesa dërmuese e delegatëve të atij kuvendi.

Edhe pse vetë Isa Mustafa dhe Kryesia qendrore e LDK-së kanë qenë të njoftuar zyrtarisht, edhe pse kanë pasur letra e kërkesa për një takim, për biseda e për dialog me përfaqësuesit e diasporës, vetë Isa Mustafa dhe Kryesia qendrore e LDK-së në Prishtinë nuk i kanë pritur kurrë duke ua mohuar të drejtën demokratike për dialog të brendshëm.

Rasti i vendimit të Kryesisë qendrore kundër Degës së LDK-së në Zvicër dhe asaj në Gjermani tashmë ka marrë përmasa që nuk mbeten brenda kornizës partiake, sepse përfaqësitë diplomatike dhe zyrtarë të lartë të vendeve të BE-së dhe SHBA-së janë mirë të informuar për tendencën e Kryesisë qendrore në Prishtinë, e cila duhet të vetëdijesohet për të menaxhuar situatën si duhet, veçmas për të mos u bërë horre me veprime diktatoriale dhe të njëanshme. Por, jo duke dërguar misionar të dobët te njerëzit e dobët, të cilët përfaqësojnë atë garniturën që në secilën etapë kohore, kanë qenë kundër LDK-së dhe kundër Kosovës.

E në qoftë se Kryesia qendrore në Prishtinë me kryeneçësi do të vazhdojë avazin e tyre, duke mos u merakosur fare për përfaqësuesit ndërkombëtar në Kosovë, të cilët janë duke e monitoruar demokracinë në Kosovë, e që zyrtarisht janë të informuar në mënyrë të detajuar për veprimet e Kryesisë qendrore, ata nuk janë demokrat dhe nuk ia duan të mirën as Kosovës. Dhe nëse z. Isa Mustafa dhe Kryesia qendrore nuk dinë për të zgjidhur këtë problem të thjeshtë partiak, atëherë si do të dinë dhe do të mund ta udhëheqin Kosovën këta mjeranë politikë.

 

Anton Quni hakmarrës

Politika nuk ndërtohet mbi inate, as me delegacione të dobëta dhe aq më pak me personalitete që nuk i njeh as lagjja dhe as katundi i tyre. Prandaj, themi se Isa Mustafa nuk duhet të angazhojë individë të dobët për ta sforcuar një klan, i cili tashmë është në komë, por do të duhej të kishte kuraje t’i ftonte të gjitha grupet, duke treguar se nuk është përjashtues, në të kundërtën deklaratat e tij për dialog dhe përfshirje të gjerë janë pjesë e rutinës demagogjike.

Pra, dërgimi në Zvicër i misionarëve me të kaluarën e tyre jo aq të pastër, si dhe asi me dështime profesionale i bënë misionarët edhe më qyqar dhe nikoqirët më mjeranë. Qartë ardhja e Anton Qunit me atë epitetin e “Heroit të gjallë”, për të cilin jo pak kanë menduar se duhet të jetë personaliteti që mund të drejtojë LDK-në(?!) dhe mohimi që ai ia bën palës tjetër dhe injorimi që ua ka bërë edhe bashkëluftëtarëve të tij e bën z. Quni, egoist, joserioz dhe të papërgjegjshëm para momenteve të rëndësishme historike.

Por, adhuruesit e tij kanë harruar se Anton Quni gjithçka mund të bëhet, por jo edhe “hero i gjallë”, sepse Anton Quni nuk e posedon urtinë për të falur dhe aq më pak kryetar i LDK-së, sepse nuk është vizionar dhe në anën tjetër është linçues e përjashtues. Anton Quni ka prirje hakmarrëse, të cilat si duket e kanë hallakatur. Por, në rastin e Degës së LDK-së në Zvicër, Anton Quni jo vetëm që është treguar inert, por ai ka bërë veprime të njëanshme, duke shfaqur edhe simptoma hakmarrëse, sidomos kundër kryetarit të Degës, i cili paska folur e shkruar publikisht edhe për Anton Qunin.

Nga kjo pikëpamje mund të shtrohet pyetja nëse një autor dhe publicist do ta kishte këtë konflikt me “gjeneralin?!”, në kohë lufte, cili do të ishte epilogu i atij konflikti?! Ndoshta vendimet e nxituara dhe të njëanshme e kanë shtyrë edhe EULEX-i për t’ia hetuar disa vendime të tij në një kohë, zezon, ndoshta është edhe e kaluara e tij kjo gjë nuk i dihet, por dihet se ai nuk i ka punët bash mirë. Pastaj nuk e di pse flitet se ndërkombëtarët nuk kanë lejuar Anton Qunin të bëhej ministër në FSK, e ndoshta për shkak të këtyre thashethemeve komandantin edhe ish-presidenti Fatmir Sejdiu, pasi e emëroi këshilltar për siguri, është detyruar ta shkarkojë pas pak ditësh?!

Por, ardhja e tij në Zvicër për t’i mëkuar dështakët pa folur me palën tjetër është parë me dyshime. Këtë dyshim e ka shtuar e dhëna se Anton Quni nuk është takuar as me bashkëluftëtaret e tij, prandaj e bëjnë personalitetin e tij edhe më të diskutueshëm dhe si karakter politik krejtësisht të papranueshëm.

 

Salih Morina, një kuadër “katastrofal”

Një kuadër shumë i dobët, apo siç thuhet në zhargonin popullor katastrofal, është Salih Morina, i cili nuk e ka ndërmend ta ndalë avazin e tij në dëme të proceseve demokratike, me theks të veçantë kundër Degës së LDK-së në Zvicër. Para ca kohësh, personalisht ia kam tërhequr vërejtjen dhe ai nuk paska dashur të korrigjohej, prandaj po vazhdojmë me ofrimin e fakteve për personalitetin e tij, prej një servili mediokër, i cili u ka sjell dëme të mëdha proceseve, sidomos kur ishte sekretar i përhershëm në MKRS, veçmas në kohën kur i ka udhëhequr mbledhjet për “standardet para statutit” dhe për Pakon e Ahtisarit. Me një fjalë, katastrofë në formimin intelektual, që së bashku me disa të tjerë e kanë dëmtuar kulturën shqiptare në Kosovë, sidomos kur i udhëhiqte mbledhjet e ministrisë në fushën e trashëgimisë kulturore.

Tash shtrohet pyetja si ka qenë e mundur që mbledhjet me ndërkombëtarët për trashëgimi dhe identitet të udhëhiqen nga stafi teknik i kësaj ministrie, duke e arnuar me ndonjë arkitekt që kishte njohuri të mangëta në fushën e identitetit kombëtar, pastaj me ekonomist si rasti i Salihut që pas 13 vjet studimesh me shtyrje partiake do të arrijë për ta siguruar diplomën e Fakultetit Ekonomik, ku bashkë me gazetarë injorantë që janë të regjur në politikat titiste në Kosovë dhe me një garniturë injorantësh do t’ia falin të drejtën historike Serbisë mbi hapësirën gjeografike të Kosovës, çështje këto që duhet herët a vonë të ndriçohen dhe të marrin përgjegjësinë fajtorët për dëmet që i kanë bërë Kosovës në trashëgiminë kulturore dhe identitet kombëtar, sepse siç flitet zyrtarë të kalibrit Salih Morina ia kanë falë të drejtën historike Serbisë.

Duke e njohur Salih Morinën se sa dëme ia ka shkaktuar Kosovës, nuk prekem pse është kaq përjashtues ndaj veprimtarëve të LDK-së në Zvicër. Prandaj do të ishte mirë që “misionarët e Isa Mustafës” të jenë një grimcë më të arsimuar se sa shefi i tyre. Ata misionar të së keqes para se të rehabilitonin dështakët, injorantët dhe zvarranikët që thirrën në emër të Degës së LDK-së në Zvicër, do të ishte mirë të sqarohej se kush kishte rol në drejtimin e trashëgimisë kulturore në Kosovë dhe kush i udhëhoqi mbledhjet me stafin ndërkombëtar? Në këtë prizëm Salih Morina edhe me Degën e LDK-së në Zvicër po bën gabime të ngjashme dhe të pafalshme.

Nëse e vërteta do të ndriçohej si duhet, Salih Morina do të ballafaqohet me drejtësinë për dëmet që ia ka bërë Kosovës në fushën e trashëgimisë kulturore, sikurse edhe zvarranikët, hiçit e kërriçet në Zvicër do t’i mbulonte pluhuri i historisë.

Por, flitet se Salih Morina është bërë i njohur sidomos kur ka nisur të përfshihet me tenderë, me skandale financiare në kohën sa ishte sekretar i përhershëm. Prandaj, unë personalisht nuk ia shoh për të madhe sjelljes selektive të Saluas, por do të ishte mrekulli për Kosovën nëse këtij njeriu, atje te Kroi i Mbretit, me vendim përkatës t’ia kufizonte udhëtimin për në Prishtinë dhe t’ia pamundësonte për t’u marrë me aktivitete shoqërore dhe pa asnjë dilemë atij duhet t’i ndalohet e drejta për t’u marrë me hallet e Degës së LDK-së në Zvicër.

Këto gjëra nuk janë shpifje, pasi për të tilla ne mund të shpifim sa të dojë z. Salih Morina. Ta zëmë nëse flasim e shpifim kundër tij se në cilët hotele i paska shfrytëzuar dy dhoma, ndërsa e ka përdorur vetëm një... pse e bën këtë e atë punë të pahijshme, prandaj pa u lëshuar në këso aventurash shpifarakësh, po i bëjmë thirrje publike z. Salih Morina për t’i thirrur mendjes dhe nëse nuk bën diçka mirë për LDK-në, të paktën të mos e vazhdojë avazin për ta shkatërruar atë.

 

Edhe Doruntina Maloku përfshihet në “valle”

Por, ndër rastet shqetësuese brenda vetë LDK-së janë degradimet që po ia bëjnë LDK-së fëmijët e Ibrahim Rugovës, të cilët jo që kanë mbështetur njerëzit që ishin armiq të babait të tyre, por po rehabilitojnë injorant në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Për fat të keq, kësaj përpjekje për t’i rehabilituar njerëzit e dështuar iu bashkëngjit edhe Doruntina Maloku, e bija e Enver Malokut, shefit të QIK, e cila erdhi po me këtë delegacion injorantësh për të na treguar edhe ajo se kush është legjitim për shefin e saj, Isa Mustafa, i cili në një kohë ia pat rrudhur financat bash Enver Malokut.

Tani Doruntinë Maloku në misionin e saj për ta rehabilituar Isa Mustafën nuk ka pasur guxim qytetar për t’i takuar miqtë dhe bashkëpunëtorët e babait të saj, as ata që ndihmuan QIK-un e as ata të tjerët që ishin mbështetës dhe donatorë edhe të botimeve që i pat bërë Enver Maloku përmes QIK-ut. Për Doruntinën, paska mjaftuar që të takojë pikërisht ata që e luftuan Enver Malokun dhe Kosovën, ata të cilët në ato përpjekje nuk kanë dhënë asnjë qindarkë as për QIK-un dhe as për babanë e saj.

Unë mund t’ia fal gabimin Doruntinës, por lëndimin nuk ia fal kurrë, sepse babin e saj nuk e kam pasur as nip e as dajë, as shok lufte dhe as shok shkolle. Enver Malokun e kam njohur si gazetar, por më shumë sa ishte shef i QIK-ut. Puna e tij dhe vlerësimi i tij personalisht më pat pushtuar. Ruaj me xhelozi një tufë letrash dhe shumë të tjera nga stafi i QIK-ut në atë kohë. Kam në arkivin tim të ruajtur mbi 150 artikuj të gazetave që janë shkruar nga Enver Maloku dhe kam shkruar e cituar emrin e tij ma shumë sesa të gjithë ata së bashku, për të cilët tani Doruntina na paska ardhur nga Kosova për t’i nderuar e respektuar?!...

Por, jo vetëm kaq, me sugjerim të disa intelektualëve, menjëherë pas luftës, ne disa miq dhe idealistë që ishim kemi pas nisur aksionin “Fondi Enver Maloku” për ta ndihmuar familjen e saj, aksion që u pengua e shantazhua pikërisht nga “Shefi i Shefit” të saj, dr. Bujar Bukoshi, dhe nuk është përkrahur as nga miqtë e babit të saj në Prishtinë, me të cilët Doruntina tashmë ka raporte të mira. Por, Bujar Bukoshi mua më pat terrorizuar me letra e kërcënime të kësaj natyre: “të mos nxitosh në dorëzimin e thjeshtë të tyre, por të bëhet ndonjë marifet dhe të thuhet se nëse kreu i LDK-së harron, ka të tjerë që s'harrojnë dhe nuk shkelin lehtë mbi djersën e tjetërkujt, edhe pse ti e din sigurisht se të zitë e ullirit e kemi hequr nga sulmet bllokiste të QIK-ut në atë kohë.”, (18.11.2000).

E, kur nuk e paskam dëgjuar sa duhet, ai më pat nisur një letër të cilën vetëm tashti e kuptova se më paska kërcënuar:“e, qe pra, po ta jep besën e zotit se do të jesh i siguruar njëherë e përgjithmonë. Unë kam menduar se e ke marrë këtë siguri sa vërtiteshe nëpër Kosovë. Djalosh, mbaje mend mirë këtë: Bujar Bukoshin askush s'mund ta takoje pa e ftuar unë, sepse Bujar Bukoshi nuk është shall, por ai që do t'ia rregullojë shallin shallit. Unë jam shumë mirë i informuar se çfarë do të më thuash, bile edhe për aksionet tua "humanitare", (22.02.2001).

Ishte çështja e atij aksioni pse e kam vizituar familjen Maloku, sa ishin në bodrum e atij Pallati ku pranë tij gjet vdekjen E. Maloku dhe njëherë tjetër në apartamentin e ri në qendër të Prishtinës. Janë këto dy raste kur e kam takuar Doruntinën, por ajo s’ka pasur kurajë, qoftë edhe një herë tjetër, për një kafe sa herë shkoja në Prishtinë. Vitin që shkoi e takova në një ceremoni libri në Bibliotekën Kombëtare, por edhe pse shpreha dëshirë për ta takuar, ajo nuk pati kohë... e kur Salih Morina ishte në janarin e sivjetmë në Zvicër, në përpjekjet e tij për t’ua mëkëmbur autoritetin e rrënuar servilëve të Isa Mustafës, Doruntina mbajti anën e tyre, prandaj më 15.01.2016 i kam shkruar Doruntinës se“paske pëlqyer koketimin e Salih Morinës për t'i rehabilituar njerëzit e Isa Mustafës”?! Gjesti yt më djeg shumë i kam thënë asaj. Tani Doruntina erdhi edhe në Zvicër në krye të këtij misioni për t’i rehabilituar pikërisht strukturat e Isa Mustafës, çfarë të flasim për gjestin e saj fëmijëror, përveç një dufit të kësaj ofshame sa për ta nxjerrë jashtë dhembjen e grumbulluar qëmoti.

Pavarësisht nga kjo sjellje e Doruntinës, nuk brengosem pse nuk më vlerësojnë njerëzit, të cilëve u kam bërë mirë, pasi gjesti dhe sjellja e tyre më ndihmojnë për t’i kuptuar më mirë karakteret njerëzore, por nuk munda të mos ofshaj jazëk të qoftë Doruntinë E. Maloku!

 St. Gallen, 05.02.2016.

 (Kosova Sot)