Evropiania që i nevojitet Evropës

Evropiania që i nevojitet Evropës
  • 07 February 2016 - 14:17

Shkruan: Peter Sutherland

BE-ja ka nevojë për lidership si Merkeli

Kufijtë kanë filluar të ngrihen në Zonën Schengen

 

Është e rëndësishme që të gjitha vendet anëtare – dhe votuesit e tyre – ta kuptojnë që nuk ka opsion kur flitet për natyrën e përkushtimeve ligjore përbrenda BE-së: Pra, ose duhet zbatuar ligjet evropiane, ose duhet të dilet nga BE-ja

 

Vjeshtën e kaluar kam qenë në Maltë në Samitin për Migrim në Valeta, në të cilin kanë marrë pjesë krerët e shteteve dhe qeverive nga Evropa dhe Afrika. Unë kam qenë i ftuar si Përfaqësues Special i Gjeneralit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Migrim Ndërkombëtar. Siç është traditë për evenimente të tilla, është shkrepur edhe një fotografi e përbashkët, në të cilën unë kam dalë krahas kancelares gjermane Angela Merkel. E pata shfrytëzuar mundësinë që t’i pëshpëritja që, sipas opinionit tim, ajo ishte një heroinë për veprimet që i ka bërë në çështjen e migrimit. Ajo m’u pati përgjigjur duke më thënë që kjo ishte ‘e nevojshme për Evropën’.

Që prej atëherë, kam menduar për veprimet e saj dhe gjërat që ajo i ka thënë gjatë muajve të krizës së migrimit në Evropë. Në esencë, Merkel-i e ka quajtur këtë krizë ekzistenciale për Evropën dhe më serioze sesa gjendja e vështirë me borxhin e Greqisë. Ajo vazhdimisht e ka cituar edhe obligimin moral (dhe ligjor) që ne kemi ndaj refugjatëve.

Një pjesë e madhe e botës po befasohet që një kancelare gjermane po flet në këtë mënyrë. Altiero Spinelli, federalisti evropian nga Italia, kishte shkruar që racizmi gjerman, që kishte nxitur Luftën e Dytë Botërore, mund të jetë nxitur, mirëpo jo edhe shkaktuar, nga motivet ekonomike. Ai ka thënë që, në termat historik, ‘anarkia absurde e organizatës ndërkombëtare evropiane ka qenë terreni më i favorshëm për shprehjen e plotë të racizmit’. Ky terren është bërë i qartë edhe një herë si pasojë e mungesës së mbështetjes për sistemin e koeficientit për migrim për shtetet evropiane, që do t’i vendoste refugjatët në territorin e vendeve anëtare në bazë të kritereve të drejta.

 

Rreziku nga nacionalizmi

Nga komentet dhe veprimet e Merkel-it është e qartë që ajo dëshiron ta marrë rolin e liderit për këtë çështje jo vetëm në Gjermani, mirëpo në Evropë si tërësi. Gjithashtu është e qartë që shumë evropianë (dhe të tjerë) e vlerësojnë qëndrimin e saj parimor dhe plot kurajë. Evropa ka nevojë për lidership dhe institucionet evropiane kërkojnë që vendet anëtare – sidomos ato që janë më të fuqishme – që t’i adresojnë çështjen që shkon përtej qendrës së vlerave të cilat pretendojmë që i kemi.

As që ka nevojë të thuhet që parimet e sovranitetit dhe solidaritetit të përbashkët që janë bazë e integrimeve evropiane janë shprehje e vizionit moral që bie në kontradiktë me parimet nacionaliste të kohëve të mëhershme, që ka pasur njolla të mëdha të racizmit. Andaj, kur Merkel thotë që integrimet evropiane kërcënohen nga reagimi negativ i publikut ndaj valës së madhe të refugjatëve të dëshpëruar, është fati i vizionit post-nacionalist ajo që e ka më të vërtetë në mendje.

Ajo ka të drejtë që shqetësohet që shtetet dhe njerëzit e Evropës e kanë humbur vullnetin për të mbetur të bashkuar në dhe nga një sistem i bazuar në ligj dhe moral, përfshirë këtu aplikimin e koncepteve të dinjitetit human dhe barazisë kur flitet për obligimet tona ndaj refugjatëve. Demokracia kërkon që politikanët t’i respektojnë votuesit e tyre, mirëpo një numër i madh politikanëve po i respektojnë shpesh pikëpamjet, shpeshherë të neveritshme, të publikut të gjerë në lidhje me refugjatët, duke aprovuar reagimet e ashpra ndaj atyre që kërkojnë strehë në Evropë.

Tani, si shenjë reagimi ndaj krizës, kufijtë kanë filluar të ngrihen në Zonën Schengen, që jo shumë kohë më parë simbolizonte unitetin evropian dhe lirinë e lëvizjes së evropianëve. Pashmangshëm, kufijtë e rinj do të çojnë në krijimin e kampeve të mëdha të refugjatëve në vendet anëtare si puna e Greqisë. Në vendet tjera, refugjatët mbahen, siç duket, në dry. Në fakt, në Danimarkë, ‘gjërat e vlefshme’ konfiskohen nga imigrantët në momentin që ata futen brenda kufirit, që më pas përdoren për ta mbuluar një pjesë të kostos së strehimit të tyre.

Në anën tjetër, deklarimet nga disa qeveri të Evropës Qendrore dhe Lindore tregojnë që ata refuzojnë obligimin për t’u mishëruar me Konventën e Refugjatëve të vitit 1951. Disa vende kanë thënë që do t’i marrin parasysh vetëm kërkesat për azil që vijnë nga ‘të krishterët’. Kjo gjuhë është dhuratë për Shtetin Islamik.

 

Evropa e demagogëve

Merkel-i po ndjek traditën e Walter Hallstein-it, presidenti i parë i Komunitetit Evropian, që njëherë kishte folur për një Evropë ‘pa përçarje ushtarake duke u mbështetur në sundimin e ligjit’. Mirëpo, sundimi i ligjit në Evropë nuk duhet të jetë një restorant ku shtetet anëtare zgjedhin sipas dëshirës ligjet të cilat dëshirojnë t’i respektojnë.

Është e rëndësishme që të gjitha vendet anëtare – dhe votuesit e tyre – ta kuptojnë që nuk ka opsion kur flitet për natyrën e përkushtimeve ligjore përbrenda BE-së: Pra, ose duhet zbatuar ligjet evropiane, ose duhet të dilet nga BE-ja. Epërsia e ligjit evropian udhëheq mbështetjen e qeverive kombëtare dhe zbatimin e tij nga ana e gjykatave kombëtare.

Kjo nuk do të jetë e mundur me një Evropë të demagogëve dhe, edhe më keq, me politikanë që ndihmojnë e nuk udhëheqin. Këtë gjë e ka kuptuar Merkel-i dhe pikërisht për këtë arsye ajo personifikon lidershipin për të cilin ka nevojë Evropa.

 

(Peter Sutherland është Përfaqësues Special i Gjeneralit të Përgjithshëm të OKB-së për Migrim dhe Zhvillim Ndërkombëtar)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”

Nga komentet dhe veprimet e Merkel-it është e qartë që ajo dëshiron ta marrë rolin e liderit për këtë çështje jo vetëm në Gjermani, mirëpo në Evropë si tërësi.

(Kosova Sot)