Në vorbullën tonë politike

Në vorbullën tonë politike
  • 08 February 2016 - 10:10

Shkruan: Shefik Shkodra

As zgjedhjet e parakohshme, e as ato normale

Fjalët nga një politikan, cilido qoftë, do të duhej të jenë tepër të matura para qytetarëve

Koalicioni qeverisës i tashëm nuk duhet të rebelohet dhe të kërcënojë në secilën konferencë për medie, por duhet ta pranojë dështimin e tyre. Këto kërcënime që dëgjohen në opinionin publik do të nxisin urrejtje, por jo edhe frikë aq sa po mendon koalicioni i tashëm

Herë-herë vështirë është ta marrësh vesh animin disa qytetarëve në grupet politike, sot për sot, te ne. Me dhjetëra herë dhe gati sa herë që s’e kujton fare, mund të gjesh të njëjtët me fjalë e fjali njësoj nëpër periodikun e kohës dhe nëpër portale të ndryshme për ndonjë figurë politike, që vërtet, nuk mund t’u ikë gabimeve që ka bërë për kohën e tij në institucione shtetërore. Mirëpo, nuk thuhet sa e si duhet për tjetrin që njëkohësisht është në një mënyrë, gjithashtu pengesë e përgjithshme e shumë serioze për veprat e tij dhe të grupit përreth. Dhe askush nuk e ngarkon askënd, e as që duhet, pa ndonjë arsye. Prandaj, shtrohet pyetja, a mos po dëshiron edhe dikush tjetër, që të jetë paksa më enigmatik e sa për të mbështjellë punë për interesa të veta. Kështu edhe hyn dikush si pykë me fjalë të mëdha, por jo se do të jetë shpëtimtar në rastin tonë. Këtu mendoj në shoqëritë civile dhe te një pjesë e analistëve apo OJQ-ve. E them këtë sepse kjo mundësi është pak nga e kaluara. Sa shumë i patën zgjatur thonjtë disa kundër partisë në pushtet, e kur arritën të bashkohen pas aq shumë sharjeve me ta, jo veç LDK-ja, por edhe disa analistë e politikanë, tash po e ulin kokën si shumë “melaqe” të mëdha. Këta/këto (disa) kërcyen nga OJQ-të e analistë të ditës dhe u bënë deputetë, ministra dhe bukur shumë i arsyetojnë gjërat që nuk pranohen?! Kur dikush flet aq shumë për drejtësinë dhe kur vjen në breg për ta thënë fjalën e dikurshme hesht, populli thotë: “I hëngri fjalët!” Kësaj i thonë saktë hipokrizi dhe më keq se ai veprimtari  me ato veprat e tij të papranueshme, e të cilat dikur dhe aq moti i ke luftuar si thuhet me “rrezik” e pa iu përfalur askujt.

Qytetarët dhe dilemat për institucionet shtetërore

Kur flitet për ndryshime, qoftë nëpërmes zgjedhjeve, apo në ndonjë mënyrë tjetër, gjenden mjaft, jo veç ata servilët – argatë të dëshirueshëm e militantë, por edhe një pjesë e qytetarëve që aspak nuk zënë besë më te askush. Dhe kanë të drejtë. Sepse kanë një dozë mëdyshje në hapësirën tonë politike dhe këtë që nga fillimi. Iu ka përzije qytetarit tonë qëllimi me venerimet e tij nëpër kohë për çdo parti, për të mos thënë edhe për çdo individ. Kjo është më se e arsyeshme. Mundet dikush të flasë edhe për këta të opozitës e edhe kandidatët e pavarur, kjo nuk na befason. Mund të gjenden edhe fakte për këtë pjesë të politikanëve. Kështu shihet te ndonjëri, gjithnjë sipërfaqësisht për dikë e diçka konkrete jo aq, por ftohtë duke lënë alternativa e hapësirë për gjëra e sjellje të personaliteteve në institucione të deritashme. Pra, dikush e ka drojë, se, e ardhmja do të na ndëshkojë edhe më keq me ndërrime të reja. Edhe ky fakt nuk mund të përjashtohet, ani pse nuk do të jetë krejtësisht ashtu, por më shkurt, institucionet e sotme nuk mund të arsyetohen publikisht. Diçka që është përjetuar vrazhdët, duhet patjetër të ndryshojë rrjedhën e vet në favor të Kosovës dhe qytetarëve të saj. E ndryshimi duhet të bëhet disi, veç nëse dikush (?) nuk ka vendosur që sërish Kosovën ta shkatërroj edhe më keq se që ka qenë dikur. Shihet qartë qe sa kohë që, këto institucione nga ky koalicion përfundimisht janë të inkriminuara e që është thënë mjaft publikisht. Madje, dy partitë e koalicionit duhet të bëjnë reformë përbrenda tyre, ndryshe së shpejti, nuk do të jenë legjitime në mesin e anëtarësisë së tyre, por për këtë çështje ata e dinë vetë më mirë. Qytetarët  e vendit nuk duhet të mbetën në dilemë. Edhe nesër duhet të mendohet për institucionet e ardhshme shtetërore. Dhe askush nuk mund të konsiderohet përjetësisht i paprekshëm e me “tapi”, sepse institucionet kanë mandatin e qytetarëve për jetën dhe veprën e tyre. Nuk ka mundësi në shoqëritë demokratike të mbillet frikë nga koalicione e individë të ndryshëm për të mbetur në pushtet me gjithaq lëshime, në të gjithë sektorët e shoqërisë, natyrisht duke llogaritur veten për shumëçka figurë shumë emblematike.

Zgjedhjet e parakohshme dhe zgjedhjet normale                                              

Është pak e papëlqyeshme që të bëhen zgjedhje të parakohshme për shumë arsye objektive e subjektive. Por të domosdoshme e të arsyeshme pas kaq shumë presioneve nga ana e opozitës, shoqërisë civile e opinioni qytetar. Do të thotë, kundërshtitë janë haptas për këtë qeverisje të këtij vendi. Për këtë duhet të reflektonin protagonistët e institucioneve të tanishme. Madje, kemi thënë, duhet që t’u ndihmohet atyre që do të jenë në rrugë të mbarë për qeverisjen e mirë të ardhshme.

Koalicioni duhet t’i zgjedhë pak fjalët

Koalicioni qeverisës i tashëm nuk duhet të rebelohet dhe të kërcënojë në secilën konferencë për media, por duhet ta pranojë dështimin e tyre. Këto kërcënime që dëgjohen në opinionin publik do të nxisin urrejtje, por jo edhe frikë aq sa po mendon koalicioni i tashëm. Fjalët nga një politikan, cilido qoftë, do të duhej të jenë tepër të matura para qytetarëve. Kërcënimet e sotme e pezmatojnë edhe atë që nuk është në ligën kundërshtare. Nuk është qëllimi edhe i këtyre letërshkruesve që të damkosin askënd. Të gjitha damkosjet e secilit do t’i shqyrtojë Gjykata, vjen dita. Por qëllimi i jonë është që të bjerë në binarë politika për të qeverisur këtë vend të begatshëm, e i mbetur aq shumë i varfëruar. Madje, duhet të mësohemi se mundet edhe ndryshe. Dhe kjo nuk do të thotë se është ndonjë katastrofë, në qoftë se nesër vjen në pushtet dikush tjetër. Sepse, askush nuk mund t’u thotë se, ju e keni mirë sot për sot. Dhe vërtet janë numëruar e rinumëruar të gjitha të bërat e mbrapshta që janë zhvilluar deri më tash. Këto zhvillime, kuptoni, të gjitha kanë ndodhur tepër të paarsyeshme në mandatin tuaj!

Mënyra e riciklimit të zgjedhjeve, e dëmshme

 

As zgjedhjet e parakohshme e as ato normale, nuk do të ishin mënyra më e mirë qysh janë bërë deri më tash. Këto zgjedhje tashmë janë të papranueshme. Dhe kjo është parë shumë qartë. Për këtë rrallëkush ka folur dhe potencuar se, nuk duhet partia të zgjedhë kë dëshiron, për favore të saj. Secila parti duhet t’i emërojë kandidatët e vet për deputet, por edhe regjioni e komuna duhet t’i caktojë dhe t’i zgjedhë.  Pra, vetë votuesit janë ata që do të mendojnë për ata që do të duhej ta përfaqësojë atë mes. Shumë zona e komuna, sikur fare nuk kanë pasur ndikim në zhvillimin ekonomik. Madje, riciklimi do të ishte një gabim i pafajshëm pas gabimeve të deritashme. Edhe zgjedhja e presidentit të shtetit duhet me kundërkandidat dhe në listën e verifikuar nga Komisioni zgjedhor. Qytetarët do ta japin legjitimitetin për njërin/njërën që do të ishte më i pranueshëm, e kjo është vota që do ta bëjë inaugurimin e presidentit. Kandidati për president mund të jetë jo veç nga partitë, por edhe nga strukturat e tjera qytetare. Mund edhe individi, për të cilin do të shprehej jo veç dëshirë, por do të mendohej edhe në veprimin e tij/saj konkret e të guximshëm. Veprim, i cili do t’u ndihmonte qytetarëve. Do të bënte një politikë normale të brendshme, por edhe lëvizjet e kontaktet e planifikuara në botën e jashtme. Kurrfarë pazari në mes dy partive në koalicion nuk do ta përmbushte kërkesën e pjesës më të madhe të qytetarëve të vendit. Madje, ky riciklim me  figura për të cilat sot bëhen aq shumë fjalë me pasoja negative, vërtet do të ishte një kaos dhe shkallëzim shkatërrimtar i gjendjes politike në mes institucioneve dhe qytetarëve të vendit.