Nga Irani deri në Nigeri, nafta e lirë nënkupton politika të rrezikshme

Nga Irani deri në Nigeri, nafta e lirë nënkupton politika të rrezikshme
  • 08 February 2016 - 15:03

Shkruan: Fareed Zakaria

Çmimet e karburanteve falimentojnë shtetet

Shumë shtete janë të varura kryekëput nga eksporti i arit të zi

Kur tash vonë u pyet se çka e linte pa gjumë gjatë natës, shefja e FMN-së, Christine Lagarde, përmendi “petro-shtetet” si Nigeria, ku 90% e eksporteve dhe 60% të të ardhurave të Qeverisë vijnë nga shitja e naftës

Njëra nga fjalitë që Donald Trump i përsërit shpesh gjatë kampanjës së tij, është ajo se marrëveshja bërthamore me Iranin ishte “e tmerrshme”. Kam filluar të hamendem mos është e vërtetë kjo, por për anën tjetër. Irani ka përfunduar me një marrëveshje shumë më të keqe sesa që e kishte pritur. Mos harroni, Teherani hyri në negociata gjatë kohës kur çmimet e naftës ishin të larta. Sikur që janë duke zbuluar iranianët, tani kemi një botë ndryshe.

Vëreni veten në lëkurën e Iranit. Republika Islamike u bë serioze rreth negociatave dhe nënshkroi një marrëveshje të përkohshme në vitin 2013. Atë vit, një barelë nafte kushtonte 100 dollarë. Rivali i madh i Iranit, Arabia Saudite, ishte duke lulëzuar, me një ekonomi që në vitin 2012 kishte një rritje 6% në vit. Edhe pse shpenzonte pa hesap jashtë vendit dhe në vend, buxheti i saj i vitit 2013 u rrit për 19%.

Irani, në anën tjetër, ishte i izoluar me një ekonomi në tkurrje e sipër. Çmimi real për Teheranin nuk ishte kthimi i fondeve të saj të ngrira në bankat e Azisë dhe Evropës, për shkak të sanksioneve ndërkombëtare (rreth 100 miliardë dollarë). Irani përfundimisht ishte duke u kthyer në tregje si prodhuesi i dytë më i madh i naftës në Lindjen e Mesme. Në vitin 2010, zyrtarët iranianë vlerësonin se, deri në vitin 2015, të ardhurat e Iranit nga nafta dhe gazi mund të arrijnë në 250 miliardë dollarë në vit. Ata llogaritnin në këtë kur bënin lëshimet e veta.

Ekonomia e Iranit është fleksibile

Muajin që shkoi, nafta e Iranit filloi që të jetë e pranishme në tregjet ndërkombëtare me një çmim prej më pak se 30 dollarë për barelë. “Bloomberg News” llogariste se Irani fitonte 2.35 miliardë dollarë në muaj nga shitja e naftës. Kjo nuk është as për së afërmi shuma të cilën e kishte pritur Republika Islamike, në shkëmbim të heqjes dorë nga programi bërthamor i saj.

Përkundër kësaj, Irani ka të ngjarë që ta mbijetojë më lehtë këtë rënie të çmimit të naftës, krahasuar me “petro-shtetet” e tjera. Ekonomia iraniane është diversifikuar deri në një masë dhe, për shkak të sanksioneve, ekziston një fleksibilitet i madh si në ekonomi, po ashtu edhe në shoqëri. Kjo nuk mund të thuhet për shumicën e vendeve të tjera të mëdha, të cilat gjenden në siklet nga rënia e çmimit të naftës.

Shikojeni Irakun fqinj. “New York Times” e ka paraqitur atë si një vend që është duke zhvilluar një luftë të shtrenjtë kundër ISIS-it, që ballafaqohet me vështirësi ekonomike për shkak të rënies së çmimit të naftës, e cila sjell më shumë se 90% të të ardhurave të Qeverisë irakiane. Gazeta vëren se gati 8 milionë irakianë varen nga rrogat qeveritare, të cilat kushtojnë rreth 4 miliardë dollarë në muaj. Tani, të ardhurat e përgjithshme nga nafta janë më pak se 3 miliardë në muaj. Një zyrtar i lartë iranian më tha se Iraku mund të mos mbijetojë si shtet, nëse çmimet e naftës mbesin të ulëta për një kohë të gjatë.

Gjetiu, Venezuela, për një kohë të gjatë e keqmenaxhuar nga Hugo Chávez dhe pasuesi i tij, gjendet buzë falimentimit, apo edhe më keq. Ekonomia e këtij vendi u zvogëlua për 10% vitin e kaluar. Këtë vit rënia pritet që të jetë edhe 8% shtesë, derisa inflacioni do të jetë i ngjashëm me atë të Republikës së Weimar-it, prej 720%. Pyetja që shtrohet tani, sipas Matt O’Brien, është se a do të falimentojë së pari ekonomia, apo Qeveria.

Vendet “në rënie të lirë”

Kur tash vonë u pyet se çka e linte pa gjumë gjatë natës, shefja e FMN-së, Christine Lagarde, përmendi “petro-shtetet” si Nigeria, ku 90% e eksporteve dhe 60% të të ardhurave të Qeverisë vijnë nga shitja e naftës. Ai që përfiton nga kriza, është grupi ‘Boko Haram’, i cili ia ka tejkaluar grupit ISIS si grupi më i rrezikshëm terrorist në vitin 2014, ku vetëm gjatë vitit të fundit, janë vrarë rreth 6,644 njerëz.

Derisa Qeveria e Nigerisë është duke e luftuar grupin ‘Boko Haram’ në veri, ajo ballafaqohet edhe me mundësinë e përtëritjes së dhunës në jug, në deltën Niger, ku gjendet pjesa më e madhe e naftës. Në rastin më të keq, trazirat do ta përgjysmonin prodhimin e naftës në Nigeri. Trazirat morën fund me një paqe të brishtë dhe me amnisti për kryengritësit në vitin 2009. Por, Qeverisë së këtij vendi i mungojnë mjetet që ta vendosë lekun, ku e vendosë fjalën. Tani, Qeveria e këtij vendi mund të përfundojë duke luftuar kundër dy lëvizjeve brutale, të cilat mund ta copëtojnë vendin.

Ka edhe shtete të tjera, që merren me shitblerjen e naftës, jo me kaq sfida sikur këto, por prapëseprapë me probleme. Ekonomistët thonë se përgjigjja qëndron te përqafimi i reformave strukturore dhe duke investuar në industri të tjera dhe në kapitalin njerëzor. Kjo është vështirë për t’u bërë, sidomos kur vendi është në rënie të lirë.

Sido që të jetë, qeveritë e shteteve prodhuese të naftës kanë nevojë të madhe për para të gatshme, thjesht për t’i paguar rrogat dhe për t’i plotësuar nevojat elementare. Kjo d.m.th. se ato do të nxjerrin sa më shumë naftë që të munden. Mirë se vini në një botë të re të naftës së lirë dhe të politikës së rrezikshme!

op