Egoizmi i njeriut!

Egoizmi i njeriut!
  • 10 February 2016 - 10:12

Shkruan: Faik Krasniqi

Përcaktimi i prioritetit të interesave

Paraja është mediumi me të cilin ne e materializojmë egoizmin tonë

Me studimin e egoizmit merret etika. Ka nga ata që thonë se njeriu në çdo hap që bën, ai gjithnjë propulsohet dhe vepron bazuar në interesat e veta, pavarësisht se ai mund edhe të tentojë e t'i fshehë ato mbas motivesh më të pranueshme si p.sh. dëshira për të ndihmuar të tjerët apo ndjenja e detyrës. Kundërshtari më i madh i këtij interpretimi të egoizmit është David Hume, i cili përdor nja 6 shembuj për të vërtetuar se nuk është e vërtetë që egoizmi është forca lëvizëse në aktet e njerëzve, dhe se altruizmi është po ashtu i pranishëm në natyrën e njeriut, siç është edhe në botën e kafshëve. Ka nga ata që thonë se njeriu duhet të jetë egoist. Madje sa është racionale të jesh egoist e të ndjekësh realizimin e interesave të tua, po aq irracionale do të ishte mos ndjekja e tyre. Por kundër një pozicioni të tillë mund të sillen plot argumente. Më klasiku është ai i "Prisoner's Dilemma", me anë të të cilit mund të argumentohet se bashkëpunimi midis dy të akuzuarve është shumë më i favorshëm për të dy ata, se sa rasti i kundërt kur secili prej tyre ndjek interesin e ngushtë personal. Por, në jetën e përditshme zgjidhja e fundit predominon. Ata që zgjedhin rastin e parë ne zakonisht i quajmë "shenjtë".

Interesi i përbashkët

Ka nga ata që në ekuacion e zëvendësojnë logjikën me moralin dhe thonë se është e moralshme të realizosh interesat e tua. Dhe këtu sillet shembulli i një planeti Tokë që banohet nga një qenie e vetme. Kjo qenie s'mund të jetë asnjëherë gabim, sepse ajo nuk do të ketë vështirësinë e zgjedhjes midis moralesh konkurruese. I vetmi siklet për të do të jetë përcaktimi i prioritetit të interesave. Por idilizimin e kësaj bote e merr përsipër ta prishë Kanti me idenë e tij mbi detyrën, kur thotë se ka veprime, të cilat duhen bërë pa marrë parasysh nëse ne fitojmë apo humbasim.

Ka të tjerë që thonë se egoizmi është i pranueshëm, në qoftë se ai përpiqet të realizojë objektive (qëllime) moralisht të pranueshme. Sipas atyre që mbështesin këtë pikëvështrimi mbi egoizmin (dhe A. Smith ishte një nga ata), egoizmi që do ta dëmtonte shoqërinë duhet ndaluar dhe në përgjithësi ai duhet t'i nënshtrohet një kategorie superiore të moralit, siç është interesi i përbashkët i një shoqërie, e mira publike.

Egoizmi i ka të gjitha gjasat të jetë burim i nevojshëm i adrenalinës

Tashti për tashti paraja është mediumi me të cilin ne e materializojmë egoizmin tonë. Dikur ky medium kishte formën e një thesi me kripë apo atë të një grushti guacash të mëdha të marra nga ndonjë gji deti sekret. Nesër ai mund të jetë në formën e një cope plastike, që do të jetë në gjendje të ndryshojë ngjyrë sipas vlerës që ajo ka. Me guacat njerëzit rregulluan shpellat, me kripën ndërtuan muret e qyteteve, me paret ngritën skyscraper-et e sotëm, kurse me copat e plastikës është një enigmë e tërë ajo që do të mund të bëhet. Por çfarëdo që të jetë, rrugën për atje ka më shumë mundësi të na e tregojë egoizmi se sa altruizmi. Egoizmi i ka të gjitha gjasat të jetë burimi i nevojshëm i adrenalinës që duhet për të shkuar atje ku nuk është shkuar asnjëherë më parë.