Populistët e Mëdhenj

Populistët e Mëdhenj
  • 10 February 2016 - 10:16

Shkruan: Jacek Rostowski

Rreziku nga politikanët nacionalistë

Diktatorët e rinj: Putin, Erdogan, Kaczyński, Orbán

Dallimi më i madh në mes të Diktatorëve të Mëdhenj dhe atyre të tanishëm është që liderët e sotëm vazhdimisht duhet të përballen me elektoratin

Sfida e parë për hegjemoninë perëndimore, pas rënies së komunizmit në Evropë, ka qenë shfaqja e të ashtuquajturave vendet e BRICS-it – Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika Jugore – në vitet e 2000-a. Me një rritje të shpejtë ekonomike dhe me një numër të popullsisë që përbënte afro gjysmën e popullsisë në botë, vendet e BRICS-it dukej se po balanconin pushtetin në botë, duke e larguar një pjesë të pushtetit nga SHBA-ja dhe Evropa Perëndimore.

Sot, BRICS-i duket një kërcënim më i vogël gjeopolitik për Perëndimin. Rusia Brazili dhe Afrika Jugore, me probleme të mëdha ekonomike dhe Kina, në anën tjetër, po ec me hapa të pasigurt. Vetëm India po e ruan lavdinë. Perëndimi përsëri ka rënë pre e presionit, që tanimë është në oborrin e tij. Këtë herë sfida është politike, jo ekonomike: ngritja e politikanëve të cilët kënaqen kur shohin konflikte dhe përbuzin ligjet ndërkombëtare dhe ato të brendshme.

Rikthimi i diktatorëve

Unë këta liderë i quaj ‘PEKO’-t, me këtë akronim që është krijuar duke marrë shkronjat e para nga mbiemri i katër më të njohurve: presidenti rus, Vladimir Putin, presidenti turk, Recep Tayyep Erdoğan, politikani polak Jarosław Kaczyński dhe kryeministri hungarez, Viktor Orbán.

PEKO-t nuk e shohin politikën si një menaxhim të emocioneve të përbashkëta për ta arritur një qëllim të gjerë politik: rritja më e shpejtë ekonomike, një shpërndarje më e barabartë e të ardhurave, një siguri më e madhe kombëtare dhe më shumë prestigj e pushtet. Ata e shohin politikën si një seri të pafundmë të intrigave, që bëhen me qëllim të ruajtjes së pushtetit dhe privilegjeve për veten.

Këta liderë i kanë pikëpamjet e ngjashme me ato të revolucionarit rus, Vladimir Lenin, që mendonte që ‘politika duhet të bëhet më e rëndësishme sesa ekonomia’. Në fakt, ata e vlerësojnë politikën më shumë se gjithçka tjetër. Politika për ta është ajri që e thithin dhe politikat përbëjnë instrumentet më të rëndësishme në luftën e tyre për mbijetesë.

Megjithatë, do të kishte qenë gabim sikur të bëhej një krahasim i PEKO-ve të sotëm me ‘Diktatorët e Mëdhenj’ të viteve të 1930-a. PEKO-t mund të jenë nacionalistë, mirëpo opinionet e tyre nuk do të ishin marrë parasysh në Evropën e para Luftës së Parë Botërore.

Gjithsesi, dallimi më i madh në mes të Diktatorëve të Mëdhenj dhe PEKO-ve është që liderët e sotëm vazhdimisht duhet të përballen me elektoratin. Në fakt, politika e tyre ballafaquese përbëjnë elementin qendror të strategjisë së tyre për mbijetesë. Secili prej tyre ka mbërritur në pushtet (ose e ka ruajtur atë) duke polarizuar shoqëritë dhe duke mobilizuar bazën e vet të elektoratit.

Stili politik i PEKO-s është mundësuar nga mediet moderne të lajmeve, që thjeshtojnë shumë çështje për publikun e gjerë. Kjo ju jep politikanëve ballafaques një përparësi të fuqishme dhe prodhon polarizim të elektoratit, të cilin paraprakisht e ka ushqyer PEKO.

Kjo strategji politike padyshim është shumë e efektshme. Në Rusi, për shembull, pagat reale kanë rënë për më shumë se 9 për qind në vitin 2015 dhe përqindja e familjeve ruse që nuk mund të sigurojnë ushqim e veshmbathje është rritur nga 22 në 39 për qind. Megjithatë, mbështetja për Putin-in vazhdon të jetë në 80 për qind.

Donald Trump dhe Marine Le Pen

Për dallim nga shfaqja e BRICS-it, që ka qenë një mirësi për ekonominë botërore, shfaqja e PEKO-ve përbën një kërcënim real – veçanërisht pasi  ata të fillojnë t’i aplikojnë qasjet e tyre të ashpra në çështjet e jashtme dhe në qeverisjen e ekonomisë globale. Pasi i kishin përhapur operacionet e tyre në mbarë botën gjatë çerekut të shekullit që kishte pasur rënien e komunizmit, ato vende janë bërë të varura në stabilitetin e bazuara në rregulla dhe në integrimet ekonomike. Pasuritë e tyre do të ngrihen varësisht nga zhvillimi i strategjive për shmangien e rreziqeve të reja nga ana e PEKO-s.

Sa për t’i përkeqësuar gjërat, fenomeni PEKO duket se është i aftë për t’u shpërndarë edhe në zemër të Perëndimit. Shembuj të tillë janë nacionalistët skocezë dhe katalanë dhe politikanët britanikë, të cilët po bëjnë kampanjë për ta nxjerrë Britaninë e Madhe nga Bashkimi Evropian. Njerëzit të cilët mbështesin propozime të tilla po tregohen shumë neglizhues ndaj dëmeve ekonomike që do të mund t’i shkaktonin propozimet e tyre.

Ngjashëm, në të paktën dy demokraci të mëdha botërore, kandidatët seriozë për postet më të larta shtetërore po veprojnë si PEKO-të: kandidati për president në SHBA, Donald Trump dhe liderja e Frontit Kombëtar në Francë, Marine Le Pen, që do ta kërkojë presidencën e vendit të saj në vitin 2017. Nëse përpjekjet e tyre për pushtet rezultojnë të suksesshme, rreziqet që i kanosen stabilitetit global do të rriten në masë të madhe.

(Jacek Rostowski ka qenë ministër i Financave dhe zëvendëskryeministër i Polonisë në periudhën 2007-2013)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”