Velika Srbija ishte dhe është ISIS-i i Ballkanit (1878-2016)

Velika Srbija ishte dhe është ISIS-i i Ballkanit (1878-2016)
  • 11 February 2016 - 09:56

Shkruan: Prof. Dr. Mehdi Hyseni

Barometri diplomatik

Tragjedia dhe fataliteti i politikës gënjeshtare dhe falsifikuese serbomadhe

Më 31 janar 2015, në kryeqytetin e Etiopisë, Adis-Abebë, në samitin e 26-të të Unionit Afrikan, me temë “Viti afrikan i të drejtave të njeriut, me vështrim të posaçëm,  të drejtat e grave”, mori pjesë edhe presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, i cili në fjalën e tij të rastit doli nga kjo temë, duke deklaruar  rrejshëm dhe me pafytyrësi para gjithë botës se “Njohja e Kosovës si shtet i pavarur u ka shërbyer si model atyre që kanë formuar shtetin islamik - ISIS”. Këtë gënjeshtër dhe falsifikat sui generis të çetnikut-vojvodës së Vojislav Sheshelit, kriminelit dhe presidentit aktual të Serbisë, Tomislav Nikoliq, para së gjithash e provojnë edhe tre gjenocidet e fundit të Serbisë në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë (1990-1999), të cilat, gjyqësia dhe drejtësia ndërkombëtare ende nuk i ka ndëshkuar si të tilla sipas konventave ndërkombëtare dhe të së drejtës ndërkombëtare.

 Ky është gabimi më i madh i bashkësisë ndërkombëtare, që nuk e ka denoncuar Serbinë gjenocidale të Slobodan Milosheviqit, ashtu sikurse e pat dënuar Gjermaninë nazifashiste të Adolf Hitlerit Gjykata a Nurembergut (1945-1946). Pikërisht, amnistimi i tillë i Serbisë nga kryerja e tri gjenocideve në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë, bëri që Nikoliqi, Tadiqi, Daçiqi, Koshtunica, Shesheli, Vuçiqi, Çoviqi…etj., ta vazhdojnë me konsekuencë dhe me finokri politikën dhe diplomacinë kolonialiste të regjimit fashist gjenocidal të Slobodan Milosheviqit ndaj Kosovës, duke “lehur” përditë si në Ballkan, në Evropë, ashtu edhe nëpër vende të tjera të botës, se kurrë nuk do të heqin dorë nga “Kosova serbe”, e cila, ashtu  figuron edhe në Kushtetutën e Republikës së Serbisë (2006) se “Kosova është krahinë e Serbisë”. Mirëpo, sot, çetniku serbomadh fashist, Tomislav Nikoliq, ka “harruar” shumë shpejt (1990-2016), që hordhitë e tij-paramilitarët, militarët dhe policët e ISS-it serb (të indoktrinuara, të trajnuara, të përgatitura, të urdhëruara, të komanduara) therën, masakruan, ekzekutuan, terrorizuan dhe vranë në mënyrën më barbarike dhe më ataviste me qindra dhe  mijëra kroatë, myslimanë boshnjakë dhe shqiptarë, vetëm pse nuk ishin serbë dhe, nuk lejonin rigrabitjen  dhe ripushtimin kolonizues të tokave të tyre autoktone  në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë nga ana e Serbisë hegjemoniste dhe militariste e Serbisë së Slobodan Milosheviqit, të Vojislav Sheshelit dhe të Kishës politike ortodokse serbe, strategjia gjeopolitike e platformës së tyre të përbashkët kishte për qëllim zgjerimin e kufijve të Velika Serbisë.

“Sulmi, mbrojtja më e mirë” e presidentit Nikoliq

Si thotë një fjalë popullore,“hajde, pasi po të rrahë dreqi kërpesh këmbëve”, të debatojmë në temën se cili ishte “inspirimi” dhe modeli i formimit të ISIS-it, Kosova e cila në mënyrë të ligjshme dhe të drejtë është çliruar dhe pavarësuar më 17 shkurt 2008 nga Serbia kolonialiste dhe gjenocidale, të cilën deri tani e kanë njohur mbi 100 shtete të bashkësisë ndërkombëtare, apo Velika Srbija dhe Republika srpska, të cilat janë krijuar me agresion, me terror dhe me gjenocid (1878-2016). Edhe çetniku-vojvoda i Vojislav Sheshelit dhe presidenti aktual i Serbisë, Tomsilav Nikoliq, gënjen, manipulon dhe ndërron tezat sikurse Slobodan Milosheviqi  se gjoja “Kosova është Serbi”, se “Kosova është model i ISIS-it”!? Kjo është  tragjedia dhe fataliteti i politikës gënjeshtare dhe falsifikuese  serbomadhe kolonialiste dhe etnocentriste, që nuk pajtohet me të vërtetën e realizmit politik të socialdemokratit Dimitrije Tucoviq, kur thotë se “Derisa serbët nuk e kuptojnë se ndodhen në tokën e huaj, kurrë nuk do të kenë marrëdhënie të mira me shqiptarët”. Të gjithë ata që e njohin historinë e Ballkanit e dinë se Velika Srbija është formuar në saje të gjenocidit dhe të terrorizmit shtetëror të Serbisë, që nga  njohja e saj nga Kongresi i Berlinit, më 1878, si dhe  Republika srpska e Radovan Karaxhiqit dhe e Ratko Mladiqit, është formuar me agresion dhe me gjenocid (1992-2005). Këta janë shembujt dhe modelet më tipike dhe më inspiruese të holokaustit të  dikurshëm të Hitlerit dhe të ISIS-it të sotshëm.

Gjenocidi serb

Pavarësisht nga ndryshimi dhe shtrembërimi i tezave historiko-politike dhe shkencore të KOS-it dhe të pushtetit kolonialist serbomalazez, se shqiptarët “janë ekstremistë e terroristë” etj., e vërteta është kjo: serbët dhe malazezët janë ata, që karakterizohen nga këto cilësime ndëshkuese në kurriz të shqiptarëve dhe të së drejtës së tyre historike mbi Kosovën, përkatësisht Shqipërinë etnike. Historikisht, ushtrimi i gjenocidit kolonialist dhe i holokaustit të Serbisë dhe Malit të Zi mbi shqiptarët dhe Shqipërinë Etnike, në interval kohor është më i gjatë dhe më tragjik sesa holokausti i Hitlerit mbi popullin hebrenj (1939-1945), sepse holokausti serbomalazez mbi shqiptarët dhe territoret e tyre etnike daton që nga viti 1842 dhe, fatkeqësisht, dhe për turpin e gjithë Evropës së qytetëruar, është i pranishëm edhe sot, në vitin 2016 të shekullit XXI. Mirëpo, për mosalarmimin dhe murkullimin e holokaustit serbosllav mbi shqiptarët dhe Shqipërinë etnike, deri më 1999, me rastin e ripërsëritjes së tij në Kosovë është fajtore dhe mban përgjegjësi shkenca dhe politika shqiptare, të cilat, edhe pse kanë qenë të kufizuara dhe të kushtëzuara nga rrethanat dhe faktorët e politikës ndërkombëtare, nuk e kanë dhënë kontributin maksimal në ndriçimin e të gjitha aspekteve të holokaustit serbosllav mbi Shqipërinë dhe mbi shqiptarët, në dimensione kombëtare as ndërkombëtare, ashtu si ka vepruar në mënyrë objektive dhe racionale politika dhe shkenca hebrenje në denoncimin e holokaustit nazifashist të Hitlerit.