Putin-i nuk është aleat kundër ISIS-it

Putin-i nuk është aleat kundër ISIS-it
  • 12 February 2016 - 10:20

Shkruan: George Soros

Synon ta përçajë Evropën

Regjimi i Putin-it do të përballet me falimentim në vitin 2017

Qëllimi i tanishëm i Putin-it është të kontribuojë në polarizimin e BE-së dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë gjë është nëpërmjet valës së refugjatëve sirianë të drejtuar nga BE-ja

Liderët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian po bëjnë gabim të madh, kur mendojnë që Rusia e Vladimir Putin-it është një aleat potencial në luftën kundër Shtetit Islamik. Provat bien në kontradiktë me mendimet e tyre. Qëllimi i tanishëm i Putin-it është të kontribuojë në polarizimin e BE-së dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë gjë është nëpërmjet valës së refugjatëve sirianë të drejtuar nga BE-ja. Aeroplanët rusë kanë bombarduar popullsi civile në Sirinë jugore, duke i detyruar ata që të largohen në drejtim të Jordanisë dhe Libanit. Tani për tani janë rreth 20.000 refugjatë sirianë të vendosur në kampe nëpër shkretëtirë, që presin të futen në Jordani. Një numër më i vogël refugjatësh po presin të futen në Liban. Që të dy këto grupe janë në rritje.  Rusia ka kryer edhe një sërë sulmesh ndaj civilëve në Sirinë veriore. Kjo gjë ishte pasuar nga sulmet tokësore nga ana e ushtrisë së presidentit sirian Bashar al-Assad në Alepo, që dikur kishte rreth 2 milionë banorë. Bombardimet sporadike kanë detyruar 70.000 civilë që të largohen për në Turqi dhe ofensiva tokësore mund ta nxisë shpërnguljen e shumë të tjerëve.

Ka intervenuar në Siri për ta përkeqësuar krizën e refugjatëve në Evropë

Familjet që po zhvendosen mund të mos ndalen në Turqi. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, më 9 shkurt ka shkuar në Ankara për të negociuar me Qeverinë turke rreth mundësive të nxitjes së refugjatëve, që tashmë janë të vendosur në Turqi, që ta shtyjnë qëndrimin e tyre. Ajo e ka ofruar mundësinë e marrjes së 200.000 – 300.000 refugjatëve sirianë në Evropë, nëpërmjet aeroplanëve, çdo vit me kush që Turqia i parandalon ata nga futja në Greqi, duke shtuar që nëse ka të tillë, atëherë Turqia do të duhet t’i pranojë ata, pasi që të kthehen. Putin-i është një teknik i zoti, mirëpo nuk ka ide strategjike. Nuk ka arsye për të besuar që ai ka intervenuar në Siri për ta përkeqësuar krizën e refugjatëve në Evropë. Në fakt, intervenimi i tij ka qenë një gabim strategjik, që e ka futur atë në konflikt me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, gjë kjo që ka ndikuar në dëmtimin e interesave të të dyja palëve. Mirëpo, Putin-i, më ta parë mundësinë e nxitjes së shpërbërjes së BE-së, ai e kishte shfrytëzuar. Ai është munduar t’i turbullojë veprimet e tij duke thënë që po vepron kundër një armiku të përbashkët, ISIS-it. Ai ka ndjekur një qasje të ngjashme në Ukrainë, duke nënshkruar marrëveshjen e Minskut, mirëpo duke dështuar më pas që t’i mbante obligimet e veta.

Është e vështirë të kuptohet pse liderët e SHBA-së dhe BE-së e vlerësojnë Putin-in në bazë të fjalëve, e jo në bazë të sjelljeve. Shpjegimi i vetëm që mund ta gjejë është që politikanët demokratikë mundohen t’i sigurojnë njerëzit, të cilët i qeverisin duke ua pikturuar një pamje më të favorshme në krahasim me realitetin. Fakti është që Rusia e Putin-it dhe BE-ja janë të përfshira në një garë kundër kohës: Çështja është se cila prej tyre do të bjerë e para.  Regjimi i Putin-it do të përballet me falimentim në vitin 2017, kur një pjesë e madhe e borxhit të huaj maturohet dhe trazirat politike mund të pëlcasin edhe më herët. Popullariteti i Putin-it, që për momentin vazhdon të jetë i lartë, qëndron mbi marrëveshjen shoqërore që kërkon nga qeveria që të sigurojë stabilitet financiar dhe një ngritje të ngadaltë, por të qëndrueshme, të standardit të jetesës. Sanksionet perëndimore, të shoqëruara me rënie të shpejtë të çmimit të naftës, do ta shtyjnë regjimin që të dështojë në të dyja aspektet. Deficiti buxhetor i Rusisë është në 7 për qind të GDP-së dhe qeveria duhet ta zvogëlojë atë në 3 për qind, në mënyrë që ta parandalojë daljen e inflacionit nga kontrolli. Fondi i Rusisë për siguri sociale po mbetet pa para dhe duhet të bashkohet me fondin qeveritar për infrastrukturë për t’u plotësuar. Këto dhe zhvillimet e tjera do të kenë ndikim negativ në standardet e jetesës dhe në opinionin e elektoratit para zgjedhjeve parlamentare në vjeshtë. Mënyra më efektive për regjimin e Putin-it që ta shmangë rënien është nëpërmjet shkaktimit paraprak të kolapsit të BE-së. Një BE që po shpërbëhet nuk do të jetë në gjendje t’i mbajë sanksionet e vëna ndaj Rusisë pas ndërhyrjeve në Ukrainë. Përkundrazi, Putin-i do të jetë në gjendje që të përfitojë ekonomikisht nga Evropa e përçarë, duke vazhduar më pas me fuqizimin e marrëdhënieve me partitë anti-evropiane, që janë kultivuar me shumë kujdes. Siç qëndrojnë gjërat, BE-në e pret shpërbërja. Që prej krizës financiare të vitit 2008 dhe paketave të vazhdueshme të shpëtimit për Greqinë, BE-ja është mësuar se si të lëvizë nga një krizë në tjetrën. Mirëpo, tani ajo po ballafaqohet me pesë ose gjashtë kriza në të njëjtën kohë, që mund të del të jetë shumë për të. Siç e kishte parashikuar saktë Merkel-i, kriza e migrimit e ka potencialin për ta shkatërruar BE-në.

Është e vështirë të përballemi me kërcënimin që vjen nga Rusia e Putin-it

Kur një shtet ose një grup shtetesh ballafaqohet me një rrezik ekzistencial, liderët është më mirë të ballafaqohen me realitetin e dhimbshëm sesa ta injorojnë atë. Gara për mbijetesë e ka vënë Rusinë e Putin-it kundër BE-së. ISIS-i paraqet kërcënim për të dy palët, mirëpo nuk duhet mbivlerësuar. Sulmet e kryera nga terroristët xhihadistë, ndonëse të tmerrshme, nuk mund të krahasohen me rrezikun që kanoset nga Rusia. ISIS-i (dhe ‘Al-Kaida’ para tij) e ka gjetur thembrën e Akilit në civilizimin perëndimor – frikën nga vdekja – dhe është mësuar se si ta shfrytëzojë atë. Nëpërmjet rritjes së Islamofobisë në Perëndim dhe nëpërmjet detyrimit të qeverive dhe publikut që t’i trajtojnë myslimanët me dyshime, ata shpresojnë t’i bindin myslimanët e rinj që nuk ka alternativë për terrorizmin. Pasi që kjo strategji të kuptohet, del në pah edhe ilaçi i thjeshtë: Refuzo të sillesh ashtu siç kërkojnë armiqtë. Është e vështirë të përballemi me kërcënimin që vjen nga Rusia e Putin-it. Dështimi për ta kuptuar këtë rrezik do ta vështirësojë edhe më shumë ballafaqimin me të.

George Soros është kryetar i ‘Soros Fund Management’ dhe kryetar i Fondacioneve ‘Open Society’. Ai është edhe autor i shumë librave, përfshirë edhe ‘The Alchemy of Finance’, ‘The New Paradigm for Financial Markets: The Credit Crisis of 2008 and What it Means’ dhe ‘The Tragedy of the European Union’.

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”