Nuk është dashur ta humbni pusullën deri në këtë masë

Nuk është dashur ta humbni pusullën deri në këtë masë
  • 13 February 2016 - 10:26

Shkruan: Shefik Shkodra

Pas cirkut të Hashim Thaçit me shoqërinë civile

Në sirtarët e prokurorive janë mbyllur 1400 akuza për korrupsion

Me të drejtë nuk keni më krekdibilitet legjitim. Dikush për dikë ka thënë moti  ‘e ka humbur rrugën në oborr të vetin’. Ndoshta nuk do të jetë i gatshëm asnjëri prej këtyre qeveritarëve ta pranojë këtë analogji që u takon si personale. Dhe, kjo personalja  juaj, me inat e edhe kush e di tjetër për çka, do të shkaktojë dëm në këtë vend dhe këtij populli. Thonë, mos e “ba ispat” me gojë tënde të keqen. Mirëpo, edhe po t’i lëvdonim tipat që udhëheqin këtë Qeveri, kjo nuk do të thotë se të tjerët pajtohen me këto fjalë boshe. Sipas meje, Qeveria te ne, në Kosovë, është bërë si një klub privat, kush si do prej tyre bën, nëse rrethi i tyre e pranon, merren vesh, puna u krye...! është mirë a keq, kjo s’ka rëndësi për ta. Ndërsa, qytetarët mendojnë se Qeveria dhe institucionet kanë një rregullore, agjendë dhe në bazë të ligjit do të duhej të funksionojë sikur edhe institucionet e tjera të vendit, si të ishim njësoj si gjithë bota e civilizuar.

Isa Mustafa, kryeministër i tashëm po i shtron disa pyetje

- Pse opozita të bëjë protesta? Pse të demolohet, të gjuhen policët, të hidhet gazi lotsjellës, etj. Këto janë pyetje shumë të mira. Shumë me vend janë këto këshilla. Por, këto nuk janë për herë të parë te ne dhe as që do të mbeten të fundit. Ajo çka është më e rëndësishme për mua, tash është vonë. Moti u kemi shkruar, qysh sa ishte Hashimi kryeministër se problemet duhet të zgjidhen së bashku e me marrëveshje  mes vete. Se duhet të mendohet edhe për ekonominë e vendit, punësimin e qytetarëve, jo veç familjarët e lidhjet. E kemi përmendur edhe punën e privatizimit, që kjo mënyrë ka qenë shkatërrim e mizori e këtij vendi. Për këtë mendohet se, vetëm mendja dhe duart e armikut e kanë bërë këtë të ligë. Kemi thënë se, paratë e këtij privatizimi nuk dihet ku janë, sikur që nuk dimë ku janë edhe ato të Trustit të pensionistëve. Kush manipulon me këto para e populli vuan këtu në vend?! Këto dhe të tjera nuk i keni rrëfyer zotërinj. Për ju Parlamenti ka qenë formalitet. Për ju, krejt të tjerët janë formalizëm që nuk ju hyn në përdorim asgjë. Pra, as ai më parë e as ti (që je përgjegjës tash krye-shef qeverie) nuk i keni përfillur opozitën, as shoqërinë civile, as analistë e opinionistë, askënd. Të gjitha aferat, sepse të mira punë nuk di që janë kryer, kanë ndodhur pa leje të opozitës. Presidentja, sigurisht me insistimin  tuaj, tash po thërret që të ulen të gjithë me të dhe të bëjnë zgjidhje. Edhe ti e Hashim Thaçi keni thirrur shoqërinë civile, tash në fund, por më së paku për t’u konsultuar e për ta marrë mendimin prej të tjerëve, ashtu si u pa, ishin vetëm ligjëratat e shtjerra tashmë dhe nga pak kërcënime.

Çfarë të thonë këta zotërinj, sa herë duhet të bëhet rritja e çmimeve të artikujve të ndryshëm, sidomos kur është fjala për ata ushqimorë të përditshëm? Brenda shtatë tetë muajve, sa ngritje janë bërë? Po për rrymën? Në vend se ky vend të ketë këtë artikull më së liri, ne e kemi më së shtrenjti. Njerëzit ankohen përditë edhe në llogaritë e tyre me fatura. Po çka do të thoshte kryeministri i tashëm, i cili i thotë vetes ekonomist, ka edhe ekipin e zgjedhur vetë, a do të mund të paguajnë shërbimet komunale njerëzit pa të ardhura? Si mbushet buxheti shtetëror? Çka bëhet kur nuk ka blerës të mjaftueshëm në ekonominë e vendit? Sigurisht që këto dhe pyetje të ngjashme I. Mustafa i di më mirë se disa të tjerë. Këto pyetje i bëra, pasi që kur është fjala për diçka që duhet rreth vetes suaj, nuk e pyetni askënd. Ndërsa edhe për këto çështje jetike për qytetarët mund të përgjigjeni. Bie fjala, s’ka qytetari për pagesën e faturës së rrymës, ndërpritet furnizimi. Dhe kjo kohë do të vijë me këtë trend si po shkohet.

Mund të ndodhë edhe falimentimi i shtetit dhe prapë të thuhet – “mirë është”

‘Na e kemi mirë’, thotë tipi që del dhe flet para publikut në medie për koalicionin. Ju nuk mund të thoni se çka keni vepruar në të mirë të këtij vendi. Çka është shitur e çka mund të shitet ende(?). Ju nuk i ofruat sipas “programit” tuaj që e patët shfaqur para zgjedhjeve se, keni ofruar vende pune. Prej dyqind mijë, njëqind e pesëdhjetë mijë, nuk është thënë a janë të punësuar njëqind vetë, një mijë...sa? Ju nuk e përmendni sa të keqe i keni sjellë vendit me largimin e qytetarëve jashtë Kosovës. Ju nuk e përmendni as shitjen e ndonjë resursi ekonomik lirë, e pa ndonjë vlerë ekonomike në të ardhmen. Ju nuk e përmendni se hajdutët më të mëdhenj janë në mesin tuaj. Ju nuk e përmendni se e keni tradhtuar popullin edhe në resorët e tjerë: në gjyqësi, në arsim e në shëndetësi. Pra, s’është vetëm çështja e Demarkacionit me M. e Zi, as edhe Asociacioni e komunave me shumicë serbe. Këto dy të fundit janë kulmi i të gjitha të bëmave deri më tash. Këtu po shihet se nuk është qeverisur për Kosovën, por për shkatërrimin e saj, në mënyrë permanente. E keqja më e madhe, kur disa tipa mendojnë se, kjo është pronë e tyre (?) E pabesueshme!

Opozita duhet të qëndrojë fort e kujdesshëm

Vështirë të ketë drejtësi, kur dihet se njerëzit në institucione të sotme (një pjesë përgjegjëse) janë kandidatët e parë, të cilët do të duhej të përgjigjen para saj. Nëse në sirtarët e prokurorive janë mbyllur 1400 akuza për korrupsion, atëherë ku ishin organet ekzekutive të këtij vendi. Opozita, Shoqëria civile dhe njerëzit që e duan këtë vend, duhet ta kenë parasysh gjendjen, të mos ndalen kundër abuzimeve dhe spekulimeve të koalicionit të sotëm, absolutisht! Por edhe duhet të ruhen e të mos bien në gracka, sepse këtë e presin aleatët dhe miqtë e Serbisë. Ata janë, si duket, të fortë dhe të pandalshëm. Çdo veprim i emërtuar tashmë si veprimtari e kësaj shoqërie ka emër e mbiemër (këtë po e thonë të gjithë), ka edhe titull fizik apo juridik, por nuk po e thotë askush se, kush është ai/ajo/ata, me emër dhe mbiemër që është virus i shtrirë në përmasa të këtij vendi. Kush po e përdor kartën e meritokracisë, kush është ai që po kërcënohet dhe shantazhon shoqërinë në emër të bashkësisë ndërkombëtare? Ka emër dhe mbiemër, ka titull institucional dhe duhet t’i thuhet, por edhe të stopohet menjëherë. Unë ende mendoj dhe jam i bindur se, Kosova është e qytetarëve që jetojnë në të.

Është thënë se nuk jemi ne të vetmit të korruptuar

Kjo është një parullë shumë primitive. Qytetarët e dinë se çka është korrupsioni. Çka është tenderi, tashmë e kanë mësuar. Çka e dëmton ekonominë dhe çka e kush e ka dëmtuar këtë ekonomi të paktë. Prandaj, nuk janë aq naivë këta qytetarë që pesëmbëdhjetë vjet. Ndërsa, e dinë krejt kush ishte e është në pushtet. Puna e korrupsionit nuk është rast dite. Aferë që është zbuluar për një ministër sikur ndodh në vende të tjera. Kjo veprimtari është bërë gati legale për këto vite në këtë vend. Askush nuk mund ta verbojë e as ta shurdhojë gjithë masën e gjerë. Agjencia Kundër Korrupsionit ka numëruar rreth 1400 akuza për këtë veprimtari të shëmtuar – korrupsioni. Askush nuk i ka prekur lëndët nëpër prokurori. Asnjë mundim nuk e kanë marrë që ta kryejnë si politikanë një ndihmesë për zhdukjen e korrupsionit. Ndoshta më lehtë është të zhduken dokumentacionet atje, në vendin që duhet të besohet e të ruhen në mënyrë sekrete deri në kohën e duhur(?!). Ua lënë fajin gjykatave politikanët, por ato dhe tërë sistemin juridik e kanë manipuluar vetë ata nga partitë e tyre. Kjo është parë haptas. Asnjë prokuror e gjyqtar nuk mund të bëj vëk në punën e tyre, pa lejen e politikës. Do të thotë, ekzekutivi nuk po e lufton korrupsionin e krimin e organizuar, por po e fsheh dhe po e mbron. Në këtë mënyrë, indikacionet po tregojnë se nuk ka ulje, por rritje të korrupsionit. Sigurisht që do të ketë rritje...Ky vend si të ishte vetëm për korrupsion dhe kriminalitet. Do të duhej t’u vinte pak inati dhe turp, zotërinj!...Pse kur nuk po flasin mirë, po ju vjen inat i fortë. Jeni bukur shumë të sertë në shprehje. Po tregoni menjëherë se keni letërnjoftim të përjetshëm. E bëni veten të paprekshëm. Ndërsa, për lëshimet që i bëni në kurriz të qytetarëve dhe vendit, nuk skuqeni fare. Për mospunën  tuaj vuan ky popull, ju ndoshta nuk e pranoni as intimisht.