Klima e të bërit biznes dhe investimet e huaja direkte në Kosovë

Klima e të bërit biznes dhe investimet e huaja direkte në Kosovë
  • 28 April 2016 - 08:29

Shkruan Rita Nitaj

Që nga paslufta, Kosova ka arritur që deri diku të kuptojë rëndësinë e investitorëve të huaj për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Nga pikë- pamjet më klasike e deri tek ato më modernet, ekonomistët e interpretojnë që Kosova në parim është e zhytur thellë në varfëri dhe nuk ka kapacitet për të krijuar një qëndrueshmëri, duke pasur parasysh nivelin e të hyrave dhe konsumit, si rezultat i shkallës së lartë të papunësisë. Rrjedhimisht, bartësit e shtetndërtimit kanë kuptuar që fokus parësor i së ardhmes afatgjatë është joshja e investitorëve të huaj.

E kjo vë në pah nevojën për dizajnimin e një strategjie të atillë që krijon avantazhe krahasuese dhe jo barazi karshi konkurrencës. Me strategji nënkuptojmë që etapa e parë në nivel nacional do të duhej të ishte vënia e targeteve sektoriale në harmoni me resurset natyrore dhe njerëzore e pasuar me kaptinën tjetër që ngërthen aplikimin e politikave nxitëse. Kosova në vazhdimësi ka bërë përpjekje në përmirësimin e kushteve të të berit biznes dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

Thjeshtëzimi i procedurave doganore

Të dhënat e publikuara nga ana e institucioneve tona, por edhe të konfirmuara nga ana e organizatave ndërkombëtare me renome, tregojnë për një përmirësim të vazhdueshëm të këtyre kushteve. Raporti i Bankës Botërore "Doing business" konfirmon një përmirësim të kushteve për regjistrim të biznesit në Kosovë, përshpejtim dhe thjeshtëzim të procedurave doganore, lehtësim në pagimin e tatimeve, etj. Megjithatë, përkundër këtyre përmirësimeve, Kosova vazhdon të jetë një vend jo i lehtë për të bërë biznes dhe aq më pak atraktiv për tërheqjen e investimeve të huaja. Të dhënat historike të raportuara nga Banka Qendrore e Kosovës në lidhje me investimet e huaja neto e demonstrojnë qartë një evolucion të brishtë dhe pa trend që nga viti 2007. Mossuksesi mund të shpjegohet nëse vitin 2007 e përdorim si vit bazë, sepse në këtë formë kuptojmë se Kosova nuk ka arritur ende të tejkalojë rekordin e vitit bazë, ndërsa rënia prej 66 për qind gjatë 2014-ës dhe 26 për qind gjatë 2015-ës nuk reflekton ndonjë orvatje domethënëse e aq më pak serioze. 

Statistikat nuk kanë ndikuar në investimet e huaja direkte

Sidoqoftë duhet theksuar se në vitin 2015 në krahasim me vitin paraprak Kosova ka pasur një ngritje prej 115% të investimeve të huaja, gjë që ngjallë shpresë për të ardhmen. Në Raportin e Bankës Botërore "Doing business" Kosova në vitin 2011 ishte në vendin e 176-të, ndërsa në vitin 2015 arrit që të ngrihet në vendin e 64-të. Në bazë të këtyre raporteve, shihet se Kosova ka pasur një lëvizje mjaft pozitive për sa i përket përmirësimit të kushteve të të bërit biznes. Megjithatë, këto statistika nuk kanë ndikuar që investimet e huaja direkte në Kosovë të ndjekin të njëjtin ritëm.

Prandaj, shtrohen shumë dilema mbi atë se cilët faktorë ndikojnë në rritjen e investimeve të huaja. Në bazë të statistikave që i ka publikuar Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, investimet e huaja direkte nuk kanë pasur ndonjë ndryshim shumë të madh gjatë periudhës 2008-2015. Sidoqoftë, të flasësh për klimën e të bërit biznes duhet trajtuar në thelb ndërlidhjen e shumë indikatorëve, ngase treguesit ekonomikë pasqyrojnë vetëm një pjesë të tregimit, pasi investitorët e huaj analizën e tyre e zgjerojnë deri në atë masë sa sistemi ligjor e social, stabiliteti politik e ndoshta edhe pozita gjeografike merren parasysh. Hulumtimet e ndryshme me kompanitë kosovare dhe të huaja, në lidhje me të bërit biznes në Kosovë tregojnë për disa nga shkaqet kryesore të kësaj situate. Sipas tyre, barrierat kryesore dalin të jenë: 

1. Mungesa e zbatimit të ligjit;

Shumë nga bizneset shprehen se institucionet e zbatimit të ligjit, siç janë policia, prokuroria, dogana, tatimet etj., nuk janë në gjendje të ofrojnë një ambient të sigurt dhe të barabartë për të bërë biznes.

2. Mungesa e sigurisë ligjore; 

Mbingarkesa e gjykatave dhe vonesat e shumta në realizimin e të së drejtës, i bënë bizneset e posaçërisht ato të huaja, të mos ndihen të sigurta për të investuar në Kosovë. 

3. Korrupsioni i shtrirë horizontalisht dhe vertikalisht në institucionet tona lokale dhe qendrore;

Ekziston perceptimi se korrupsioni është i shtrirë në gati të gjitha institucionet e vendit, qoftë lokale, qoftë qendrore. Korrupsioni është duke paraqitur një kosto shtesë dhe një pengesë të madhe, për të bërë biznes në Kosovë.

4. Mungesa e përkrahjes legjislative dhe të ekzekutivit;

Vlerësohet se akoma ka mungesë të ligjeve që stimulojnë zhvillimin ekonomik dhe po ashtu një përkushtim real të qeverisë qendrore, për krijimin e kushteve për të bërë biznes në Kosovë. Prandaj si përfundim mund të themi se, përveç kushteve të të bërit biznes, janë edhe faktorët e lartcekur që ndikojnë në investimet e huaja direkte. Qeveria e vendit do të duhej të merret seriozisht me eliminimin e këtyre barrierave më qëllim që të përmirësohen kushtet e bërjes si biznesit dhe të ketë rritje të investimeve të huaja direkte.