A po përfitojmë nga falja e borxheve?

A po përfitojmë nga falja e borxheve?
  • 28 April 2016 - 08:34

Shkruan:Vanesa Gashi

Vendimi për faljen e tërësishme të borxheve publike ngjalli diskutime dhe pakënaqësi të shumta në lidhje me padrejtësinë e shkaktuar ndaj paguesve të rregullt të tatimeve dhe shërbimeve publike. Kjo pasi mundësoi që paguesit jo të rregullt në të vërtetë të përfitojnë nga miratimi i këtij ligji. Ligji parasheh faljen e tërësishme të borxheve ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike deri më 31 dhjetor 2008 me kusht që duke filluar nga 1 janari 2009 deri më 31 dhjetor 2014 të kryhen të gjitha obligimet shtetërore.

Ky ligj ishte implementuar me qëllim që të inkurajojë të gjithë personat fizikë dhe juridikë të kryejnë obligimet e tyre. Njëjtë sikurse edhe është theksuar në nenin 4, subjektet që përfitojnë nga falja e tërësishme e borxheve në një formë apo tjetër janë ata persona të cilët deri në fund të vitit 2008 ishin të papërgjegjshëm duke i shmangur obligimet e tyre si qytetarë ndaj institucioneve përkatëse.

Dekurajimi i qytetarëve

Kjo në fakt shkaktoi pakënaqësi tek paguesit e rregullt ndaj tatimeve dhe shërbimeve publike, të cilët edhe para vitit 2008 i kryenin detyrimet e tyre. Për më tepër, i dekurajoi ata që të vazhdojnë t'i paguajnë obligimet e tyre në muajt dhe vitet e ardhshme. Edhe pse si qëllim bazë në miratimin e këtij ligji ishte inkurajimi i shlyerjes së obligimeve dhe zvogëlimi i shmangies së tyre, duke kontribuar kështu pozitivisht në arkën shtetërore, ky vendim vë në rrezik arkëtimin e obligimeve si pasojë e revoltës së paguesve të rregullt.

Kjo për arsye se paguesit e rregullt konsiderojnë që ligji për faljen e borxheve publike vetëm i ngarkoi me shumë ata duke iu ofruar mundësi të tjerëve që të përfitojnë dukshëm.
Falja e borxheve në të vërtetë nuk paraqet ndonjë përfitim të veçantë për paguesit
Përkundër pretendimeve se të gjithë personat që kanë obligime të pashlyera përfitojnë nga implementimi i ligjit në fjalë, kjo bie në kundërshtim me dispozitat e tij. Në bazë të këtij ligji parashihet që borxhet apo obligimet, të cilat nuk shlyhen brenda një periudhe pesëvjeçare, ato shpallen të pavlefshme. Pasi që borxhet deri më 31 dhjetor 2008 në bazë të ligjit janë të pavlefshme, kjo nënkupton që edhe arkëtimi i tyre është i pamundshëm. Në këtë mënyrë institucionet shtetërore në mënyrë që të shmangin mosarkëtimin e borxheve prej vitit 2009 deri në vitin 2014 dhe në vitet në vazhdim përdoren faljen e borxheve si instrument për të nxitur shlyerjen e obligimeve.

Falja e borxheve në të vërtetë nuk paraqet ndonjë përfitim të veçantë për paguesit.

Kjo do të thotë që realisht borxhet nuk u janë falur, sepse ato në të vërtetë e kanë tejkaluar limitin prej pesë vjetësh dhe si pasojë janë të pavlefshme. Sidoqoftë, duke pasur parasysh që ekonomia e tregut në Kosovë nuk është konsoliduar tërë- sisht, ky ligj në mënyrë indirekte nxit dhe ndërgjegjëson të gjithë që të kryejnë obligimet e tyre me rregull.

Autorja është studente e Universitetit Amerikan në Kosovë (AUK)