Mbretëria dhe fuqia

Mbretëria dhe fuqia
  • 28 April 2016 - 16:38

Shkruan: Christopher R. Hill

Obama, “pastroi ajrin” me mbretin saudit Salman

Raporti i Amerikës me Arabinë saudite bazohet në një qasje pragmatike

Arabisë më nuk duhet t’i lejohet që ta bartë fajin, p.sh. te Qeveria irakiane e udhëhequr nga shiitët, sikur ajo ka dështuar që t’i qaset komunitetit sunit. Është përgjegjësi e tërë sauditëve, jo vetëm e familjes mbretërore, që të punojnë shumë për ta luftuar radikalizmin brenda vendit të tyre, por edhe përtej

Supozohet që presidenti i SHBA-së, Barack Obama, “pastroi ajrin” me mbretin saudit Salman para takimit të fundit të Këshillit të bashkëpunimit në Gji, të mbajtur në Riad, kryeqytetin e Arabisë saudite. Duke pasur parasysh sa të tendosura që janë marrëdhëniet bilaterale, ky me gjasë ishte rezultati më i mirë që mund të pritej. Por, ai nuk mjafton.

Raporti i Amerikës me Arabinë saudite bazohet në një qasje pragmatike të marrjes dhe dhënies, që ka për qëllim çuarjen përpara të interesave të përbashkëta, ku më së shumti ka rëndësi ruajtja e paqes dhe sigurisë relative në një regjion të brishtë, gjë që ka rëndësi të madhe për ekonominë botërore. Por, kjo qasje me të shpejtë është duke u bërë e vjetruar. Në fakt, ne kemi hyrë në një epokë të re të ideologjisë, në të cilën është gjithnjë e më vështirë të jesh pragmatik.

Në një terren të këtillë, ndoshta nuk duhet të befasojë fakti se çarjet në marrëdhëniet bilaterale tani kanë filluar që të duken. Në një intervistë të dhënë tash vonë, presidenti Obama i përshkroi sauditët (si dhe aleatët e tjerë të SHBA-së) si “përfitues” në politikën e jashtme amerikane. Kjo ngjalli diskutime jo vetëm në lidhje me vërtetësinë e këtij pohimi, por edhe rreth asaj se a duhej të thuhej me zë një mendim i tillë.

Radikalët largohen me paratë e sauditëve

Por, Obama nuk u ndal këtu. Në intervistën e njëjtë, ai deklaroi se Arabia saudite duhet të mësojë që ta ‘ndajë’ Lindjen e mesme me rivalin e saj, Iranin. Dhe, ai ka bërë kritika të ashpra ndaj trajtimit të grave në mbretëri, duke thënë se një vend nuk mund të funksionojë në botën moderne, nëse shtyp gjysmën e popullsisë së vet.

Por, marrë në përgjithësi, politikanët amerikanë mbesin të butë kur flasin rreth Arabisë saudite. Kur ata pranojnë “dallimet” me Arabinë në lidhje me atë se kur dhe ku duhet të luftohet terrorizmi, ata duket sikur janë duke folur rreth një mosmarrëveshjeje midis Rooseveltit dhe Churchillit rreth asaj se ku saktësisht duhet aleatët ta sulmojnë Gjermaninë naziste. Në fakt, dallimet janë të mëdha dhe shumë prej tyre i kanë rrënjët në qasjet dhe politikat e brendshme të mbretërisë. Konsiderojeni për shembull qasjen e Arabisë saudite ndaj ISIS-it dhe, më gjerësisht, ndaj radikalizmit sunit në tërë botën arabe.

Shpesh thuhet se sauditët eksportojnë terrorizëm, gjë që nuk është e vërtetë. Por, ajo që ata kanë bërë, është inkurajimi i radikalëve të tyre, një produkt anësor i vahabizmit, degës fundamentale të islamizmit në Arabinë saudite, që t’i bëjnë aktet e tyre terroriste gjetiu. Radikalët largohen me paratë e sauditëve, ku këta të fundit financojnë aktivitetet e tyre të dhunshme.

Gjatë administratës së presidentit George W. Bush, SHBA-ja punonte me sauditët për gjetjen e rrjedhave financiare të grupeve radikale, duke ndikuar në dobësimin e grupeve të tilla në tërë regjionin, duke përfshirë edhe Irakun perëndimor. Përpjekjet e tyre dhanë disa rezultate. Në fakt, në vend të mburrjes me suksesin e arritur të trupave amerikane në luftën në Irak në vitin 2007, administrata e Bushit ndoshta duhej të mblidhte të dhëna rreth ndikimit të asaj iniciative të përqendruar te financimi.

Për fat të keq, përpjekjet për ndalimin e rrjedhave financiare nga Arabia saudite, u dobësuan ndjeshëm pas vitit 2011, kur disa pjesë të Afrikës veriore dhe të Lindjes së mesme u përfshin nga ajo që u quajt Pranverë arabe. Kaosi që pasoi ushqeu përhapjen e sunizmit radikal, ku ndihmoi edhe mungesa e vëmendjes nga ana e sauditëve.

Luftimi i radikalizmit

Arabia saudite nuk ka të ngjarë që tani të merret me këtë çështje, kur është duke u ballafaquar me një stuhi të vërtetë të problemeve, duke filluar nga çmimet tepër të ulëta të naftës. Aty është edhe konflikti rreth procesit të trashëgimisë mbretërore, ku kemi përpjekjet e mbretit Salman për ta konsoliduar pushtetin në duart e djalit të tij, jo të preferuar, duke shkaktuar një shqetësim të konsiderueshëm në familjen mbretërore më të gjerë.

Iraku paraqet një problem tjetër për mbretërinë, meqë paraqet shembull të konsolidimit të fuqisë politike shiite. Një shembull i tillë, frikësohen sauditët, mund të shkaktojë trazira politike në Provincën lindore të Arabisë, e cila me shumicë është shiite dhe ku prodhohet shumica e naftës në këtë vend. Nëse qeveria e Irakut i thellon marrëdhëniet me Iranin, rreziku për stabilitetin do të rritet edhe më shumë.

Për Arabinë saudite, këto sfida janë më prioritare sesa mposhtja e ISIS-it, gjë që ka rezultuar me një humbje të plotë të pranisë së vendit të tyre në luftë. Në fakt, derisa shumë sauditë e shohin ISIS-in si lëvizje barbare me potencial eventual për ta dëmtuar vendin e tyre, ata janë të gatshëm që, herë pas here, ta lejojnë ISIS-in që ta vazhdojë kampanjën e tij të dhunshme. Fundja, përkundër tërë tmerrit që është parë në Paris, Bruksel dhe San Bernardino, viktimat e ISIS-it kryesisht kanë qenë shiitët.

Tani, kur SHBA-ja ka “pastruar ajrin” me sauditët, pritet që të bëhet puna e vërtetë. Kjo nënkupton përfshirjen në një bisedë të sinqertë rreth marrëdhënieve bilaterale, të bazuar në disa njohuri rreth rolit qendror të vahabizmit në ngritjen e radikalizmit sunit në tërë rajonin.

Arabisë më nuk duhet t’i lejohet që ta bartë fajin, p.sh. te qeveria irakiane e udhëhequr nga shiitët, sikur ajo ka dështuar që t’i qaset komunitetit sunit. Është përgjegjësi e tërë sauditëve, jo vetëm të familjes mbretërore, që të punojnë shumë për ta luftuar radikalizmin brenda vendit të tyre, por edhe përtej.

(Christopher R. Hill aktualisht është dekan i Shkollës ‘Korbel’ për studime ndërkombëtare, në Universitetin e Denverit).

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot” 

(Kosova Sot)