Si të mbrohet epoka e luftës çlirimtare?

Si të mbrohet epoka e luftës çlirimtare?
  • 02 May 2016 - 07:53

Shkruan: Florim Zeqa

Për popullin dhe të ardhmen e Kosovës, më e rëndësishme se kjo "Gjykatë Speciale", ka pasur dhe ka nevojë për krijimin e një Tribunali Special për dënimin e krimeve ekonomike dhe politike në Kosovën e pasluftës

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës, i ka "hapur" rrugën themelimit të Gjykatës Speciale (të njëanshme) për krimet e luftës në Kosovë. E quajta kështu të njëanshme, për arsye se kjo Gjykatë nuk parasheh të gjykohen edhe krimet (e shumta) serbe ndaj shqiptarëve, por vetëm ato të shqiptarëve?! Se a ishte ky një votim i domosdoshëm apo jo, është koha, ajo që po e dëshmon si votim të padrejtë,...për të cilin votuan mbi 2/3 e deputetëve; disa me (pa) vetëdije, sa të tjerë nën presionin e liderëve partiakë,...përderisa më së vështiri ishte të abstenohej nga një votim i tillë ! Tani secili prej liderëve dhe deputetëve në mënyrën e vet po mundohen ta arsyetojnë votimin apo mosvotimin e Gjykatës Speciale! Pavarësisht votimit pro apo kundër, kjo Gjykatë Speciale, me "bekimin" e ligjvënësve kosovarë është duke bërë përgatitjet e fundit për fillimin e gjykimit të krimeve të supozuara të pjesëtarëve të UÇK-së! Meqenëse Kuvendi i Republikës së Kosovës ndodhet në prag të shpërbërjes, i mbetët politikëbërjes dhe ligjvënësve të legjislaturës së ardhshme të kuvendit, që të gjejnë mënyrën për mbrojtjen e luftës së drejtë çlirimtare në Kosovë. Në asnjë rrethanë nuk duhet lejuar të dëmtohet imazhi i luftës çlirimtare nga kjo Gjykatë Speciale, sepse do të shkaktonte pasoja të paparashikueshme për të ardhmen e shtetit tonë,...gjë të cilën e pret Serbia (si nxitëse kryesore e formimit të kësaj gjykate) në fund të procesit gjyqësor. Shqiptarët e Kosovës për afro një dekadë provuan me rezistencën e tyre aktive paqësore Krimi i organizuar dhe terrorizmi janë dy gjëra që e rrezikojnë të ardhmen e njerëzimit në mbarë botën. Gjatë gjykimit të këtyre dy dukurive të shëmtuara duhet pasur kujdes gjithnjë në mospërzierjen e individit me një kolektivitet më të gjerë. Ashtu si terroristi, edhe krimineli duhet të ndahet nga kolektiviteti i tij, etnia, raca, feja, partia apo cili do grupim tjetër. Edhe në rastin tonë, duhet treguar kujdesin maksimal në identifikimin e rasteve, trajtimin e barabartë, ballafaqimin me argumente dhe fakte për secilin veç e veç,...duke mos e përzier luftën e pastër çlirimtare më ndonjë rast të izoluar (të shkaktuar për motive hakmarrjeje, të nxitur nga urrejtja e krimeve masive serbe ndaj shqiptarëve), apo mospërgjegjësie individuale në rrethana lufte. Lufta i ka fituar liritë e shumë popujve të botës, dhe do të jetë prapë e zonja të çlirojë popuj të tjerë nga robëria, shtypja dhe kolonializmi. Lufta i vë në sprovë të madhe të gjithë njerëzit; ku përveç forcës fizike dhe qëndrueshmërisë kërkon përgatitje të lartë morale në përballimin e sfidave shpirtërore. Përdorimi i dhunës mbetët opsioni i vetëm për të gjetur domenin e lirisë. Kjo është baza mbi të cilën e ka bazën e drejta e një populli për t'u çliruar, si dhe e drejta e intervenimit humanitar për ta ndihmuar një popull apo vend tjetër. Mbi këtë të drejtë ndodhi edhe intervenimi (për herë të parë) i forcave ajrore të NATO-s për shpëtimin e popullit shqiptar nga shfarosja dhe dëbimi kolektiv. Lufta në Kosovë nuk erdhi si dëshirë dhe as si qëllim i shqiptarëve. Erdhi për më tepër si imponim dhe nevojë ekzistenciale. Shqiptarët e Kosovës për afro një dekadë provuan me rezistencën e tyre aktive paqësore. Sa më shumë shtoheshin kërkesat për ndihmë ndaj bashkësisë ndërkombëtare, aq më tepër rritej dhuna dhe represioni serb ndaj shqiptarëve. Masakra e forcave serbe ndaj familjes Jashari në marsin e '98-së ju dha fund shpresave të shqiptarëve për shkuarjen tutje vetëm në rrugë paqësore dhe demokratike, sikurse që edhe masakrat e mëvonshme në gjithë Kosovën,...thyen iluzionet e ndërkombëtarëve për zgjidhjen në rrugë paqësore të problemit të Kosovës. Përfundimi i suksesshëm i epokës së luftës do të shëronte shumë plagë Organizimi i shqiptarëve në grupe të armatosura, erdhi si domosdoshmëri e mbrojtjes së nderit dhe dinjitetit familjar, të mbrojtjes së pragut të shtëpisë, siç e thoshte shpesh presidenti historik Ibrahim Rugova (edhe para Tribunalit të Hagës). Përfundimi i suksesshëm i epokës së luftës do të shëronte shumë plagë, do të hapte një kapitull të ri paqeje si dhe do t'i hapte një perspektivë të ndritshme të ardhmes së vendit tonë dhe mbarë rajonit të trazuar të Ballkanit Perëndimor, fakt ky të cilin duhet ta kenë parasysh të gjithë, përfshirë këtu edhe ndërkombëtarët. Megjithatë, për popullin dhe të ardhmen e Kosovës, më e rëndësishme se kjo "Gjykatë Speciale", ka pasur dhe ka nevojë, për krijimin e një Tribunali Special për dënimin e krimeve ekonomike dhe politike në Kosovën e pasluftës,...e cila prodhoi situatën më paradoksale në rajon, të krijimit të një "super" klase të pasur kusarësh politik, karshi një popullate skajshmërisht të varfër.Andaj, pa dënimin e këtyre kusarëve politikë, të shpërndarë gjithandej subjekteve politike, ndryshimi pozitiv dhe fillimi i një epoke të re për Kosovën, do të mbetën vetëm një iluzion në shpirtrat e virgjër dhe atdhedashës të kombit tonë.

(Kosova Sot)