Trump-i ia ka ofruar Clinton-it një kartelë fitoreje

Trump-i ia ka ofruar Clinton-it një kartelë fitoreje
  • 02 May 2016 - 12:10

Shkruan: Kathleen Parker

Kandidati republikan gabon me politikat për gjininë e bukur

Nëse Trump-i do të kishte qenë femër, ai nuk do t’i fitonte 5 për qind të votave

Në fakt, deklarata e tij e ka nxitur Clinton-in që në një tubim të saj, me zë plot pasion, të thotë: “Epo, nëse lufta për kujdes shëndetësor të femrave dhe pushim me pagesë për shtatzëni dhe për barazi në paga është përdorim i kartës së femrës, atëherë unë e kam bërë një gjë të tillë”

Njëra nga reklamat më efektive të këtij sezoni paraqet gratë teksa përsërisin deklaratat poshtëruese që Donald Trump i ka thënë për gjininë e bukur.

Nuk nevojitet kurrfarë komenti kur një kandidat, me fjalët e veta, i shpërfaqë të metat e veta dhe si rrjedhojë, e ndëshkon veten.

Për këtë gjë mund ta pyesni Mitt Romney-n, “47- përqindëshi” i të cilit u kishte dhënë fund aspiratave të tij presidenciale. Deklaratat e tij që nuk ishte i shqetësuar për 47 për qind të njerëzve, të cilët ishin në ndonjë formë të mirëqenies sociale, ishte konsideruar si mungesë dhembshurie për të varfrit.

Trump, për dallim nga ai, mund të mos thotë asgjë dhe t’i ikë gjykimit nga një pjesë e madhe e votuesve republikanë. Them kështu sepse, edhe pse ai iu është referuar femrave me fjalën “qen” dhe “derr i trashë”, si dhe ka diskutuar për funksionet gastrointestinale të gruas së tij me Howard Stern-in, ai ia ka dalë shumë mirë në votimet e republikanëve.

Është e kuptueshme që republikanët nuk e pësojnë për faktin që e kritikojnë Hillary Clinton-in. “Urrejtja për Hillary-n” është një fiksim kronik në të djathtë, veçanërisht në mesin e burrave për të cilët ka folur Trump-i, i cili së fundmi i ka thënë Joe Scarborough-t të ‘MSNBC’-së që ishte shumë herët në mëngjes për të për ta dëgjuar Clinton-in “duke bërtitur”.

Nuk do koment fakti që zëri i ngritur i një femre është ankthi më i keq i çdo mashkulli – për shumë arsye. Për arsye të ngjashme, të qarta, asnjëherë nuk është e përshtatshme për një burrë që t’i theksojë këto gjëra.

Natyrisht, kjo gjë nuk vlen për Trump-in.

Loja me karta

Ai dhe Scarborough kanë qenë duke diskutuar për komentet e fundit të Trump-it për faktin që Clinton po shkonte pas votës së femrave dhe e kishte akuzuar atë për përdorim të “kartës së femrave”. Duket që kushdo që është femër e përdorë një kartë të tillë, në botën e Trump-it, meqë ai preferon që femrat ta përdorin kartën e burrave.

Asgjë që Trump ka thënë deri më tani nuk ka qenë më larg nga e vërteta, përkundër faktit që konkurrenca për ‘gënjeshtrën më të madhe’ është shumë e fortë. Në fakt, deklarata e tij e ka nxitur Clinton-in që në një tubim të saj, me zë plot pasion, të thotë: “Epo, nëse lufta për kujdes shëndetësor të femrave dhe pushim me pagesë për shtatzëni dhe për barazi në paga është përdorim i kartës së femrës, atëherë unë e kam bërë një gjë të tillë”.

Sa për t’i vënë fjongo dhuratës së tij për Clinton-in, Trump ka shtuar: “Dhe, është e qartë që nëse Hillary Clinton do të kishte qenë mashkull unë nuk mendoj se do t’i fitonte më shumë se 5 për qind të votave ... Gjëja e bukur është që as femrat nuk e pëlqejnë Clinton-in, në rregull?”.

Kjo na çon në pyetje të pashmangshme: Çka nëse Trump-i do të kishte qenë femër? Paramendojeni një Donna Trump që do të kandidonte për nominimin e Partisë Republikane e që:

● Kishte nisur gjithçka me më shumë se 1 milion dollarë të marra nga biznesi i babait të tij, për t’u bërë miliarder nëpërmjet katër falimentimeve dhe disa dështimeve të bizneseve.

● Nuk ka dashur t’i publikojë pasqyrat e taksave dhe ka dhënë donacione për një sërë demokratësh, përfshirë këtu edhe Hillary Clinton-in.

● Ka udhëhequr një universitet, që në të madhe është akuzuar për mashtrim.

● Ka ‘importuar’ dy nga tre bashkëshortët e saj nga jashtë vendit, njërin prej tyre nëpërmjet vizës për ‘model’ dhe e kishte mashtruar bashkëshortin e dytë, për ta mos e dëmtuar në xhep.

● E ka vënë bashkëshortin e tretë në aeroplanin e saj, të zhveshur dhe të lidhur me pranga, për një sesion fotografish, për të cilin ajo (Donna Trump) ka thënë që është ‘i stilit të lartë’.

● Ka thënë që i biri i saj është aq i pashëm saqë do të dilte me të në takim dashurie, sikur të mos kishte qenë i biri i saj.

● Ka thënë që gratë të cilat abortojnë duhet të dënohen (nëse abortimi do të kishte qenë ilegal).

● Nuk ka ditur asgjë për politikën e jashtme, përfshirë këtu edhe shqiptimin e emrave të shteteve.

● Vazhdimisht ka mallkuar e demonizuar kundërshtarët e vet, sikurse edhe meksikanët, myslimanët dhe të tjerët.

Çka nëse Trump-i të ishte femër?

Nëse Trump-i do të kishte qenë femër, ai jo vetëm se nuk do t’i fitonte 5 për qind të votave, mirëpo gjithashtu do të etiketohej me emra të ndryshëm dhe do të nxirrej nga qyteti në shpinën e një gomari. Votuesit, si meshkujt ashtu edhe femrat, do ta kuptonin shpejt që një femër e tillë është e papërshtatshme dhe se ka mungesë të karakterit, duke u cilësuar kësisoj më shumë sesa thjesht ‘e çmendur’ dhe përnjëherësh do të diskualifikohej në garën për presidente të SHBA-së.

Gjëja e vetme që i ka funksionuar Trump-it është vota e mashkullit, gjë që në asnjë mënyrë nuk mund të cilësohet si shmangie e akuzimeve për një luftë të Partisë Republikane ndaj femrave. Mirëpo, siç do ta kishte thënë vetë Trump-i, të paktën ai është duke garuar me stil.

(Kathleen Parker është kolumniste amerikane që ka fituar çmimin “Pulitzer”. Ajo shkruan kolumne për “The Washington Post”)